Panariti: Bujqësia pa mbështetje është drejt falimentimit

Panariti: Bujqësia pa mbështetje është drejt falimentimit

13:22, 07/07/2020
A+ Aa A-

Ish deputeti i LSI-së Edmond Panariti në një deklaratë për mediat deklaroi se bujqësia është pa mbështetje nga qeveria dhe se është drejt falimentit.

Ai ka përsëritur premtimin e opozitës për një fon prej 100 milionë për bujqësinë për ta bërë konkurruese si dhe rimbursim të TVSH-së në masën 100%.

Ja deklarata e plotë e ish-ministrit të Bujqësisë, Edmond Panariti

Mirdita !

Në këtë komunikim me ju sot, dëshiroj të tërheq vëmendjen mbi rrezikun e falimentit të bujqësisë. Mbi rrezikun, e rrënimit të sektorit që mban me punë dhe siguron jetesën e gjysmës së popullit.

Është e braktisur bujqësia, e cila jep 20 përqind të prodhimit të përgjithshëm të Shqipërisë por merr më pak se 0,1 përqind nga sa jep.

Bujqësia është e vetmi sektor i ekonomisë që mbeti i pa financuar gjatë pandemisë së koronavirusit.

U lanë pa mbështetje dhe pa para fermat dhe fermerët si në asnjë vend tjetër në rajon dhe Bashkimin Evropian.

Nuk u mbështet bujqësia, pavarësisht se ajo u paralizua dhe vazhdon të jetë në ngërç nga mbyllja e tregjeve dhe bllokimi  i transportit për prodhimet e saj.

Prandaj, prodhimi vendas po falimenton!

Prodhimi bujqësor është ulur janë rritur importet, dhe ka rënë në minimum historik numri i krerëve të blegtorisë duke u pakësuar me 20 përqind .

Për rrjedhojë bujqësia sot, prodhon me kosto të larte dhe në mënyrë jo konkurruese.

Vetëm një nga katër aplikime të fermereve për financim nga skemat mbështetëse kombëtare, sot plotësohet .

Këtë vit nga 4814 aplikime për subvencion të blegtorisë janë miratuar vetëm 1714 prej tyre. Pra vetëm një në katër.

Jo më larg se tre vite më parë në vitin 2017 të gjitha aplikimet për blegtorinë u pranuan dhe u financuan.

Edhe për prodhimin e serave këtë vit, nga 714 aplikime janë miratuar vetëm 225, pra edhe këtu kemi katër herë më pak mbështetje nga sa janë kërkesat.

Për rrjedhojë nga kosto e lartë e prodhimit,  nuk ka treg dhe nuk ka shitje dhe nuk ka të ardhura.

Nuk ka investime në bujqësi dhe qeveria po pret shirita dhe përuron vepra të realizuara katër vite më parë.

Nisur nga gjendja e rëndë e sektorit, e përkeqësuar edhe më shumë nga koronavirusi dhe pandemia.

Opozita e bashkuar dhe LSI është e bindur se pa u mbështetur me të paktën 100 milionë euro, sektori nuk mund të kthehet në konkurues dhe do të rrudhet edhe më tej.

Këto fonde duhet dhe do të shkojnë kryesisht si pagesa të drejtpërdrejta të fermerët për çdo njësi produkt shqiptar të prodhuar, do të përdoren për mbështetje me para në dorë të blegtorëve për çdo kokë bagëti të mbarështuar, do të shkojnë për mbështetje të drejtpërdrejtë për çdo dynym apo hektar tokë të punuar dhe të mbjellë.

Ashtu siç veprohet në BE, ashtu siç veprohet në vendet e rajonit. Këte kërkon edhe bujqësia jonë.

Kjo është e vetmja rrugë për të ulur kostot në mënyrë që, fermat dhe fermerët, të mund të mbahen më këmbë dhe të mos falimentojnë siç po ndodh.

Që shqiptarët dhe veçanërisht të rinjtë të mos emigrojnë dhe shkretojnë vendin.

Dhe sigurisht të mbrojmë prodhimin vendas nga konkurenca e paligjshme dhe e pandershme.

Sepse ,vetëm kur prodhimi dhe prodhuesi vendas të gëzojë mbështetje të barabartë me konkurentet e tij të huaj, vetëm atëhere mund të flasim për treg dhe konkurim të hapur të lirë dhe të ligjshëm.

Përndryshe, kalbet dhe flakët domatja e vendit ndërkohë që në markete gjen vetëm salce domatesh importi.

Përndryshe kalbet dhe flakët patatja e vendit, ndërkohë që në tregje dhe markete gjen vetëm pure patate dhe patatina importi.

Mos mbështetja dhe braktisja e blegtorise, ka sjellë si pasojë prodhimin e qumështit vendas me kosto mbi 30% më të lartë se ai i fqinjëve.

Prandaj, fabrikat e përpunimit nuk e blejnë më qumështin e fermerit tonë por preferojnë ta importojnë atë.

Fermat po mbyllen dhe bagëtitë po eliminohen.

Barinjtë po i kyçin stanet sepse nuk arrijnë t’i shesin qingjat dhe kecat e tyre ngaqë nuk përballojnë kostot e mbarështimit dhe transportit .

Ata po falimentojnë nga mbyllja e detyruar dhe abuzive e tregjeve dhe pikave lokale të grumbullimit dhe përpunimit të mishit dhe qumështit, në favor të të mëdhenjve.

 Ndërsa tufat tona po mpaken vazhdojmë te importojmë bageti nga rajoni.

LSI kërkon të rikthehet ashtu siç ka qenë rimbursimi i plotë i TVSH për prodhimin vendas dhe jo vetem 6% siç ka degraduar tani.

Sepse  vetëm nga ky mos rimbursim, prodhimi vendas del me kosto 14 përqind më të lartë së prodhimi i huaj dhe bashkë me çmimet e larta të inputeve bujqësore në tërësi ai prodhohet 30 përqind më shtrenjtë se importet.

Është koha për veprim.

Nëse nuk kthehet vëmendja dhe nuk ndalet rrënimi i bujqësise dhe i fshatit, falimenton ekonomia dhe zbrazet Shqipëria.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

tirana07/07/2020 18:40

Ky zotnia e kishte 4 vjet ne dore bujqesine shqiptare dhe nuk e boni dot as sa gjysma e paraardhesve te tij....???!!! Tani na vjen perseri e na hiqet si esnaf dhe i ditur ..... Duket se i ka shkuar mendja edhe nje here per kolltukun e rehatshem qe kishte ne vitet 2013 - 2017 minister bujqesie ....., kur shkarkoi nga puna per motive politike pa ju dridhur syri nje pjese te mire te administrates bujqesore paraardhese , e cila pat hedhur bazat e politikave subvencionuese qe prej viteve 2007 e ne vazhdim ..???!!!

Shto koment

Denonco