Si Edi Rama dogji rrugën e Shqipërisë drejt BE-së për llogaritë e veta elektorale

Si Edi Rama dogji rrugën e Shqipërisë drejt BE-së për llogaritë e veta elektorale

12:43, 26/08/2020
A+ Aa A-

Media online Euroactiv, e specializuar për artikujt e politikbërjes europiane i ka kushtuar një shkrim pritshmërive mbi axhendën e zgjerimit të Bashkimit Europian këtë vjeshtë.

Artikulli nis me saktësimin se Ballkani Perëndimor qëndron lart në anxhendën e BE-së për muajt e ardhshëm, madje do të jetë një nga momentet kyçe të procesit.

Komisioni është ‘i armatosur’ me një metodologji të re shkruan Euroactiv, dhe pritet të bëjë publike paketën e zgjerimit, që analizon të gjithë procesin dhe përmban raporte të veçanta për zhvillimet në secilin prej vendeve.

Euroactiv përshkruan në pak rreshta ecurinë e secilit shtet, duke i kushtuar Shqipërisë këto fjalë:

‘Mbi Shqipërinë rëndojnë ende shumë kushte para se të nisin negociatat, pasi vendi mori aq shumë të dëshiruarën, dritën jeshile këtë pranverë. Pasi lavdëroi Shqipërinë se kaloi reformën zgjedhore, një nga parakushtet e vendosura, Bashkimi Europian ishte më pak se enuziast të dëgjonte për ndryshimet kushtetuese që u bënë nga socialistët në pushtet dhe për të cilat opozita tha se ishin të motivuara politikisht. Shtyrje të tjera për fillimin e negociatave me Bashkimin Europian duken në horizont’ Euroactive.

Paralajmërimi vjen i qartë: Vendimi personal i Ramës për të ndryshuar Kushtetutën, mund t’i kushtojë vendit shtyrjen e negociatave. Sepse kalimi i reformës zgjedhore me konsensus ishte një nga dy kushtet e vendosura nga Këshilli Europian, që duhej plotësuar për zhvillimin e konferencës së parë ndërqeveritare.

Kushti i dytë ishte nisja nga puna i Gjykatës Kushtetuese. As njëra, as tjetra nuk janë plotësuar dhe kjo nuk është diçka që kalon pa u vënë re nga presidenca gjermane e Këshillit Europian.

Image

Prishja e konsensusit

Rama krijoi idenë se do të kishte konsensus, kur arriti një marrëveshje për identifikimin biometrik me PD dhe LSI në 5 Qershor. Opozita doli pjesërisht e kënaqur, por e firmosi paktin nën presionin e hapur të ambasadës amerikane. Sipas marrëveshjes PS, PD, LSI çdo votuesi do t’i merren shenjat e gishtave ditën e zgjedhjeve. Palët nuk ranë dakort për depolitizim të administratës, megjithatë konsensusi u dha nga të dyja anët.

Por Rama kishte plane të tjera në kokë.

Bashkë me një grup deputetësh zëvendësues të PD dhe LSI, kryeministri hartoi ndryshimin e Kushtetutës për listat e hapura, një version që përjashton automatikisht koalicionet parazgjedhore. Lëvizja u konsiderua një lojë e pastër në interes të Partisë Socialiste për zgjedhjet e ardhshme. Duke qenë i vetëm në qeveri, Rama i detyroi edhe partitë e tjera të dalin vetëm në zgjedhje. Ndalimi i koalicioneve u bë me pretekstin e hapjes së listave.

Votimi i 31 Korrikut kur u ndryshua Kushtetuta, u krye pasi opozita e bëri të qartë se ishte kundër, se po prishej marrëveshja e 5 Qershorit dhe se në këtë pikë, nuk kishte më konsensus për reformën zgjedhore mes palëve.

Image

Fërkimi me Ambasadorët

Për të kuptuar zhgënjimin e ambasadorëve, mjafton të dëgjosh fjalimet e tyre patetike pas arritjes së marrëveshjes së 5 Qershorit, kur flisnin për fitoren e popullit shqiptar, momentin historik apo për integrimin në Bashkimin Europian.

Votimi në Kuvend i ndryshimeve kushtetuese dhe prishja e marrëveshjes me opozitën, nuk i la të kënaqur përfaqësuesit ndërkombëtarë. Pak minuta pasi Kuvendi votoi, zëdhënësja e Komisionit Europian, Ana Pisonero tha se ‘është për të ardhur keq që nuk është caktuar më shumë kohë në fazën përgatitore për të gjetur një kompromis me të gjitha partitë në Këshillin Politik’.

Në anën tjetër ambasada amerikane tha për ndryshimet e Kushtetutes se ‘është për të ardhur keq që (vendimi) nuk u mor në të njëjtin frymë me të cilën u arrit marrëveshja e 5 qershorit’.

Pikërisht për reagimet e ndërkombëtarëve, për herë të parë që kur u ul në postin e kryeministrit, Rama nisi të flasë me tone sovraniste.

 ‘I takon shtetit shqiptar që të vendosë përmes parlamentit të vet, se cfarë bën me sistemin zgjedhor, nuk është zgjedhje që kemi detyrimin ta ndajmë me ambasadoren amerikane, as të BE-së as me askënd tjetër duke i konsideruar zot në vendin e tyre. Nuk është përgjegjësia e ambasadores amerikane, Uashingtonit, Brukselit apo Berlinit që ne prej 30 vitesh kërkojmë në anglisht zgjidhjen e problemeve tonë. Nuk është përgjegjësia e tyre. Kur dëgjoj ambasadoren amerikane që thotë se ‘do i ndjekim me vëmendje drejtuesit politikë a do e mbajnë fjalën apo do e mbajnë fjalën’, sinqerisht nuk më vjen mirë, jo për veten time, por për të gjithë ne’.

Retorika ishte e rrallë për Ramën dhe u pa si thyerje mes tij dhe dy ambasadorët Juri Kim dhe Luixhi Soreca. Të dy e kishin duartrokitur Ramën në marrëveshjen e 5 Qershorit, por kur ai nisi negociatat me Myslym Murrizin, ambasadorët u kapën në befasi. Deri në momentin e fundit, dy ambasadorët i kërkuan kryeministrit të mos nxitohej dhe të mos e ndryshonte Kushtetutën pa konsensus, por kreu i Partisë Socialiste nuk u ndal.

Kushtet e BE-së për konferencën e parë

Përfundimet e Këshillit Europian që përmbajnë 15 kushtet u miratuan në 25 Mars të këtij viti nën titullin ‘Zgjerimi dhe Procesi i Stabizilizim-Asociimit—Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Republika e Shqipërisë’.

Më pas, në 19 qershor, Parlamenti Evropian miratoi një rezolutë ku ‘thekson 15 kushtet e përcaktuara nga Këshilli i Bashkimit Evropian që Shqipëria duhet të jenë përmbushur përpara se të thirret Konferenca e parë Ndërqeveritare me Shtetet Anëtare.’

Ekzistenca e kushteve nga Këshilli Europian është mohuar dhe relativizuar vazhdimisht nga kryeministri Rama. Ai shpesh thotë se i gjithë procesi i pranimit në Bashkimin Europian është në thelb, një varg kushtesh, që vazhdojnë me vite.

Por kësaj radhe, vendimi i Ramës për të ndryshuar Kushtetutën me qëllim realizimin e strategjisë elektorale të Partisë Socialiste ka dominuar mbi kërkesën e Bashkimit Europian për hapjen e negociatave, që ishte konsensusi me opozitën. Mbetet për t’u parë, nëse Rama i ka bërë llogaritë për fitore në zgjedhjet e ardhshme. Në të gjitha rastet, vetëm ambicia e tij për një mandat të tretë, po mjafton për të na mbajtur më larg Bashkimit Europian.

/Marrë nga Lapsi.al

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco