Përdhunimi i 15-vjeçares, rasti ‘Maddie’ dhe dorëheqja e Shahinit

Përdhunimi i 15-vjeçares, rasti ‘Maddie’ dhe dorëheqja e Shahinit

20:49, 04/06/2020
A+ Aa A-

Kryeministri Edi Rama mbrojti ministren e tij, Besa Shahini, pak orë përpara se mijëra njerëz të protestonin para godinës së Ministrisë së Arsimit, duke kërkuar llogari për përdhunimin e një minoreneje 15-vjeçare.

Plot 17 herë në fjalën e tij ai mbrojti ministren, duke folur vetëm njëherë për rojen 65-vjeçar, që shokoi opinionin publik. Ky është një tregues shumë i qartë se në radhë të parë atij dhe Besa Shahinit i intereson pushteti, sesa historitë që po rëndojnë mbi kurrizin dhe shpirtin e shqiptarëve.

Tani të kalojmë pak në Europën Perëndimore. Një pedofil gjerman dyshohet se qëndron pas zhdukjes së vogëlushes Maddie, një rast i famshëm në mbarë botën. Ai dyshohet se e ka vrarë vogëlushen britanike, ndërsa mbi shpinë ka 17 dënime për abuzime seksuale me minorene. Askush në Angli apo Gjermani nuk sulmon median dhe opozitën se përse publikojnë lajmin për ngjarjen. Askush. Por sigurisht do të gjeni kudo kritika për shtetin, sidomos për policinë, qoftë atë në Portugali ku është konsumuar krimi, por edhe për autoritetet në Gjermani dhe Angli. Askush nuk u thotë se përse po sulmoni pushtetin. Askush nuk u thotë se e paska fajin mentaliteti.

Po për cilin mentalitet guxoni dhe flisni? Një roje- një grabitqar seksual- u la të bënte kërdinë në një shkollë nëntëvjeçare- dhe ju flisni për mentalitet? Po sa e sa grabitqarë të tjerë seksualë po bëjnë namin nëpër shkolla, nën hundën e ministres Shahini, e cila na akuzon se fajin e paska kultura dhe fakti që nuk denoncohen. Po pikërisht se nuk kanë besim te shteti nuk denoncojnë. Sepse shteti nuk është në krahun e tyre, sepse qeveria nuk i ndihmon. Shihni babanë e vajzës së përdhunuar, që kërkon të shpërngulet nga aty se ka frikë. Ai e di se shteti nuk e ndihmon.

Pse, mentaliteti i paska fajet që njerëzit nuk besojnë te një kryeministër që përdhunuesit dhe kriminelët i ka ngritur në shkallën më të lartë, në parlament dhe në bashki. Tani prisni edhe mbrojtje prej tyre. Prandaj dorëheqja e Shahinit ishte gjëja më e vogël që mund të bëhej. Por shpresoni më kot. Nuk ka ndërmend kush të marrë përgjegjësi në qeverisjen e Edi Ramës. Ndaj nuk është habi kur ndonjë prej këtyre tutorëve të promovuar nga pushteti, del edhe në protestë kundër dhunës seksuale. Tmerri nuk paska fund.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco