Vatikani: Përshtypja më e ndjerë që i la Papës, vizita e parë në një vend evropian, në Shqipëri

Vatikani: Përshtypja më e ndjerë që i la Papës, vizita e parë në një vend evropian, në Shqipëri

11:22, 21/09/2020
A+ Aa A-

6-vjetori i vizitës së parë të Papës Françesku në Shqipëri, disa momente të asaj vizite të veçantë e të paharrueshme të Atit të Shenjtë në kryeqytet, Tiranë, më 21 shtator 2014, në fotografitë e l’Osservatore Romano.

Nga  Vatican News.

Më 21 shtator 2014 Papa Françesku zgjodhi udhën e Shqipërisë për të vizituar kontinentin e Vjetër - Evropën. E, në Tiranë. Ati i Shenjtë Bergoglio kujtoi se “forca e besimit në Zotin dhe e çdo komuniteti fetar është dashuria e Hyjit” që fiton mbi çdo kundërshti e të keqe. “Memoria e martirëve, që qëndruan besnikërisht në fenë e tyre në Zotin, gjatë diktaturës komuniste, është garanci për të ardhmen e Shqipërisë; sepse gjaku i tyre është farë që sjell frytet e paqes e të bashkëpunimit vëllazëror”.

Ajo e Papës në Tiranë ishte një vizitë e cila në radhë të parë solli mesazhe të jashtëzakonshme, mesazhe vlerësimi pa dyshim, por mbi të gjitha shprese dhe besimi. Besimi tek Zoti, besimi tek e mira, besimi tek njëri tjetri, dhe mbi të gjithë, e solli popullin shqiptar me ato virtyte dhe parime, që i ka trashëguar brez pas brezi, në vëmendje të mbarë botës.

Vizita e 21 shtatorit 214 në Tiranë, ishte një përqafim atëror i Papës Françesku me mbarë popullin shqiptare, duke u nisur nga më të varfrit, të mënjanuarit, të persekutuarit, për të vazhduar me popullin e Zotit dhe të gjithë qytetarët e Shqipërisë, pa dallim, e deri te udhëheqësit e komuniteteve fetare, autoritetet me të larta të vendit, nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, te kryeministri, kryetari i bashkisë së Tiranës e të tjerë.

Me 21 shtator të vitit 2014, në Tiranë, Ati i Shenjtë Françesku u takua me mbarë popullin shqiptar, të cilin e përshëndeti përzemërsisht duke i lënë, atë ditë të paharrueshme, edhe disa porosi, që ende sot janë aktuale për realitetin shoqëror të vendit të shqiponjave.

Përshtypja më e ndjerë, që la pas Papa Françesku, në përfundim të vizitës së tij të 21 shtatorit 2014 në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, qe ajo e një miku të vërtetë, që u prit dhe u trajtua kudo si të ishte “shqiptar mes shqiptarësh”.

Papa e bekoi Shqipërinë dhe shqiptarët: fjalët bekim e respekt qenë më të lakuarat në të gjitha komentet, në të gjitha përshtypjet, nga eksponentë të Kishës Katolike, të komuniteteve të feve tjera të vendit, nga politikanë, gazetarë, nga televizione e radio, të cilat i kushtuan faqet e para të emisioneve të tyre Atit të Shenjtë.

Këto dy fjalë përkufizojnë më së miri mënyrën si e pritën shqiptarët shtegtimin e parë apostolik në Evropë të Papës Françesku, i cili shkoi të përforconte në fe besimtarët katolikë, por edhe të bekonte gjithë popullin shqiptar.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco