Sërish rezultate false për testet/ ISHP sulmon opozitën, prokuroria hesht

Sërish rezultate false për testet/ ISHP sulmon opozitën, prokuroria hesht

14:54, 06/08/2020
A+ Aa A-

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, mjeku Bardh Spahia ka vazhduar denoncimet me fakte për një maskaradë që po bëhet në institucionet shëndetësore të shtetit me falsifikimin e rezultateve të testeve, për COVID-19.

Edhe ditën e djeshme Spahia publikoi teste të cilat dilnin ndryshe në laboratorin e QSUT dhe ndryshe në një prej spitaleve private që është lejuar për këtë procedurë, ndërkohë që është e pritshme heshtja e prokurorisë, por e pakuptueshme mos ndërhyrja e prokurorisë.

“Nën heshtjen e papërgjegjshme të qeverisë (nëse do bënin diçka do e kishin shqyer ERTV-në me video), vijojnë të na vijnë denoncime që përforcojnë dyshimet mbi cilësinë e tamponëve e kiteve të testeve për të identifikuar praninë e Covid-19 aktual ose të kaluar.
Ky rast i ri i takon një personi që ishte tamponuar dy herë për shkak se paraqiste simptoma të qarta dhe kishte familjarë të ngushtë (babain) shtruar në spitalin infektiv Covid. Dy tamponët jepnin rezultat negativ. Personi mbas rreth një muaji i është drejtuar laboratorit privat për analizë serologjike, e sic shikohet, rezulton se ka prani të antitrupave Sars-Cov2 (IgG), që konfirmojnë se ka kaluar një infeksion. Pra personi ka patur Covid, ndërsa 2 tamponët e bërë nga ISHP rezultonin negativë! Eshtë problemi i njohur i tamponëve, që japin rezultat fals!
Ky është një problem shqetësues, të cilin qeveria duhet ta sqarojë! Zonja ministre, nga janë marrë tamponët dhe kitet për testet serologjike dhe sa është niveli i rezultateve false që prodhojnë? Mungesa e transparencës ndaj qytetarëve sjell mosbesimin e tyre tek kjo qeveri, dhe ndjesinë e abandonimit e lënies në mëshirë të fatit dhe kjo është serioze! Qeveria vazhdon të ketë si strategji të vetme propagandën edhe pse nuk ka përmbushur as premtime që janë jetike: dy spitalet Covid 3 dhe 4! Të premtuara nga kryeministri e ministrja e shëndetësisë se do ishin gati për në mars njëherë e pastaj për qershorin, as nuk përmenden më. Kjo qeveri është kosto për shqiptarët në çdo ditë që kalon! Kemi përpara një situatë të panjohur të sjelljes së virusit në muajt e ardhshëm dhe e vetmja gjë që bën ministrja e shëndetësisë, përveç PPP-ve e tenderave sekretë, është t’i marrë detyrën zëdhënësve e punonjësve të shëndetit publik për të përsëritur rregulla higjiene!!!”
, ka bërë denoncimin e radhës Spahia shoqëruar edhe me fakte.

Pas deklaratës së tij reagoi edhe Instituti i Shëndetit Publik. ISHP akuzon se opozita po çorodit qytetarët dhe testet që përdoren në laboratorët e ISHP-së, janë të certifikuara.

“Testet janë të certifikuara, padituria nuk duhet të çorodisë qytetarët. Në vijim të deklaratave të bëra nga një ish deputet i Partisë Demokratike, dhe të ndara më pas në faqen e kësaj partie, Instituti i Shëndetit Publik siguron qytetarët shqiptarë, se laboratorët tanë të kryerjes së analizave PCR, janë të standarteve më të larta të cilësisë dhe sigurisë. Cilësia e punës së specialistëve të ISHP dhe testeve të përdorura në rastin e COVID-19, JANË TË ÇERTIFIKUARA!
Kitet dhe reagentët e përdorura nga ISHP janë të standarteve ndërkombëtare, prodhuar nga kompani lider në sistemet dhe reagentet bioteknologjike, të ekstraktimit dhe amplifikimit të acideve nukleike. Me këto kompani punojnë të gjitha vendet e BE-së.
Epidemiologët tanë të terrenit dhe ekspertët e shëndetit publik, si dhe ata të laboratorit të ISHP, kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë një punë të palodhur dhe shembullore, që nga dita e parë e pandemisë.
ISHP e konsideron krahasimin absurd mes analizës PCR dhe testeve serologjike, një përpjekje dashakeqe për të bërë politikë me pandeminë. Padituria në dallimin mes testit PCR, dhe analizave serologjike – të cilat nuk bëjnë diagnostikim dhe saktësia e të cilave ende po vlerësohet kudo në botë – nuk duhet të shërbejë për të çoroditur qytetarët.
ISHP hedh poshtë çdo aludim mbi punën e kualifikuar të institucionit, dhe u kujton qytetarëve se Laboratori ynë i Virologjisë është pjesë e Rrjetit Ndërkombëtar, që siguron edhe kontrollin e cilësisë së tij.
Instituti i Shëndetit Publik u bën thirrje qytetarëve që t’u referohen vetëm burimeve zyrtare të informacionit, kur duan të informohen në lidhje me ecurinë e pandemisë në vendin tonë,"
thuhet në reagim.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco