Palushi: ‘Mëkati fillestar’ që duhet të ketë parasysh Yuri Kim

Palushi: ‘Mëkati fillestar’ që duhet të ketë parasysh Yuri Kim

19:58, 04/06/2020
A+ Aa A-

I ftuar në edicionin e orës 7 në Syri TV, përballë Juli Krisafit, gazetari Enton Palushi komentoi zhvillimet e fundit sa i përket Reformës Zgjedhore.

Palushi tha se gjërat dukej se po shkonin mirë, pasi edhe pse ishte tejkaluar afati i 31 majit, marrëveshja dukej pranë. Por ai tha se komentet e ambasadores amerikane, Yuri Kim e tensionuan situatën, pasi diplomatja nisi një ‘blame game’ ose ndryshe një lojë me fajësime. Sidomos pasi ajo iu adresua opozitës, e cila në këtë rast është viktima.

Palushi tha se ambasadorja Kim duhet të ketë parasysh dy gjëra: e para, që ajo vjen në Shqipëri në një kohë kur ndërkombëtarët kanë nisur të paragjykohen si arbitër i njëanshëm në favor të qeverisë.

Së dyti, Palushi tha se, duke parë edhe trazirat që kanë shpërthyer në Amerikë së fundmi, analistët theksojnë se ato nuk do ndalen së shpërthyeri në rast se nuk adresohet ai që njihet edhe si ‘mëkati fillestar’, që është racizmi. Mëkati fillestar në Shqipëri janë zgjedhjet problematike, tha Palushi, duke parashikuar se pa u zgjidhur ky problem, krizat politike, protestat dhe trazirat nuk do ndalen.

Palushi tha se Reforma Zgjedhore është një kusht i BE për integrimin, ndërkohë që po trajtohet sikur është një negociatë ku palët duhet të lëshojnë, sikur aty po ndahen tortat e pushtetit. Sipas tij, mazhoranca duhet të garantojë standardet më të larta zgjedhore dhe ky është kusht, jo negociatë.

Më tej, Palushi nënvizoi se duhet parë ana tjetër optimiste e situatës, pasi u bënë dy vite e më shumë që tema kryesore e diskutimit publik janë zgjedhjet. Duke iu referuar termit ‘kontrolli i narrativës’, Palushi tha se opozita ia ka dalë ta bëjë kryetemë të diskutimit publik çështjen e zgjedhjeve. Të ishte për Edi Ramën, narrativa publike do ishin gjëra të tjera dhe kurrë zgjedhjet, tha Palushi.

Megjithatë Palushi tha se marrëveshja mund të vijë dhe pavarësisht se si do jetë Kodi i ri Zgjedhor, opozita do i fitojë zgjedhjet e ardhshme me frymën që do mbysë kleçkat zgjedhore. Madje ai tha se edhe me kodin e vjetër, opozita sërish do të fitojë. I pyetur se kur do të krijojë frymë opozita, Palushi tha se ajo po punon edhe tani për këtë gjë, por për momentin në skakierën politike janë të tjera gjëra. Ai shprehu bindjen se më vonë opozita do hedhë hapa edhe në drejtim të krijimit të një fryme më të madhe mbështetje.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco