Meta thirrje qeverisë: Rrit buxhetin për shëndetësinë si dhe shto ambientet e terapisë intensive ….

Meta thirrje qeverisë: Rrit buxhetin për shëndetësinë si dhe shto ambientet e terapisë intensive ….

20:06, 05/08/2020
A+ Aa A-

Presidenti Meta I ka bërë thirrje edhe njëherë qeverisë të rrisë pa u vonuar buxhetin për shëndetësinë, duke parë gjendjen e rëndë të situatës së pandemisë në vend.

‘Duke ju shprehur ngushëllimet më të ndjera të gjitha familjeve që kanë humbur të dashurit e tyre, si dhe duke ju uruar shërim sa më të shpejtë të gjithë qytetarëve të prekur nga COVID-19, shpreh solidaritetin tim të plotë me ta dhe të afërmit e tyre, si edhe me të gjithë personelin mjekësor, që është duke u shërbyer me profesionalizëm dhe përkushtim maksimal, të cilët i falenderoj me mirënjohje për sakrificat dhe devocionin e jashtëzakonshëm që po dëshmojnë prej muajsh.

Vlerësoj angazhimin dhe masat e marra deri tani nga institucionet përgjegjëse shtetërore kundër përhapjes së kësaj pandemie të rrezikshme, por ritmet tepër shqetësuese nga dita në ditë të shtimit të rasteve të qytetarëve të prekur dhe numrit të viktimave, shtrojnë nevojën jetike të angazhimit të të gjitha strukturave shtetërore me forca tepër të kualifikuara njerëzore dhe shkencore, veçanërisht me eksperiencë në fushën e epidemiologjisë dhe të higjienës, qofshin jashtë shërbimit aktiv, si dhe mobilizimin e një numri më të madh të reanimatorëve dhe personelit infermier në ndihmë të tyre.

Përsëris me forcë thirrjen drejtuar qeverisë për të shtuar buxhetin e sektorit të shëndetësisë, dhe marrjen pa vonesa të të gjitha masave për shtimin e ambienteve të terapisë intensive, për më shumë pajisje dhe gjithçkaje të domosdoshme që duhet për trajtimin e të prekurve.

Asgjë tjetër nuk është e rëndësishme se jeta e qytetarëve!

Çdo qytetar duhet të jetë i ndërgjegjshëm në zbatimin e udhëzimeve publike, për mbajtjen e maskave, respektimin e distancimit fizik dhe higjienë maksimale, pasi nënvleftësimi më i vogël, jo vetëm rrezikon shëndetin dhe jetën e tij, por edhe të fëmijëve, të prindërve, të gjyshërve, të fqinjëve dhe të miqve të tij.

Është tepër e rëndësishme, veçanërisht në kushtet kur ndodhemi në pikun e sezonit turistik, të tregojmë përgjegjshmëri dhe bashkëpunim maksimal.

Vetëm në këtë mënyrë dhe falë një solidariteti mbarëkombëtar do t’ia dalim për të tejkaluar me pasoja sa më të lehta këtë pandemi të rrezikshme duke mos lejuar përshkallëzimin e mëtejshëm të përhapjes së saj.

Së bashku për të mbrojtur shëndetin e çdo qytetari!

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco