Si u nda Shqipëria në 4 rajone/ Ligji kaloi pa zhurmë në Kuvend

Si u nda Shqipëria në 4 rajone/ Ligji kaloi pa zhurmë në Kuvend

12:44, 06/08/2020
A+ Aa A-

Në seancën e datës 29 korrik, mes 13 akteve që u kaluan në Kuvend (11 projektligje dhe 2 akte normative), deputetët ngritën kartonët jeshilë edhe për ligjin “Për zhvillimin rajonal dhe kohezionin”.

81 vota pro, 9 kundër dhe 3 abstenim mori ky ligj që javën e shkuar, kur i gjithë debati politik ishte përqendruar në ndryshimet kushtetuese për hapjen e listave dhe që për këtë arsye kaloi në qetësi dhe pa shumë debat politik.

Ligji në fjalë, me gjithë mungesën e debatit politik, normon një fushë shumë të rëndësishme në veprimtarinë e vendit, duke e ndarë Shqipërinë në 4 rajone zhvillimi.

Në relacionin shoqërues të ligjit thuhet se ligji është vijim i reformës administrative që u ndërmor në vitin 2014 dhe se pritet që të nxisë përdorimin e qëndrueshëm të burimeve e zhvillimit territorial, si dhe synon një zhvillim të balancuar. Me këtë qëllim, kriteret që janë përdorur për të ndarë vendin në 4 rajone zhvillimi janë ekonomikë, të nxitjes së prodhimeve vendëse.

“Ligji synon të përcaktojë instrumente për zhvillimin rajonal dhe kohezionin në Republikën e Shqipërisë, duke siguruar nxitjen e zhvillimit të balancuar ekonomik, shoqëror e kulturor rajonal, të sigurojë që autoritetet politikëbërëse të bashkërendojnë veprimtaritë e tyre planifikuese për të nxitur planifikimin e harmonizuar e të integruar të rajoneve, të sigurojë harmonizimin e strategjive sektoriale në një politikë të përbashkët zhvillimore rajonale, duke e mbështetur atë edhe me buxhetin përkatës”, thuhet në relacionin shoqërues të ligjit.

Ndërsa në nenin 4, pikën 3 të ligjit theksohen kriteret mbi të cilat bëhet ndarja e një rajoni. “Rajonet e zhvillimit përcaktohen si njësi territoriale, që përfshijnë disa njësi të vetëqeverisjes vendore, duke konsideruar: a) vendndodhjen dhe pozicionin gjeografik të tyre; b) karakteristikat e zhvillimit socio-ekonomik; c) numrin e popullsisë; ç) perspektivën e zhvillimit ekonomik”, thuhet në ligj.

Hartimi dhe më pas miratimi i këtij ligji nga maxhoranca me mbështetjen e opozitës parlamentare është ngritur mbi tri shtylla kryesore synimesh, siç janë: ndalimi i shpopullimit, ulja e papunësisë te të rinjtë dhe zvogëlimi i pabarazive, shkruan Panorama.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco