Lajmi i fundit

LIVE/ Kuvendi në seancë plenare

'Ka shkuar aty ku s’mban më'/ Basha me qytetarët në Kamëz: Zullumit po i vjen fundi...

'Ka shkuar aty ku s’mban më'/ Basha me qytetarët në Kamëz: Zullumit po i vjen fundi...

17:32, 16/06/2020
A+ Aa A-

Kryetari i PD, Lulzim Basha ka zhvilluar ditën e sotme një takim me banorët dhe bizneset në Bashkinë e Kamzës.

Gjatë takimeve me kryetarin e opozitës ata janë shprehur se ose nuk kanë marrë asnjë ndihmë nga qeveria, ose ajo është fare e pamjaftueshme, duke i lënë në mëshirë të fatit.

Bizneset dhe qytetarët pohuan se varfëria është rritur, po ashtu edhe numri i atyre që marrin ushqime me listë, ndërsa konsumi ka rënë.

“Tani s’kanë mundësi njerëzit, se janë varfëruar. Leku ka rënë”, tha një tregtar mishi në dyqanin pa klientë, ndërsa një tregtar tjetër e shikon problemin tek faturat e larta.

“Nuk blejnë njerëzit, sepse të thonë që nuk kanë lekë, lashë 80-100 mijë lekë drita thotë. Lekët e bukës, lekët e mishit i le për dritat.”

E njëjta situatë pa klientë ishte edhe në bizneset e tjera të vogla, me të cilët u takua Basha.

 “Janë shtuar ata që vijnë e marrin me listë ushqimet, vajin, sheqerin, orizin. Ka raste dhe bananet i marrin me listë me shpresën se do t’i paguajnë kur të marrin rrogën ose pensionin”.

“80 mijë lekë paguaj dritat, kam edhe qira, ai na dha vetëm 400 mijë lekë. Po a jetohet 4 vetëm me 400 mijë lekë për 4 muaj?", u shpreh një tregtar.

Duke pohuar se xhiro ka rënë shumë dhe se njerëzit nuk blejnë më si më parë, një zonjë nxori papunësinë tek të rinjtë si një nga problemet madhore.

Qytetari: A ekziston ndonjë fije shprese që të rrimë këtu, të punojmë këtu, të jetojmë këtu?

Lulzim Basha: Shqipëria i ka të gjitha mundësitë për të gjithë të rinjtë shqiptarë, madje për të marrë edhe ata që janë larguar. Ajo që duhet është që burimet e vendit, pasuritë e vendit dhe taksat tuaja dhe të prindërve tuaj të shkojnë për ekonominë dhe të shkojnë për t’ju ndihmuar juve, sepse sot gjithçka po punon për 5 veta

Qytetari: Qytetarët janë lodhur! Pritja ka shkuar aty ku s’mban më. Të gjithë e kanë mendjen për të ikur.

Lulzim Basha: E di, por nuk duhet të ikni. Duhet të bëhemi të gjithë bashkë e të ndryshojmë këtu, se kudo që të ikësh, më mirë se këtu në vendin tënd nuk ka. Problemi nuk është Shqipëria, problem është qeveria, është qeverisja e keqe.

Qytetari: Atë e dimë të gjithë po edhe sa duhet? Edhe sa do të presim ne dhe ta durojmë këtë qeveri?

Lulzim Basha: Një orë e më parë. Zullumit po i vjen fundi. Veç të bëhemi të gjithë bashkë dhe t’ia kthejmë Shqipërinë shqiptarëve. Institucionet, taksat, buxhetin, ekonominë t’ua kthejmë shqiptarëve. Dhe të jesh i sigurt, kur ta bëjmë këtë, do të ketë shanse për rininë dhe për këdo tjetër. Shanse për punësim, shanse për mirëqenie.”- theksoi kreu i opozitës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Tags

Komentet

Shto koment

Denonco