Kosova i kërkon Shqipërisë, pezullimin e taksës në Rrugën e Kombit

Kosova i kërkon Shqipërisë, pezullimin e taksës në Rrugën e Kombit

08:49, 14/07/2020
A+ Aa A-

Qeveria e Kosovës i ka kërkuar dje, Qeverisë së Shqipërisë, pezullimin e taksës në Rrugën e Kombit për të gjithë qytetarët e Kosovës deri më 15 shtator dhe ka marrë premtimin se kjo çështje do të ngrihet në mbledhjen e ardhshme të Këshillit të Ministrave.

Lajmin e ka bërë të ditur, Zv.Kryeministrja e Kosovës, Albulena Balaj Halimaj. Në një shënim në Fb, znj. Balaj shkruan:

"Sot pata kënaqësinë ta takoja në Tiranë, zv/kryeministrin e Shqipërisë, Erion Braçe, me të cilin biseduam për organizimin e mbledhjes së dy qeverive që pritet të mbahet në muajin shtator në Shkodër.

Në këtë takim kam kërkuar nga zv/kryeministri Braçe që Qeveria Shqiptare t'i shqyrtojë të gjitha mundësitë për pezullimin e taksës në Rrugën e Kombit për të gjithë qytetarët e Kosovës deri më 15 shtator.

Po ashtu kam kërkuar që brenda këtij muaji të eliminohen të gjitha barrierat që po pamundësojnë jetësimin e plotë të marrëveshjeve të arritura më herët siç është pika doganore e Kosovës në Durrës, unifikimi i kodit doganor, njohja e dokumentacioneve reciproke për eksport dhe import, si dhe kërkesën e Odës së Farmacistëve të Kosovës për listën e çmimeve të barnave.

Falënderoj zv/kryeministrin Braçe i cili u zotua se çështjen e taksës në Rrugën e Kombit do ta ngrisë në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë së Shqipërisë, si dhe shprehu angazhimin e tij dhe vullnetin e shprehur në realizimin e plotë të të gjitha marrëveshjeve të arritura mes dy vendeve.

Unë me kënaqësi do t'i vazhdoj projektet e nisura në kohën e koordinatorit kombëtar të dy qeverive, z. Fatmir Limaj dhe gjithë përkushtimi im do të jetë në funksion të jetësimit të plotë të të gjitha marrëveshjeve të arritura më herët dhe marrëveshjeve të reja mes dy vendeve që për qëllim kanë lehtësimin e jetës së qytetarëve andej e këndej kufirit."

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco