Letër KQZ-së/ PD kërkon shkarkimin e Agron Malajt

Letër KQZ-së/ PD kërkon shkarkimin e Agron Malajt

11:21, 12/06/2020
A+ Aa A-

Partia Demokratike i ka nisur një letër Komisionit Qendror të Zgjedhjeve me anë të cë cilës kërkon shkarkimin e kryebashkiakut rilindas të Burrelit, Agron Malaj.

Në letrën e firmosur nga sekretari demokrat Gazment Bardhi shpjegohet shkelja e ligjit nga Malaj dhe kërkohet shkarkimi tij nga KQZ.

Kërkesa e Partisë Demokratike për KQZ ka të bëjë me “shqyrtimin e rezultatit të verifikimit të Prokurorisë së 'Përgjithshme për funksionarin e lartë publik”.

"Pas 4 muajsh zvarritje, prokororia na ka dhënë të drejtë. Kryebashkiakut të paligjshëm të Matit duhet t’i hiqet mandati menjëherë. Ai është i dënuar për armëmbajtje pa leje dhe nuk duhet të mbajë më mandatin.

Ligji i dekriminalizimit e thotë qartë se një person nuk mund të ushtrojë funksione publike me një dënim të tillë, edhe kur vepra penale deklarohet nga i dënuari, siç është rasti i kryebashkiakut të paligjshëm të Edi Ramës në Mat.

Ai jo vetëm duhet të largohet menjëherë, por me ligjin e dekriminalizimit ndalohet përjetë për të kandiduar. (Neni 2, pika 1, shkronja “a”)

Shqiptarët nuk e meritojnë të drejtohen nga kriminelët e Edi Ramës, nga vrasës, trafikantë droge, trafikantë vajzash, hajdutë dhe fallsfikatorë," deklaroi Bardhi.

Kjo letër e Sekretarit të Përgjithshë të PD i ka shkuar për dijeni edhe ambasadores së SHBA Yuri Kim dhe mabsadorit të BE në vendin tonë Luigi Soreca

 Ja letra e plotë

KOMISIONIT QENDROR TË ZGJEDHJEVE

Z. Klement Zguri

Kryetar

KËRKESË

Për shqyrtimin e rezultatit të verifikimit të Prokurorisë së Përgjithshme për funksionarin publik Agron Malaj

Baza Ligjore:

Neni 10, pika 1, gërma “d” të ligjit 138/2015, “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”; dhe Vendimi i Kuvendit nr. 17/2016 “Për përcaktimin e rregullave të detajuara mbi zbatimin e ndalimeve të parashikuara në ligjin nr. 138/2015, “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”.

I nderuar z. Kryetar,

Në vijim të kërkesës së Partisë Demokratike të Shqipërisë nr. 6 Prot., datë 16.01.2020, Prokuroria e Përgjithshme me shkresën nr. 98/47 Prot., datë 08.06.2020 na ka njoftuar vendimin për miratimin e rezultateve të verifikimit për subjektin deklarues Agron Rufat Malaj, kandidat për Kryetar i Bashkisë Mat.

Nga rezultatet  verifikimit të Prokurorisë së Përgjithshme rezulton se shtetasi Agron Rufat Malaj, është i dënuar me 10 muaj burgim me vendimin nr. 57, datë 07.10.1999, të Gjykatës së Rrethit Mat, për veprën penale të parashikuar nga neni 278/2 i Kodit Penal të kohës (faqe 9 e vendimit të prokurorisë). Në analizë të veprimit kriminal të parashikuar nga ligji si vepër penale, për efekt të zbatimit të ligjit të dekriminalizimit, Prokuroria e Përgjithshme ka arritur në konkluzionin se: “4.3.3. Në respekt të pretendimit të kërkuesve, lidhur me faktin kriminal për të cilin është deklaruar fajtor e dënuar subjekti Agron Malaj......për një interpretim ligjor të drejtë, vlerësojmë se për të marrë kuptim argumenti, duhet të përmendet ligji i kohës dhe ai aktual........ aktualisht, me ndryshimet e fudnit ligjore, fakti penal parashikohet nga paragrafi i pestë i Kodit Penal.” (faqe 5 e vendimit të prokurorisë).

 

Sipas ligjit nr. 138/2015 dhe vendimit të Kuvendit të Shqipërisë nr. 17/2016 “Për përcaktimin e rregullave të detajuara mbi zbatimin e ndalimeve të parashikuara në ligjin nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, ky dënim përbën shkak për ndalimin e ushtrimit të funksioneve publike. Subjekti Agron Malaj, ndodhet në kushtet e ndalimit për të kandiduar dhe për t’u zgjedhur në një funksion të lartë publik, në kuptim të shkronjës “a” tënenit 2 të ligjit nr. 138/2015 dhe vendimit të Kuvendit nr. 17/2016.

Konkretisht:

1. Me vendimin nr. 57/1999 të Gjykatës së Matit, ai është dënuar për veprimet e kundërligjshëm të parashikuar në nenin 278/2 të Kodit Penal, që parashikonte se: “Prodhimi i armëve dhe i municionit luftarak, i bombave apo minave, pa lejen e organeve kompetente shtetërore, dënohet me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet. Mbajtja, blerja ose shitja e armëve, bombave apo minave pa lejen e organeve kompetente shtetërore, dënohen me gjobë ose me burgim deri në shtatë vjet. Mbajtja e fishekëve të armëve të lehta luftarake pa leje të organeve kompetente shtetërore, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në një vit.”.

2. Neni 2 i ligjit nr. 138/2015, parashikon se: “Nuk mund të kandidojnë dhe as të zgjidhen deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, kryetar bashkie apo këshilltar në këshillin bashkiak, dhe në çdo rast nuk mund të marrin një funksion me votim nga Kuvendi, përfshirë funksionin e Kryeministrit apo anëtarit të Këshillit të Ministrave, apo me votim nga këshillat bashkiakë ose të qarkut, personattë cilët janë dënuar me burgimme vendim të formës së prerë, brenda apo jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, për: a) kryerjen e veprimeve apo mosveprimeve që përbëjnë vepër penale, sipas neneve 73, 74, 75, 76, 77, 78, 78/a, 79, 79/a, 79/b dhe 79/c, 86, 87, 88 paragrafi i dytë, 89/a, 100, 101, 102, 102/a, 103, 104, 105, 106, 109, 109/b, 109/c, 110/a, 111, 114, 128/b, 135, 136, 140, 141, 143/a, 215, 216, 217, 218, 219, 220, 221, 222, 230, 230/a, 230/b, 230/ç, 231, 232, 232/a, 232/b, 233, 234, 234/a, 234/b, 278 paragrafin e parë, të pestë e të gjashtë, 278/a, 282/a, 283, 283/a, 284/a, 287 i lidhur me kryerjen e një krimi të parashikuar në këtë paragraf, 333, 333/a e 334 të Kodit Penal”.

3. Ligji nr. 138/2015 dhe kjo dispozitë e tij janë botuar në Fletroren Zyrtare nr. 220, datë 22.12.2015 dhe kanë hyrë në fuqi më datë 7 Janar 2016. Për këtë arsye, për të vlerësuar se cili ishte veprimi kriminal që sipas legjislatorit përbën kusht ndalimi për kandidim, duhet t’i referohemi Kodit Penal që ka qenë në fuqi në momentin e hyrjes në fuqi të ligjit nr. 138/2015. Në datën 7 Janar 2016, në fuqi ka qenëneni 278 i Kodit Penal, me këtë përmbajtje: “1. Prodhimi i armëve dhe i municioneve luftarake, lëndëve plasëse, i bombave apo minave, pa lejen e organeve kompetente shtetërore, dënohet me burgim nga pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet. 2. Mbajtja e municioneve luftarake, pa lejen e organeve kompetente shtetërore, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy vjet. 3. Mbajtja e armëve në banesë, pa lejen e organeve kompetente shtetërore, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet. 4. Mbajtja e bombave, minave ose lëndëve plasëse në banesë, pa lejen e organeve kompetente shtetërore, dënohet me burgim nga pesë deri në tetë vjet. 5. Mbajtja e armëve, i bombave apo minave, ose lëndëve plasëse në automjete apo në çdo mjet tjetër të motorizuar, në mjedise publike ose në mjedise të hapura për publikun, pa lejen e organeve kompetente shtetërore, dënohet me burgim nga shtatë deri në pesëmbëdhjetë vjet. 6. Kur vepra penale kryhet në sasi të mëdha, në bashkëpunim, më shumë se një herë, ose ka sjellë pasoja të rënda, dënohet me burgim nga pesëmbëdhjetë deri në njëzet vjet.”.

4. Siç rezulton edhe nga përmbajtja e dispozitës në fuqi të Kodit Penal, legjislatori në miratimin e ndalimit të parashikuar në nenin 2 të ligjit nr. 138/2015, ka patur në kosideratë veprimin e kundërligjshëm të parashikuar në dispozitën që ishte në fuqi në Kodin Penal dhe konkretisht “mbajtjen e armëve në mjedise publike ose në mjedise të hapura për publikun, pa lejen e organeve kompetente shtetërore” (paragrafi i pestë i nenit 278 të Kodit Penal).Duke qenë se Kodi Penal i është nënshtruar ndryshimeve të vijueshme, legjislatori në nenin 2 të ligjit nr. 138/2015, parashikoi që referimi për efekt ndalimi, nuk duhet të bëhet tek numritimi i dispozitës përkatëse, POR TEK VEPRIMET APO MOSVEPRIMET QË PËRBËJNË VEPËR PENALE, sipas numërtimit të bërë nga Kodi Penal në fuqi në momentin e hyrjes në fuqi të ligjit tëdekriminalizimit. Neni278 i Kodit Penal ka pësuar ndryshime edhe në vitin 2015, që janë botuar në Fletoren Zyrtare nr. 249, datë 14.01.2016 dhe që kanë hyrë në fuqi më datë 30 Janar 2016. Për pasojë, për efekt të zbatimit të ligjit nr. 138/2015 duhet t’i referohemi përmbajtjes së dispozitës që ishte në fuqi përpara këtij ndryshimi.

5. Paragrafi 1, i nenit 2 i ligjit nr. 138/2015 ka vendosur këto kushte për aplikimin e ndalimit:

(i) subjekti i ndalimit duhet të ushtrojë një nga funksionet e përmendura, ku përfshihet edhe Kryetar Bashkie;

(ii) vendimi i dënimit duhet të ketë marrë formë të prerë;

(iii) dënimi i dhënë të jetë burgim.

(iv) dënimi të jetë dhënë për një veprim që parashikohet si vepër penale nga paragrafi 5 i nenit 278 të Kodit Penal. Në rastin konkret bëhet fjalë për armëmbajtje pa leje në mjedise publike apo mjedise të hapura për publikun.

(v) vendimi i dënimit të jetë dhënë nga autoritetet gjyqësore, brenda apo jashtë vendit;

(vi) dënimi të mos jetë dhënë për dispozita që janë shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese pas dhënies së dënimit përkatës, si dispozita në kundërshtim me Kushtetutën në fuqi në momentin e dënimit.

6. Nga analiza e vendimit të plotë nr. 57, datë 07.10.1999 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Mat, një kopje të së cilit e gjeni bashkëlidhur, rezulton se:

(i) i dënuari është Agron Malaj, kandidat dhe më pas i emëruar nga Edi Rama në votime moniste si Kryetar Bashkie, funksion që e bën subjekt të nenit 2 të ligjit nr. 138/2015.

(ii) vendimi gjyqësor ka marrë formë të prerë më datë 18.10.1999;

(iii) dënimi i dhënëështë me burgim dhe konkretisht është dënuar me 10 muaj burgim;

(iv) është dënuar për një veprim që parashikohet si vepër penale nga paragrafi 5 i nenit 278 të Kodit Penal (mbajtjen e armëve pa lejen e organeve kompetente shtetërore). Nëse i referohemi rastit konkret, në arsyetimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Mat, evidentohet se subjekti e ka kryer veprën penale të armëmbajtjes pa leje në mjedise publike. Ligji nr.138/2015, i referohet veprimit të kryer, që korrespondon me anën objektive të veprës penale “armëmbajta pa leje në ambjente publike”, që përfshihet në ndalimet e nenin 2, pika 1, shkronja “a” e ligji.Ndërkohë që ka lënë jashtë fushëveprimit të shkronjës “a”, të pikës 1, të nenit 2 të ligjit “mbajtjen pa leje të armëve në banesë”. Fakti që legjislatori në ligjin nr. 138/2015 i referohet veprimit apo mosveprimit, pra anës obejktive të veprës penale, dhe jo gjuhës dhe numërtimit të veprës penale, lidhet me faktin se Kodi Penal shqiptar ka pësuar ndryshime ndër vite si dhe faktit që ligji përfshinë edhe dënimet e dhëna nga autoritetet e huaja, sipas Kodit Penal në shtetin përkatës. Në rastin konkret, nuk jemi përpara një procesi penal, që implikon në analizë ligjin penal favorizues, por përpara një procedure administrative, që lidhet ekskluzivisht me përmbushjen ose jo të kritereve ligjore për kandidim.

(v) vendimi është dhënë nga një autoritet gjyqësor brenda vendit dhe konkretisht Gjykata e Rrethit Gjyqësor Mat.

(vi) dënimi nuk është dhënë për dispozita që janë shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese pas dhënies së dënimit përkatës, si dispozita në kundërshtim me Kushtetutën në fuqi në momentin e dënimit.

7. Për këtë arsye, shtetasi Agron Malaj përmbush të gjitha kushtet për aplikimin e ndalimit për të ushtruar një funksion publik dhe është subjekt i parashikuar në pikën 1, shkronja “a” të nenit 2 të ligjit nr. 138/2015. Sipas pikës 1 të nenit 4 të ligjit nr. 138/2015, për personat që parashikohen në shkronjën “a”, të pikës 1, të nenit 2, të këtij ligji, ndalimi për kandidim, zgjedhje apo ushtrim të mandatit zgjat gjatë gjithë jetës.

Në përfundim të sa më sipër, në mbështetje të ligjit nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike” dhe vendimit nr. 17/2016 të Kuvendit të Shqipërisë, Partia Demokratike e Shqipërisë, në cilësinë e iniciuesit të kësaj procedure administrative, kërkon nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve:

Thirrjen pa vonesë të mbledhjes së KQZ dhe përfshirjen në rend dite të shqyrtimit të rezultatit të verifikimit të Prokurorisë së Përgjithshme për funksionarin publik Agron Malaj.

Miratimin e rezultateve të organit të prokurorisë, që subjekti Agron Malaj, është në kushtet e ndalimit të parashikuar në pikën 1, shkronja “a” të nenit 2 të ligjit nr. 138/2015 dhe se ndaj tij duhet të merret masa e ndalimit të menjëhershëm të ushtrimittë mëtejshëm të funksionit publik.

Partia Demokratike e Shqipërisë rithekson nevojën e zbatimit të ligjit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për të garantuar funksionimin demokratik të institucioneve. Në këtë rast, anëtarët e KQZ-së, duhet të zbatojnë ligjindhe të mos i nënshtrohen urdhrave politik të Edi Ramës, pavarësisht se ai është personi që ka emëruar në detyrë edhe Agron Malajn, edhe shumicën e anëtarëve të KQZ (4 nga 5 anëtarët në detyrë të KQZ).

Duke ju uruar punë të mbarë,

 Gazment BARDHI

Sekretar i Përgjithshëm

 Për dijeni:           SH.T.Zj. Yuri Kim

                                Ambasadore e SHBA-së në Tiranë

                                 SH.T.Z. Luigi Soreca

                                Ambasador i Delegacionit të BE-së në Tiranë

  

ImageImageImageImage

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco