Shteti i dorëzuar para Covid-19/ Shifra rekord vdekjesh për një javë

Shteti i dorëzuar para Covid-19/ Shifra rekord vdekjesh për një javë

14:24, 03/07/2020

Vendi po shënon ditë pas dite shifra rekord infektimesh dhe vdekjesh nga koronavirusi. Vetëm në 24 orët e fundit janë shënuar 3 viktima: një 57-vjeçar nga Shkodra, një 65-vjeçar nga Tirana dhe një 76-vjeçar nga Durrësi duke e çuar në 21 numrin e të vdekurve në javën e fundit (nga 72 gjithsej).

Edhe numri i të prekurve po rritet dita-ditës duke arritur sot në 90. E çuditshme është se këta 90 janë konstatura vetëm pas zhvillimit të 362 testimeve, çka lë të mendohet se shifra është shumëfish më e lartë. Nga informacionet e Lapsi.al, tamponët vazhdojnë të bëhen me kursim dhe në disa raste nuk i bëhen as bashkëjetuesve të personave që kanë rezultuar më parë si pozitivë.

Një lloj alarmi është krijuar edhe midis mjekëve të Spitalit Infektiv në Tiranë ku vendet e shtrateve po shkojnë drejt ezaurimit.

Aty aktualisht po trajtohen 80 pacientë, 8 prej tyre janë në terapi intensive, ndërsa 1 është i intubuar. Ndërsa po merr trajtim spitalor edhe një fëmijë dymuajsh, rasi i parë i hospitalizuar, i prekur nga Covid-19 nën kujdes nga stafi i pediatrisë infektive, në gjendje të stabilizuar bashkë me nënën. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, mosha e të prekurve është ulur ndjeshëm dhe ajo ka arritur në 45 vjeç.

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu tha gjatë një interviste në emisionin “Opinion” se ka pacientë të moshës 30-45 vjeç, që po shfaqin simptoma të rënda nga COVID. “Sëmundja ka prekur në masën më të madhe moshat mbi 67 vjeç, por me simptoma të rënda ka edhe raste të reja nga 30 deri në 45 vjeç”, tha Manastirliu.

Pikërisht për këtë Ministria e Shëndetësisë ka bërë bën apel për më shumë kujdes.

“Kur dilni, qëndroni në distancë fizike prej të paktën 1.5 metër, lani shpesh duart, përdorni maska ose barriera mbrojtëse, dezinfektoni objektet dhe ajrosni ambientet ku qëndroni. Në rast se dyshoni se jeni i prekur nga Covid19 apo keni patur kontakte me persona të prekur, izolohuni. Në rast se keni shenja të sëmundjes, telefononi në numrin e Urgjencës Kombëtare, 127. Telefononi në linjën e gjelbër 0800 40 40 të vendosur në dispozicion nga Ministria e Shëndetësisë për këshillim psikologjik apo çdo informacion për Covid19” mbyllet apeli.

Megjithëatë ajo që nuk kuptohet është fakti se përse kur gjendja është më keq se në mars kur u mbyllëm dhe kur u izoluam, kur kryeministri dilte përditë në Facebook, kërcënonte me gjoba dhe burg, pra tani që kemi më shumë raste dhe vdekje, masat janë ulur krejtësisht, lokalet dhe baret nuk i zbatojnë ato dhe shteti është dorëzuar nga mbrojtja e qytetarëve. Edhe gazeta Tema që mbështet politikat qeveritare vërente sot në editorialin e saj se: “Të kaluarit nga ekstremi i mbylljes totale, në hapje totale me papërgjegjësi, është krim ndaj sakricës tre mujore që kemi bërë dhe një rrezik i shumëshuar për të ardhmen. E njëjta gjë duhet të vlejë dhe për zyrat e shtetit apo etikën e sjelljes në publik, të zyrtarëve të shtetit” shkruante Mero Baze.

Ndërsa në Facebook-un e Ramës, prej nga na kallej data disa javë më parë, tani nuk gjen më asnjë fjalë për koronavirusin. Me sa duket qeveria ka kaluar nga izolimi maksimal në politikat e diskutueshme të “imunitetit të grupit”, sipas të cilave kush e ka për risk të vdesi, le të vdesi./Lapsi

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

qytetar03/07/2020 19:24

Nuk është raportuar asnjëherë nëse numuri i testimeve përfshin edhe testimet e përsëritura. Përmendet vazhdimisht numuri i të shëruarve, po nga mund të diktohen "të shëruarit" nëse nuk janë ritestuar e kanë dalë negativ ? Ka edhe diçka tjetër të pakjartë në këto statistikat për pandeminë, e kjo jo vetëm për Shqipërinë por kudo në botë. Thuhet se nga numuri i përgjithshëm i të infektuarve aktualisht "janë shëruar" gjysma e më shumë e tyre, por tashmë është bërë e kjartë për të gjithë se një përqindje e madhe e të infektuarve e kalojnë "infektimin" pa asnjë simptome apo shenjë sëmundje. Derisa nuk janë sëmurur asnjë ditë, përse numërohen si të shëruar kur është pranuar gjithashtu se testet jo gjithmonë janë të sakta ? Në raportimin e numurit të viktimave, shifrat janë akoma më kaotike. Në Shqipëri konsiderohen se kanë ndruar jetë nga Covid 19, vetëm ata që kanë qenë shtruar në infektiv, e bile nja katër pesë raste edhe nga këto, në fillim të qershorit, vendoste "udhëheqja" nëse janë viktimë e virusit apo nga sëmundjet e tjera kronike. Rusia ndonëse hyn në vendet me numurin më të madh të të infektuarve, ka numurin më të ulët të vdekjeve, pasi janë deklaruar si të vdekur nga virusi vetëm ata që nuk kanë pasur sëmundje të tjera. Ka edhe paradokse të tjera raportimesh nga disa vende me popullsi mbi 40 miljon banorë në Adrikë, që ndonëse raportojnë se kanë bërë gjithsej vetëm disa qindra testime apo vetëm 10 teste në një milion banorë, e numurin e viktimave e kanë më të madh se të testuarve e numurin e të infektuarve dhjetëfish më të madh .. Mendoj se është pikërisht ky abuzim me shifrat, kjo mungesë e transparencës, që ka ngjallur mosbesim tek njerëzit e që e kanë humbur kujdesin duke mos zbatuar më regullat e ruajtjes nga infeksioni.

Shto koment

Denonco