E tha dje në Syri TV, sot e bën zyrtare/ Thaçi i jep lamtumirën politikës

E tha dje në Syri TV, sot e bën zyrtare/ Thaçi i jep lamtumirën politikës

18:07, 12/06/2020
A+ Aa A-

Pas më shumë se 20 vitesh në arenën politike të Kosovës, presidenti Hashim Thaçi të enjten njoftoi se ai nuk do të përfshihet më në politikë pasi të përfundojë mandati i tij në prill të vitit të ardhshëm.

“Nuk do të jem kandidat për president në zgjedhjet e ardhshme”, tha Thaçi në Syri TV të enjten në mbrëmje, duke shtuar se ai do të largohej nga politika në një kohë kur “vendi është në rrugën e duhur”.

Sipas Thaçit, “kjo mjafton pas dy dekadash përgjegjësi politike”, duke shtuar se ai dëshiron të ketë “një jetë tjetër, jashtë jetës politike dhe institucionale”.

Thaçi u zgjodh president më 26 shkurt 2016 dhe bëri betimin më 7 prill të po atij viti, duke nisur kështu mandatin e tij katër vjeçar.

Para se të bëhej president, Thaçi kishte mbajtur shumë poste të larta politike në Kosovë. I lindur në rajonin e Drenicës në vitin 1968, Thaçi studioi në Prishtinë dhe Zyrih, ku u përfshi në veprimtari separatiste kundër regjimit të atëhershëm serb.

Në fund të viteve 1990, ai iu bashkua Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, UÇK, duke u bërë udhëheqësi politik i saj dhe duke udhëhequr dialogun politik në emër të saj me Serbinë në bisedimet e dështuara të zhvilluara në Rambuje, Francë, në shkurt 1999.

Dështimi i këtyre bisedimeve, ndërkohë që luftimet në Kosovë përshkallëzoheshin, sollën ndërhyrjen ushtarake të NATO-s në vitin 1999 dhe tërheqjen e detyruar të forcave serbe.

Thaçi më pas hoqi uniformën e tij ushtarake dhe i hyri politikës. Pasi Partia e tij Demokratike e Kosovës, PDK, fitoi zgjedhjet parlamentare në vitin 2007, ai u zgjodh kryeministër i Kosovës në janar 2008, pak para se Kosova të shpallte pavarësinë nga Serbia. Më 17 shkurt 2008, kryeministri i atëhershëm Thaçi lexoi deklaratën e pavarësisë në Kuvendin e Kosovës.

Ai u bë përsëri kryeministër në vitin 2011 dhe shërbeu si zv/kryeministër i parë dhe ministër i jashtëm në vitet 2014-2015.

Thaçi u përmend në raportin e politikanit zviceran Dick Marty në vitin 2010 në Këshillin e Europës, i cili akuzonte ish-anëtarët e UÇK-së se kanë kryer krime të rënda gjatë luftës së tyre për pavarësi me Serbinë, përfshirë edhe trafikim organesh. Ai raportohet se u thirr në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, të krijuara për të gjykuar ish-anëtarë të UÇK-së për krime të dyshuara lufte. Thaçi ka mohuar për BIRN këto pretendime.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Tags

Komentet

Shto koment

Denonco