'Tjetër rekord negativ i qeverisë Rama në Ditën Ndërkombëtare të Rinisë'

'Tjetër rekord negativ i qeverisë Rama në Ditën Ndërkombëtare të Rinisë'

11:32, 12/08/2020

Nga Belind Këlliçi

Qeveria Rama shënon tjetër rekord negativ në Ditën Ndërkombëtare të Rinisë.

Qeveria shqiptare kishte shansin historik këtë vit që në kuadër të mbajtjes së presidencës së OSBE-së, të ishte një zë i fortë dhe në arenën ndërkombëtare për të drejtat dhe liritë e të rinjve. Por kjo nuk ka sesi të ndodhë kur Edi Rama, në 7 vite qeverisje, ka nxitur dëshirën e më shumë se 79% të të rinjve për ta lënë një herë e mirë Shqipërinë, kur raporti i World Economic Forum rendit Shqipërinë si vendin e dytë më të keq në botë për punësimin e të rinjve, ku përditë e më shumë të rinj profesionistë, mjekë, infermierë, ekonomistë, inxhinierë IT, largohen nga Shqipëria, duke e kthyer vendin tonë në vendin e parë në Ballkanin Perëndimor për numrin e azil kërkuesve në shtetet e BE, më shumë se të gjitha vendet e rajonit të mbledhura së bashku.

Kjo nuk mund të ndodhë në një vend ku Ministria e Arsimit dhe Rinisë e ka humbur tërësisht legjitimitetin e saj, duke u kthyer në një organizatë partiake, e cila nuk i shërben më interesave të të rinjve, e mbi të gjitha, i ka kthyer institucionet e edukimit publik në streha dhune dhe abuzimi.

Për t’i vënë kapakun gjjthë këtij dështimi spektakolar, Edi Rama ka vendosur si Përfaqësuese Speciale të OSBE-së për çështjet e rinisë dhe sigurisë, asistenten e tij personale, nëpunësen politike të PS, një person pa eksperiencë sa i takon çështjeve rinore, të edukimit apo sigurisë, Kejsi Seferin.

Kanë kaluar tashmë 8 muaj që nga marrja e kryesisë së këtij institucioni dhe ende sot nuk kemi parë asnjë iniciativë promovuese për të rinjtë, asnjë nisëm konkrete për nxitjen e punësimit të të rinjve, asnjë diskutim publik për parandalimin e emigrimit të trurit dhe krahut të punës, pa përmendur këtu shansin e humbur, që si një nga vendet anëtare të OSBE me moshën mesatare më të ulët, ne të kishim një impakt sensibilizues dhe në arenën ndërkombëtare.

Ndaj le të shërbejë dita e sotme si një moment reflektimi, që të rinjtë të kuptojnë rolin e tyre vendimtar dhe potencialin që kanë për të ndryshuar Shqipërinë, duke ndryshuar së pari në mënyrë të drejtpërdrejtë të ardhmen e tyre. Shqipërinë Europiane mund dhe do ta bëjnë vetëm të rinjtë e saj.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco