Si u lirua ish-kryebashkiaku socialist një ditë pas arrestimit

Si u lirua ish-kryebashkiaku socialist një ditë pas arrestimit

22:12, 08/07/2020
A+ Aa A-

Gjykata e Apelit në Tiranë vendosi të heqë masën e sigurisë “arrest me burg” për ish-kryebashkiakun e Vorës Agim Kajmaku duke e zëvendësuar atë me “detyrim paraqitjeje” në datë 8 korrik, vetëm 24 orë pasi ky i fundit u shpall nga policia i arrestuar në një spital privat ku po kurohet.

Trupa gjykuese e përbërë nga Elona Toro kryesuese dhe Zegjine Sollaku e Elbana Lluri anëtare, me kërkesë të Kajmakut, vendosi ndryshimin e vendimit të shkallës së parë dhe zëvendësimin e masës së sigurisë nga “arrest në burg” në “detyrim për t’u paraqitur pranë policisë gjyqësore”.

Në vendim, treshja gjykuese e Apelit të Tiranës urdhëron edhe lirimin e menjëhershëm të Agim Kajmakut i cili u ndalua një ditë më parë.

Policia e Tiranës njoftoi të martën arrestimin e ish-kryetarit të Bashkisë së Vorës, Agim Kajmaku në një spital privat në Tiranë ku po trajtohej për probleme shëndetësore. Kajmaku ishte shpallur në kërkim prej nëntorit 2019, pas akuzave të ngritura për falsifikimin e formularit të dekriminalizimit si dhe kryerjen e funksionit edhe pas shkarkimit.

Prokurorja e çështjes është Arta Marku. BIRN nuk arriti të kontaktojë Markun për koment. Partia Demokratike në opozitë akuzoi qeverinë se ka organizuar një komplot për të arrestuar Kajmakun në spital për 24 orë para se gjykata e apelit ta lironte.

“Policia bëri dje sikur e arrestoi papritur, pas një gjoja arratisje 7 mujore, ndërsa drejtësia, nën diktatin e qeverisë, e liroi sot nga burgu. Gjithçka ishte llogaritur,” deklaroi Gazmend Bardhi nga PD.

Prokuroria e Tiranës njoftoi më 16 janar se kishte marrë të pandehur ish-kryebashkiakun e Bashkisë së Vorës, i shkarkuar për shkak të ligjit të dekriminalizimit, për dy akuza falsifikimi si dhe një akuzë të tretë për “kryerje të funksionit pas dhënies fund të tij”.

Kajmaku u zgjodh kryebashkiak i Vorës në zgjedhjet e bojkotuara nga opozita më 30 qershor 2019. Partia Demokratike e denoncoi atë si një person që ishte shpallur në kërkim në Greqi nën emrin Jorgo Toto dhe nuk kishte shkelur në këtë vend që nga viti 2003 për shkak të akuzës për përdorim kartëmonedhash të falsifikuara. Kajmaku me këtë rast kishte shkelur ligjin shqiptar për dekriminalizimin, i cili konsideron si vepër penale mosdeklarimin e problemeve të tilla me drejtësinë. Më 1 nëntor 2019, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli Kajmakun të shkarkuar nga posti i kryebashkiakur ndërsa policia e shpalli atë në kërkim më 11 nëntor pasi rezultoi se ai kishte marrë vendime për shkarkim nënkryetarësh pasi kishte mësuar shkarkimin nga detyra.

Kajmaku është kryebashkiaku i disatë socialist që përballet me probleme edhe pse i fitoi zgjedhjet pa garë. Më herët, i zgjedhuri socialist për bashkinë Shkodër Valdrin Pjetri u detyrua të tërhiqet pasi u zbulua se ishte dënuar për trafik droge në Itali.

PD ka denoncuar ndërkohë edhe kryebashkiakun e Vaut të Dejës Mark Babani, i cili mohon akuzat. Sipas PD-së, ky person është arrestuar në Sicili nën emrin Marq Babaj për vjedhje dhe atë të Mallakastrës, Qerim Ismailaj për fshehje dënimi me burg në Greqi./BIRN

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Alfons Malo09/07/2020 09:56

"Betohem" tha arta marku NE MES TE TYMITE E ZJARRIT NE PARLAMENT se do te zbatoje deri ne nje vendimet e partise e te shokut edi rama me çdo menyre e mjet pavaresisht se ç'thote ligji une zbatoj ate te ligjit .E tha arta ,rresht grate e gjykates se apelit.Kjo eshte drejtesia qe duam thote rama e pason Juri kim

Shto koment

Denonco