VIDEO/ Polici e qytetarëve apo polici e krimit dhe e partisë?!

VIDEO/ Polici e qytetarëve apo polici e krimit dhe e partisë?!

09:57, 18/09/2020

Këtë të mërkurë Nr. 2 i Partisë Socialiste Taulant Balla dhe ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, hapën fushatën zgjedhore përpara dhjetëra forcave policore në Elbasan. Të gjithë të rreshtuar përpara partisë.

Një ditë më herët, në një nga zonat më të populluara të Tiranës në një orar që mundësonte një masakër të vërtetë terroriste mes dhjetëra qytetarëve, makina e 50 vjeçarit Preng Gjinin u hodh në erë me tritol të telekomanduar.

Shënjestra u gjymtua, kurse një shtetas italian dhe një fëmijë u plagosën. Dhjetëra e qindra kalimtarë të tjerë shpëtuan mrekullisht, por u terrorizuan si nga një skenë talebanësh.

 Ishte një atentat i paralajmëruar; vazhdë e një seri vrasjesh në Mirditë e zona të tjera të vendit. Me armë silenciator në mes të qytetit i ishte vrarë i vëllai shënjestrës, rrëmbime e shumë vrasje të tjera i kishin paraprirë këtij krimi të rëndë.

 Në Rrëshen e Burrel edhe fëmijët e dinë se çfarë po ndodh, kush po vret dhe kush e ka radhën. Vetëm policia e Lleshajt vazhdon të punojë prej disa vitesh në disa pista, “për zbardhjen e vrasjeve dhe të emrave të autorëve”.

Taulant Balla tha përpara policëve se kjo ngjarje nuk është ndonjë gjë e jashtëzakonshme,  pasi shpërthime si këto ndodhin në çdo kryeqytet të Europës.

Kurse Sandër Lleshaj me këtë rast deklaroi se nuk do të ikte nga ministër siç kishte paralajmëruar 2 ditë më parë dhe i quajti autorët e atentatit të rëndë; “të pa besë”.

Është e frikshme kur sheh se në krye të punëve të Rendit në vendin tonë nuk kemi vetëm njerëz të paaftë, por edhe qesharakë. Dhe mbi të gjitha shërbëtorë të bindur të partisë dhe kryeministrit.

Nuk kaluan as 24 orë nga spektakli parazgjedhor me policinë dhe pikërisht në Elbasan, ndodhi një atentat tjetër me vdekje. Edhe ky i paralajmëruar, por jo i ndaluar.

U ekzekutua Bujar Çela. Një krim që dihej se do të ndodhte sepse u parapri nga një varg vrasjesh me protagonist vëllanë e Bujarit, Talo Çelën.

Që nga muaji prill i vitit të kaluar kur ndodhi grabitja e Rinasit ku edhe Talo Çela ka qenë i përfshirë, ka nisur një serial vrasjesh që numëron të paktën 5 të vrarë, të vërtetuar se kanë lidhje me rastin në fjalë.

Të gjitha atentate publike dhe pa autor të kapur. Nuk dihet se kur do të mbarojnë edhe ky serial gjaku. Njësoj si ata që vazhdojnë të jenë të hapur e në vazhdim; I Mirditës, Elbasanit, Shkodrës, Vlorës, Durrësit… Më e rënda është se viktima po kthehen edhe familjarët e pafajshëm dhe qytetarë, pa lidhje me krimet e protagonistëve.

 Policia edhe në këtë rast si gjithmonë kapi vetëm  makinën e djegur të autorëve, kurse ministri Lleshaj foli sërish për dorëheqje në parlament. Këtë herë duke vendosur edhe një bast me mediat:

Nëse makina e tij luksoze e blerë në këto kohë pandemie dhe rindërtimi nga tërmeti kushton më shumë se 49 mijë euro, ai do të japë dorëheqjen; nëse jo, ai do të vazhdojë të drejtojë punët e Rendit.

Asnjë brerje ndërgjegjeje, morale dhe profesionale.

Asnjë fjalë për daljen jashtë kontrollit të krimit dhe për pafuqinë e shtetit dhe të policisë, përball tij.

 As që i shkon në mendje ndonjë ministri të Ramës, që të japë dorëheqjen kur punët shkojnë deri në pikën kur shteti ligjor bie.

As kur krimi trimërohet aq shumë, sa që vret e zhduket si të jetë në çifligun e tij.

Edhe Besa Shahini iku se kishte familjen larg dhe nuk qëndronte dot pa burrin, e jo për degradimin që i është bërë sistemit arsimor.

Ndaj Lleshajt nuk i shkon më ndërmend, që të ikë edhe pas ngjarjeve kaq të rënda si këto të ditëve të fundit.

Vërtet krimi po punon i qetë me drogën dhe bizneset ku legalizon miliardat, po vret sa herë që i duhet e zhduket pa nam e nishan, por Lleshaj e Ardi Veliu me kryeministrin Rama kanë qenë në rregull. Madje shembullorë!

Janë dhjetëra vrasje e atentate mafioze pa autorë.

Emra të njohur të krimit që kontrollojnë drogën në gjithë Europën të cilët lëviznin e shfaqin arrogancën e pasurisë të qetë nëpër Tiranë, Durrës, Vlorë, Fier, Shkodër etj.

Asnjëherë nuk jua mësojmë emrin nga policia jonë, por vetëm kur bien në rrjetën e operacioneve ndërkombëtare si ky i fundit ku u goditën kokat e kokainës shqiptare.

Kapen jashtë vendit, se në Tiranë policët e Lleshajt e të Ard Veliut i trajtojnë dhe i nderojnë si shefa.

 Të gjitha këto nuk kanë rëndësi, nëse drejton një polici të egër deri në ekstrem kundër protestave të opozitës. Nëse rreh e shoqëron pa mëshirë, ata që mbrojnë në mënyrë paqësore Teatrin Kombëtarë.

Nuk ka policë për të kapur autorët e dy ngjarjeve të rënda që ndodhën së fundmi në Tiranë e Elbasan, por shihni sa shumë e sa të egër ishin sot paradite kundër punëtorëve ditëzinj të rafinerisë së Ballshit, të cilët kërkojnë vetëm rrogat e tyre.

Kanë 12 muaj që i presin nga miqtë-biznesmenë të Edi Ramës, por ajo që po marrin është vetëm dhuna e policisë sa herë që protestojnë.

Tetë vite `Rilindje` dhe kemi parë polici në shërbim të kultivuesve e trafikantëve të kanabisit e kokainës; polici në shërbim pronave të oligarkëve, polici të Ramës, Tahirit, Lleshajt; polici në funksion të rezultatit të zgjedhjeve, polici të partisë…

Por asnjëherë, polici të qytetarëve!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco