PD: Nga garancia sovrane përfituan 10 kompanitë e koncesioneve

PD: Nga garancia sovrane përfituan 10 kompanitë e koncesioneve

11:43, 13/07/2020
A+ Aa A-

Partia Demokratike denoncoi sot se nga skema e garancisë sovranë kanë përfituar një grusht oligarkësh.

"Braktisen qytetarët dhe bizneset, gjithçka në shërbim të oligarkëve," tha ish-deputetja Jorida Tabaku. 

"10 kompanitë e koncesioneve, klientë të Edi Ramës, janë përfituesit më të mëdhenj të garancisë sovrane që mbulohet nga taksat e shqiptarëve," tha ajo. 

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, JORIDA TABAKU

Kryeministri në ikje e ka vënë çdo gjë të ekonomisë së vendit në funksion të një grushti oligarkësh. Ata përfitojnë gjithçka, ndërsa qytetarët dhe bizneset e tjera janë lanë të vetëm në përballjen me krizën ekonomike më të rëndë të 20 viteve të fundit. 

Pasi i izoloi dhe mbylli bizneset për tre muaj me radhë pa u dhënë as ndihmën e merituar, ndryshe nga vendet e rajonit, qeveria refuzon edhe sot e kësaj dite t’i mbështesë siç duhet financiarisht. 

Nën presionin e një krizë të dyfishtë ekonomiko-shëndetësore, Rama vazhdon të kujdeset posaçërisht duke mbrojtur 10 oligarkët e tij, me të cilët ka plaçkitur Shqipërinë dhe taksat e shqiptarëve për 7 vite rresht. Sipas të dhënave të paraqitura dhe nga një hetim i thelluar nga BIRN rezulton se 50% e kredive të miratuara nga fondi i garancisë, u përkasin të dyshuarve të përhershëm, oligarkëve.

Kreditë e miratuara nga bankat e nivelit të dytë, si pasojë e Fondit të Garancisë Sovrane kapin vlerën e 3.9 miliardë lekësh. Nga të cilat 10 kompani që kanë koncesionet kryesore në Shqipëri kanë përfituar 2 miliardë lekë apo rreth 50% të totalit të këtyre kredive. 

Por ndërsa oligarkët e PPP-ve përfitojnë nga kjo garanci sovrane, sipërmarrje si fasoneritë apo hoteleri turizmi që u detyruan te largonin me qindra punonjës nga puna nuk kanë përfituar asgjë. 

Kjo, nuk është rastësi, pasi Edi Rama që prej ditës së parë të pushtetit ka pasur një qëllim - të jetë në funksion të një pakice. Prandaj sot, shumica e qytetarëve të vendit e gjejnë veten më të varfër se sa dje, sipërmarrja e ndershme e gjen veten ose peng të gjobëvënësve tatimorë në prag falimenti, ose ul qepenat.

Disa herë në mënyrë të përsëritur Partia Demokratike kërkoi që të pezullohen pagesat prej 120 mln euro për PPP. Edi Rama jo vetëm që i pagoi ato për çdo ditë në kulmin e pandemisë, por ndërsa mijëra qytetare humbën dhe po vazhdojnë të humbasin vendet e punës, kryeministri në ikje po i shndërron të njëjtët përfitues edhe në përfituesit kryesor lë të garancisë sovrane, që mbulohet me paratë e taksapaguesve. 

Sot ekonomia shqiptare po përjeton një nga periudhat më të vështira të 20 viteve të fundit. Të ardhurat në buxhet mungojnë, borxhi është rritur, bizneset po falimentojnë masivisht dhe janë lënë jetimë nga qeveria. Atëherë kur duhet më shumë, qeveria zgjedh sërish të jetë me pakicën. 

Të gjitha raportet ndërkombëtare e cilësojnë qeverinë shqiptare si shkaktare të kësaj krize. Qartësisht Rama punon vetëm për dy grupe: kriminelët dhe oligarkët. Prandaj Edi Rama bën gjithçka qe Shqipëria të mos dalë nga kthetrat kriminalo-korruptive të tij. Shqipëria nuk mund të jetë pengu i një njeriu të kapur në kurthin e pushtetit kriminal dhe korruptiv.  

Të gjitha sondazhet tregojnë se Edi Rama është pakica. Shumica dërrmuese e shqiptarëve kanë zgjedhur ndryshimin dhe duan një qeveri normale që i shërben shumicës së heshtur dhe punëtore duke i dhënë përgjigje pakicës që vjedh dhe shurdhon shqiptarët me propagandë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

vjollca13/07/2020 12:28

Jepe listen e kompanive,nuk ka pse te jete sekret.

Shto koment

Denonco