VIDEO/ Berisha: Kandidatët për AMA, në shkelje flagrante të ligjit

VIDEO/ Berisha: Kandidatët për AMA, në shkelje flagrante të ligjit

16:13, 17/06/2020
A+ Aa A-

Një militant partiak do të emërohet në krye të Autoritetit të Mediave Audiovizive, organizmit rregullator për fushën e medias, në shkelje flagrante të ligjit.

Denoncimi vjen nga ish-Kryeministri Sali Berisha, i cili rendit disa fakte, sipas të cilave, kandidati i përzgjedhur për të qenë kryetar i AMA-s nuk plotëson kriteret ligjore dhe thotë se kjo është përgjigja që Rama u jep institucioneve ndërkombëtare që kanë shprehur shqetësim për lirinë e fjalës në Shqipëri, nëpërmjet raporteve të tyre.

‘Në këtë traditë ai reagon ndaj të gjitha raporteve të mësipërme, duke emëruar në krye të AMA-s, në kundërshtim flagrant me ligjet, një militant të thekur, Maklen Misha ish -kandidatin për deputet, gjë të cilën ligji e ndalon.

Ai ka qenë drejtues i G99 dhe kandidat për deputet i kësaj partie. Po kështu, ai është këshilltari i Xhaçkës, i cili, me ligj është post politik. Përveç kësaj, Maklen Misha nuk plotëson kriterin ligjor të 10 viteve punë.

Për të nxjerrë me çdo kusht Maklenin, kandidatin e zemrës, Edvini i ka vendosur edhe tre pseudorival atij, apo kallp kandidatë, të cilët njëlloj si Makleni nuk kanë 10 vite punë dhe kanë mbajtur detyra politike. Me gjithë këto, Makleni e ka te sigurt emërimin e tij nga narkoparlamenti’.

Në relacionin që Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit i ka dërguar komisionit të Medias, për të bërë përzgjedhjen e kryetarit të AMA-s, figurojnë 4 kandidatë.

I pari është Maklen Misha, i pasuar nga Edvin Kukunja, Fatjon Hoxhalli dhe Denis Dedej. Asnjëri prej tyre nuk plotëson kriterin ligjor prej 10 vitesh pune, në kuptim të ligjit.

Misha, thuhet në relacion, ka vetëm 8 vjet e 1 muaj punë sipas Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Ka mbajtur edhe detyrën e Këshilltarit të Kryetarit të Bashkisë së Tiranës apo të Zëvendëskryeministrit, por nuk përmendet fakti që në vitin 2009 ai ishte kandidat në listën shumë-emërore të partisë G99 në Korçe, siç tregohet në këtë tabelë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku ai është renditur i dyti në radhë.

Kandidati Edvin Kukunja ka 4 vite e 7 muaj pune. Ka qenë po ashtu këshilltar në Ministrinë e Arsimit dhe Drejtësisë. Kandidati Fatjon Hoxhalli, sipas relacionit, ka 6 vite pune. Ka qenë këshilltar i Zëvendëskryeministrit dhe në Ministrinë e Arsimit. Ndërsa Denis Dedej, i punësuar në Bashkinë e Tiranës dhe në Shërbimin Kombëtar i Punësimit, nuk përcaktohet se ç’detyra ka mbajtur dhe ka vetëm 7 vite e 9 muaj punë në librezë.

Relacioni përmban edhe të dhëna për anëtarët, por teksa për anëtarët saktësohet se i plotësojnë ose nuk i plotësojnë kriteret ligjore, për 4 kandidatët për kreun e AMA-s, nuk jepet asnjë konkluzion i tillë, edhe pse ata janë në shkelje të ligjit përsa i përket eksperiencës prej 10 vitesh të punës.

Me këtë mënyrë, me emërimet në shkelje të ligjit, thotë ish-Kryeministri Berisha, synohet kapja e AMA-s në mënyrë që të goditet fjala e lirë.

‘Qëllimi i këtij akti është një dhe vetëm një: kapja e institucionit të AMA-s dhe shndërrimi i tij në një gijotinë të fjalës së lirë’.

Sipas ish-Kryeministrit Berisha, me këtë rast Kryeministri Rama po shpërfill qëndrimet e Komunitetit Ndërkombëtar, si Bashkimi Europian, Këshilli i Europian, Komisioni i Venecias, Reporterët pa Kufij apo Freedom House. Përzgjedhja e kryetarit do të bëhet nga Komisioni Parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, por për shkak se kandidatet janë në shkelje të ligjit dhe nuk plotësojnë kriteret, komisioni duhet t’i rrëzojë ato dhe procedura për zgjedhjen e tyre duhet të nisë nga e para.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Tags

Komentet

Mondi17/06/2020 18:16

Shkrijeni fare ate institucion. Kot ka qene dhe kot eshte. Per nje leje per tv valor apo tv kabllor mbahet ne kembe nje institucion kot. Jepini lejet me QKB se ska nevoje per AMA.

Shto koment

Denonco