Analisti: Kushtetuta ndryshohet vetëm nga përfaqësuesit e popullit

Analisti: Kushtetuta ndryshohet vetëm nga përfaqësuesit e popullit

19:55, 15/07/2020
A+ Aa A-

Nga Ervis Iljazaj*

Ajo që ka ndodhur me rendin kushtetutes shqiptar në vitet e fundit nuk ka precedent në asnjë vend tjetër të botës. Nuk mund të gjesh vënd tjetër ku mungon Gjykata Kushtetutese për pothuajse katër vite, ku praktikisht  shteti shqiptar gjendet prej vitesh pa një sistem të pushtetit gjyqësor, apo me një sistem të pjesshëm. Cilado të jetë arsyeja, nuk e justifikon aspak këtë mungesë në arkitekturën e një shteti normal. Sepse, pa Gjykatë Kushtetuese nuk garantohet ndarja e pushteteve, nuk kufiziohet pushteti i mazhorancës, i cili është thelbësor për një demokraci funksionale. Ndërsa pa pushtet gjyqësor, nuk garantohent ë drejtat dhe liritë themelore të njeriut. Në këtë kuptim, është vështirë t'i gjesh një emër se në çfarë regjimi politik është ushtruar pushteti gjatë viteve të fundit, pasi nuk ekziston asnjë precendet tjetër në këto kushte.

Edhe në vende autokratike të gjitha këto elementë ekzistojnë. Qoftë edhe formalisht garantohet përfaqësimi, ndarja e pushteteve apo elementë të tjerë që përbëjnë shtet -ndërtimin.

Sikur të mos mjaftonin këto, Shqipëria gjendet tashmë dhe pa opozitën përfaqësuese në parlament, duke e kthyer kështu në një institucion me dyshime të mëdha legjitimiteti.

Rasti shqiptar, me “opozitën e re”, është një rast që nuk e gjen në asnjë vend tjetër. Zotërinj deputetë të “opozitës së re” miratojnë çdo javë ligje, reforma apo propozojnë amendamente, të cilat kthehen në veprime të detyrueshme të shoqërisë shqiptare.

Ky paradoks ka arritur kulmin me propozimet nga ana e opozitës parlamentare për të ndryshuar Kushtetutën, ose ndryshe kontratën sociale të shqiptarëve, e cila është akti më i madh i shprehjes së konsensusit nëpërmjet delegimit të sovranitetit te përfaqësuesit e qytetarëve.

Ndër të tjera, me një propozim absurd, sic është ai i ndalimit të koalicioneve zgjedhore, duke i hequr kështu një drejtë natyrore forcave politike të ndryshme që kërkojnë të fitojnë votën e qytetarëve për të qeverisur vëndin. Por përtej këtij propozimi absurd, që vjen në rastin më të mirë nga padituria dhe në rastin më të keq nga keqpërdorimi i tyre, ajo që është e papranueshme, është fakti se njerëz që nuk përfaqësojnë askënd, kanë guximin dhe pretendimin se mund të ndryshojnë dokumentin themelues të një shoqërie politike.

Në emër të kujt deputetët e “opozitës së re” ngrenë kartonin për të aprovuar ligje dhe reforma?

Cila pjesë e shoqërisë shqiptare u ka deleguar sovranitetin deputetëve të “opozitës së re”?

E vërteta është se, deputetët e “opozitës së re” nuk përfaqësojnë asnjë qytetar të vetëm të shoqërisë shqiptare, dhe absurdi më i madh është pikërisht fakti se në emër të tyre aprovojnë ligje, diskutojnë për sistemin, për reformën zgjedhore apo reforma të tjera.

Përse deputetët e “opozitës së re” nuk kanë zhvilluar asnjë takim me elektoratin e tyre apo me ata që pretendojnë se i përfaqësojnë?

Madje, opinioni publik shqiptar as nuk e di fare se nga cila zonë elektorale vijnë deputetët e “opozitës së re”, pasi asnjë nga këta deputetë, që nga koha që kanë marrë mandatin, nuk kanë shkuar asnjë vizitë të vetme në zonat e tyre. Për një arsye shumë të thjeshtë, sepse nuk përfaqësojnë askënd dhe kjo është çudia e madhe që po ndodh me Parlamentin shqiptar në këto kohë.

Sigurisht, deputetët e “opozitës së re” mund të jenë deputetë kushtetues, por kurrsesi përfaqësues, aq më tepër me këtë sistem zgjedhor që kemi, ku njerëzit votojnë për partitë dhe jo për deputetët. I mirë apo i keq është një tjetër diskutim, por për sa kohë e kemi, duhet ta zbatojmë. Dhe partitë politike që u mandatuan si opozita shqiptare më 25 qershor, janë Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim.

Prandaj, “opozita e re” nuk është asgjë tjetër veçse një instrument politik i krijuar në laborator, i cili është duke u hequr shqiptarëve të drejtën e përfaqësimit politik dhe ushtrimin e sovranitetit të tyre. Është duke u hequr vendimeve të Parlamentit bazën e legjitimitetit që gjendet te përfaqësimi. Sigurisht, e gjithë kjo anomali shqiptare, ka ardhur  si pasojë e djegies së mandateve të atyre që u votuan për të përfaqësuar qytetarët. Megjithatë, fakti mbetet.

Në këtë kontekst, rrezikojmë vërtetë që Kushtetuta e Shqipërisë të ndryshohet nga njërëz të cilët nuk pëfaqësojnë askënd. Përtej debateve për lista të hapura ose jo, koalicioneve ose jo, ajo që është e rëndësishme të theksohet, është fakti se, Kushtetuta e një vendi ndryshohet vetëm nga të gjithë përfaqësuesit e popullit, ose nga populli vetë. Rrugë tjetër nuk ka. /Gazeta Liberale

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco