Socialistët lezhjanë të pakënaqur me drejtimin politik të Lleshajt

Socialistët lezhjanë të pakënaqur me drejtimin politik të Lleshajt

16:54, 09/07/2020
A+ Aa A-

Pak muaj përpara zgjedhjeve të përgjithshme elektorale, në selinë rozë duket se kanë dalë përplasjet e para.

Socialistët e Lezhës janë shfaqur të pakënaqur me drejtimin politik të Sandër Lleshajt dhe këtë ja kanë bërë të ditur edhe vetë kryesocialistit.

Burime shumë konfidenciale i thanë A2 se në takimin e Ramës me kryebashkiakët, si shembull i këtyre pakënaqësive, është sjellë qasja e Lleshajt ndaj kryetarit të degës së Mirditës, Pjetër Pjetri, që duket se nuk preferohet nga ministri i deleguar nga Kryesia socialiste.

Lleshaj nuk njeh vlefshmërinë e votës përmes së cilës u zgjodh Pjetri në krye të degës dhe për këtë socialistët e Mirditës janë ankuar para Ramës.

Lleshaj duket se është futur në konflikt jo vetëm me bashkinë e Mirditës, por edhe me bashkitë e tjera të qarkut të Lezhës, çka ka sjellë pakënaqësi në bazë.

E ripërsëritur është përplasja e ministrit të Brendshëm me kryetarin e Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, mes të cilëve nuk kanë munguar as debatet publike mbi kompetencat e secilit në menaxhimin e territorit.

Kryesocialisti Rama ka dalë shpesh në mbrojtje të ish-gjeneralit. Hera e fundit ishte dy javë më parë në Parlament kur Lleshaj u akuzua për situatën e krimit.

Por, këtë herë Edi Rama nuk ka qenë në mbështetje të Sandër Lleshajt, ai ka përkrahur drejtuesit vendorë.

I gjendur përballë shqetësimit të socialistëve të Mirditës, Kryeministri ka qenë i prerë. ‘Kush i ka thënë Sandrit ta heqë, kryetari i degës do të vazhdojë punën’, citohet të ketë thënë Rama.

Me situatën e krijuar në qarkun e Lezhës, burimet thonë se Kryesia socialiste mund të vendosë ta heqë ministrin e Brendshëm nga drejtimi politik i qarkut, i cili përpara tij i ishte besuar Lindita Nikollës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco