Aktakuzat, Meta: S'është momenti për mosbesim ndaj aleatëve tanë perëndimorë

Aktakuzat, Meta: S'është momenti për mosbesim ndaj aleatëve tanë perëndimorë

13:37, 26/06/2020
A+ Aa A-

Presidenti Ilir Meta foli sot lidhur me aktakuzat që iu drejtuan nga Haga, Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi e kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Meta theksoi se “nuk është momenti për të ushqyer mosbesim ndaj aleatëve tanë perëndimorë, që kanë qënë dhe janë me popullin e Kosovës dhe me shtetin e pavarur të Kosovës”, teksa nuk e gjykoi Zyrën e Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë,  duke thënë se "Shqipëria nuk ka shkëlqyer në drejtësinë kombëtare që të gjykojë atë ndërkombëtare..."

“Z. Meta, a besoni edhe ju si z. Rama ju se drejtësia ndërkombëtare për Kosovën  është selektive dhe a keni pasur ju komunikime me z. Thaçi dhe me z. Veseli?” - ishte pyetja që iu drejtua Presidentit gjatë konferencës së sotme për shtyp.

Presidenti tha: “ Nuk është momenti këtu të merremi me drejtësinë ndërkombëtare, aq më tepër sa po flisnim për Raportin e ”Venecias” që tregon se nuk kemi shkëlqyer në drejtësinë kombëtare që të merremi me atë ndërkombëtare.

Miratimi i kësaj Gjykate ka qenë një akt i sforcuar por ne e dimë të gjithë shumë mirë nga të gjithë faktorët që ai është shtyrë kur në radhë të parë është vetë pala që  e shkaktoi atë luftë, atë genocid dhe s’mund të pranojë këtë realitet të ri, që ka ndihmuar kaq shumë stabilitetin e rajonit tonë siç është shteti i ri i Kosovës.

Dua të them se të gjithë drejtuesit kryesorë të UÇK që janë akuzuar - madje disa dhe në mënyrë të përsëritur - i kanë fituar të gjithë betejat me drejtësinë ndërkombëtare e të gjithë e dimë që pala që është dënuar më shumë, madje që jo vetëm është dënuar më shumë por dhe jo aq sa ç’duhet, e dimë se kush është.

E dimë ende që vrasësit e vëllezërve Bytyçi për të cilët ka një rezolutë të Kongresit Amerikan dhe të shumë institucioneve të tjera kanë dhe funksione publike. Megjithatë e theksoj është momenti për urtësi, unitet jo vetëm në Kosovë po dhe në Shqipëri e kudo dhe natyrisht nuk është momenti për të ushqyer mosbesim ndaj aleatëve tanë perëndimorë që kanë qenë dhe janë me popullin e Kosovës dhe me shtetin e pavarur të Kosovës.”

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco