Dialogu Kosovë-Serbi/ Grenell: Udhëheqësit takohen më 2 shtator në Shtëpinë e Bardhë

Dialogu Kosovë-Serbi/ Grenell: Udhëheqësit takohen më 2 shtator në Shtëpinë e Bardhë

17:50, 14/08/2020
A+ Aa A-

I dërguari i posaçëm i Presidentit amerikan për bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell tha se udhëheqësit e dy vendeve do të takohen në Shtëpinë e Bardhë për bisedime më 2 shtator.

Ambasadori Grenell e bëri njoftimin të enjten në Twitter, por nuk dha hollësi të tjera, raporton VOA.

 

 

Një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë i tha Zërit të Amerikës se mikpritës të takimit do të jenë Këshilltari për Siguri Kombëtare, Robert O’Brien, së bashku me ambasadorin Grenell.

“Shtetet e Bashkuara presin me padurim për këto diskutime të rëndësishme me presidentin (Aleksandër) Vuçic dhe kryeministrin (Avdullah). Shtetet e Bashkuara besojnë se përparimi ekonomik është thelbësor për çuarjen përpara të procesit të paqes”, tha zyrtari i lartë.

Në Prishtinë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, mirëpriti njoftimin për takimin e dy shtatorit.

“Ne u jemi mirënjohës Shteteve të Bashkuara për përkushtimin e jashtëzakonshëm për paqen dhe qëndrueshmërinë në rajon”, shkroi presidenti Thaçi.

 

 

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti tha se Shtetet e Bashkuara kanë qenë gjithmonë vendimtare në procesin e shtetndërtimit të Kosovës.

 

“Më 2 shtator takohemi në Shtëpinë e Bardhë për të diskutuar me palën serbe, si dy vende të pavarura, për projekte madhore të bashkëpunimit ekonomik që do ta ndërrojnë perspektiven ekonomike të Kosovës dhe rajonit. Kosova është e bekuar me miqtë që ka”, shkroi ai në llogarinë e tij në facebook.

Njoftimi u mirëprit edhe në Beograd, ku presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, tha se fakti që do të bisedohet për çështje ekonomike është gjë e mirë për Serbinë dje rajonin.

Ndërkaq, ish kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shkroi se dy shtatori duhet të shihet në kontekst të zgjedhjeve të reja në Shtetet e Bashkuara.

“Ish ambasadori amerikan në Berlin dhe ish u.d. i Drejtorit të Inteligjencës Nacionale, Richard Grenell, e do një sukses të orëve të fundit në politikën e jashtme. Ai pardje kritikoi z. Biden që “premton se problemet e botës do t’i bëjë përgjegjësi të ShBA-ve”, kurse sot vetë ai bëri thirrje për negociata midis Kosovës e Serbisë. Grenell është i njëjti diplomat që thoshte se nuk ka parë e as diskutuar ndonjëherë për ‘shkëmbim territorial’. Pastaj akuzonte ish Këshilltarin e Sigurisë Nacionale, John Bolton, se ai paska qenë prapa këtij plani, ndërkaq ky i fundit u përgjigj duke thënë se atë e ka dëgjuar nga dy presidentët, të Kosovës e të Serbisë. Në janar të këtij viti Grenell ndryshoi pozicionin e deriatëhershëm amerikan dhe braktisi të gjitha kërkesat ndaj Serbisë në raport me Kosovën. Grenell ia ka mësyrë kontestit Kosovë-Serbi si një cowboy i financave dhe medieve që nuk do t’ia dijë për historinë e shqiptarëve dhe vuajtjet e humbjet e Kosovës”, shkroi mes tjerash zoti Kurti.

Analistët në Kosovë thonë ndërkaq se njoftimet për takimin e dy shtatorit e gjejnë vendin me mungesë të unitetit të brendshëm, gjë që rrezikon sipas tyre të dëmtojë seriozisht pozicionin e Kosovës në procesin e bisedimeve. 

“Sa i përket paqartësisë së brendshme i referohem faktit që brenda për brenda koalicionit qeverisës nuk ka qartësi edhe bashkërendim sa i përket qasjes në dialog, qëllimeve të dialogut, vijave të kuqe dhe në përgjithësi platformës, e aq më pak mund të themi që ekziston bashkërendim ose qartësi në mes të spektrit politik sa i përket qëllimeve dhe procesit të dialogut mes Kosovës e Serbisë”, thotë Arbresha Loxha nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike.

“Ne kemi pasur kohë të mjaftueshme për ta arritur këtë bashkërendimin, nuk është bërë, tani është ta them koha e fundit që duhet të bëhet pasi takimet janë caktuar dhe Kosova nuk guxon të shkojë e përçarë pasi që ta them qartë se ajo që do të humb do të jetë Kosova dhe askush tjetër”, thotë Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës.

Zonja Loxha thotë se në fakt ky proces po shoqërohet me paqartësi dhe mungesë transparence.

“Ne konsiderojmë që as Shtetet e Bashkuara, as Bashkimi Evropian nuk po e bëjnë të qartë se cili është konkretisht qëllimi, çfarë mund të presim prej këtyre takimeve. Në anën tjetër nuk ekziston qartësi në qoftë se këto takime paralele, pra ato në Washington dhe këto në Bruksel po bashkërendohen mes SHBA-së dhe BE-së. E ngris këtë si shqetësim për faktin që nuk dihet pastaj nëse po krijohen dy procese paralele, të cilat mund t’i kontribuonin negativisht produktivitetit të dialogut dhe në anën tjetër nuk po dihet nëse vërtetë po rrëshqasim në një dialog teknik në vend se të punojmë apo të bëjmë hapa konkret rreth arritjes së një marrëveshjeje finale”, thotë ajo.

Përfaqësues të Bashkimit Evropian, në anën tjetër, në një përgjigje përmes postës elektronike i thanë Zërit të Amerikës se mirëpresin nismat e, siç thanë, palëve të treta për të ndihmuar normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi. “Mirëpresim të gjitha nismat në mbështetje të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Për BE-në, Shtetet e Bashkuara janë partner i rëndësishëm”, tha Nabila Masrali, zëdhënëse e Bashkimit Evropian.

Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë se ky takim mund të jetë sinjal i bashkërendimit të veprimeve ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.

 “Në këtë kohë ne kemi parë sinjale nga të dyja palët, si nga Brukseli po ashtu edhe Washingtoni, që flasin për një bashkërendim të të dyja forcave në kuadër të këtij procesi. Por, ajo çfarë për ne mbetet e rëndësishme është që nëse palët duan të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse ku do të jetë elementi i njohjes reciproke, duhet patjetër të ketë një bashkërendim dhe në tryezë të diskutimit të jenë të dyja palët”, thotë ajo.

Takimi në Shtëpinë e Bardhë me ndërmjetësimin e ambasadorit Grenell ishte planifikuar fillimisht për 27 qershor, por planet dështuan për shkak se Prokuroria e Posaçme për Kosovën me seli në Hagë, publikoi njoftimin për ngritjen e akuzave ende të pakonfirmuara ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Kadri Veseli, si të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte. Zoti Grenell tha më pas se takimi do të bëhej në një datë të ardhme.

Më 16 korrik, kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç zhvilluan takimin e parë pas 20 muajsh të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Të dy udhëheqësit diskutuan për çështjen e personave të zhdukur gjatë luftës, zhvillimin ekonomik dhe me pajtimin që të vazhdojnë bisedimet me 7 shtator.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco