Meta propozon emrin e ri për kryetar të KLSH

Meta propozon emrin e ri për kryetar të KLSH

12:32, 04/06/2020
A+ Aa A-

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka propozuar emrin e ri për kryetar të Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Ai është Arben Shehu.

REPUBLIKA E SHQIPËRISË

PRESIDENTI

DEKRET PËR PROPOZIMIN E KRYETARIT TË KONTROLLIT TË LARTË TË SHTETIT

Në mbështetje të nenit 162, pika 2 dhe nenit 93 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe nenit 19 pika 2, të ligjit nr. 154/2014 “Për organizimin dhe funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit”,

D e k r e t o j

Neni 1

Zoti Arben Shehu i propozohet Kuvendit të Shqipërisë për t’u zgjedhur Kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Neni 2

Ky dekret hyn në fuqi menjëherë.

Nr. Dekretit 11498

Tiranë, më 4.6.2020

PRESIDENTI I REPUBLIKËS

ILIR  META

Kush është Arben Shehu:

Dr. Arben Shehu plotëson të gjitha kushtet dhe kriteret ligjore për t’u emëruar në këtë pozicion, si dhe është një kandidaturë me eksperiencë të gjatë në fushën e së drejtës dhe pedagogjisë.

Gjatë eksperiencës mbi 16 vjeçare në jetën akademike, Dr. Arben Shehu është një ndër njohësit më të mirë të drejtësisë penale. Z.Shehu është diplomuar gjithashtu edhe në fushën e e ekonomisë dega ‘Administrim Biznesi’, me një eksperiencë të gjatë akademike, kërkime dhe shkrime shkencore, por edhe përvojë të spikatur në zbatimin e ligjit, si ushtrues aktiv i profesionit të avokatisë.

Dr. Arben Shehu, si njohës shumë i mirë i legjislacionit, me njohuritë dhe certifikimet në fushën ekonomike dhe përvojën akademike e profesionale mbi 16 vjeçare, vlerësohet kandidat i përshtatshëm për drejtimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, si një institucion që ka nevojë për një qasje të re në ushtrimin e funksioneve për kontrollin e përdorimit të pasurisë publike dhe vënien para përgjegjësisë të abuzuesve me to.

Presidenti i Republikës, pavarësisht se ka lexuar me shumë vëmendje e në mënyrë të përsëritur sugjerimet e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë lidhur me profilin profesional që duhet të ketë kandidati për Kryetar të Kontrollit të Lartë të Shtetit, deri më tani është vënë para pozitës së rrëzimit të propozimeve për tre kanditaruave rradhazi, pavarësisht përmbushjes së kritereve ligjore dhe përvojës së gjerë profesionale të secilës prej kandidaturave.

Mos plotësimi i pozicionit të Drejtuesit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, rrezikon të çojë në cenim të ekuilibrit institucional të këtij organi kushtetues me përgjegjësi jetësore për financat publike.

Veçanërisht kur bëhet fjalë për institucionin kushtetues më të lartë të kontrollit ekonomik dhe financiar, secili institucion që ka atributet e tij në procesin e zgjedhjes së drejtuesit të këtij institucioni, ka përgjegjësinë që të përmbushë detyrën në respektim të Kushtetutës.

Ndaj dhe Dekreti i Presidentit të Republikës dhe dokumentacioni shoqërues i kësaj kandidature iu përcoll sipas ligjit Kuvendit të Shqipërisë për miratim, me kërkesën specifike që këtë herë që kjo kandidaturë të vlerësohet nën frymën e parimit të luajalitetit kushtetues dhe jashtë interesit politik.

Më poshtë një përmbledhje e CV-së, të kandidaturës së propozuar:

DR. ARBEN SHEHU

TË DHËNA PERSONALE:                                                                                 

Datëlindja: 20.1.1980

Vendlindja: Shkodër

EDUKIMI DHE KUALIFIKIME :

1998-2002  Diplomuar ‘Jurist’ në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës

2004-2005 Master në Shkenca Penale Fakulteti i Drejtësisë, Universiteti i Tiranës

2011 Marrja e gradës shkencore ‘Doktor i Shkencave Ligjore’ në fushën e krimit të   organizuar dhe legjislacionit ndërkombëtar.

2018 Diplomuar për Administrim Biznes

Vazhdimi i ciklit për titullin Profesor i Asociuar

Njohës shumë i mirë i tre gjuhëve të huaja (Anglisht, Italisht, Frëngjisht)

EKSPERIENCA:

2004 – e në vazhdim Pedagog pranë Fakultetit të Drejtësisë, Universiteti i Tiranës.

2003- e në vazhdim, anëtar i Dhomës së Avokatisë, dhe përfaqësues për çështje ligjore dhe ekonomike të shoqërive tregtare.

Redaktor në ‘World Journal of Social Science Research’

Pjesëmarrës në konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare me publikime akademike.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Tags

Komentet

cak04/06/2020 14:35

Me kasapanën e madhe të kësaj qeverie në fushën e abuzimeve financiare e ekonomike, institucioni i vetëm që mund të ushtrojë kontroll shtetëror, është Kontrolli i Lartë i Shtetit. Më tëtheq vëmëndjen fakti që më në fund në pozicione të larta shtetërore, të përzgjidhet një jurist i ri me formim akademik e shkencor që nga sistemi diktatorial enverist, doli në moshën 10 vjeçare, por nuk besoj që parlamenti i nivelit të Rahman Rahjes apo Ullësiut, të pranojë këtë jurist. Gramozi me Ramën do të kenë piketuar ndonjë Dvoran, për të realizuar parullën komuniste, "gjithë pushtetin sovjetëve"

tirana04/06/2020 13:56

Se pari eshte shume i ri dhe pa pervojen e duhur ne detyren e re qe po i ngarkohet nga presidenti i republikes . Krahasuar me detyrat e mepareshme , pergjegjesia e detyres se re eshte shume here me e larte se ajo qe jepet ne CV-ne e tij . Se dyti gjate viteve te tranzicionit eshte vrejtur dhe njeheresh edhe eshte stimuluar nga shkollat e larta dhe ministria e arsimit , fenomeni i perfitimit te gradave dhe titujve shkencore ne mosha relativisht te reja , ne emer perfitimit ekonomik me paga me te larta si dhe te gjoja ngritjes se nivelit teoriko - shkencor te stafit te pedagogeve te universiteteve ne te mbare vendin ....???!!! Kjo ka bere qe ne te gjitha shkollat e larta mosha e profesoratit te jete relativisht e re dhe pa pervojen e mjaftueshme praktike ne fushen e prodhimit , ekonomise dhe politikes , ne raport me nevojat dhe nivelin arsimor te studenteve si dhe ndaj kerkesave per zhvillimin ne teresi te ekonomise , kultures dhe politikes vendase . Gjithashtu kjo shpesh here ne pamje te pare e ka rritur pritshmerine e pumbikut ndaj tyre , por qe ne fakt jo rralle ka ndodhur e kunderta , aq sa sot numri i gradave shkencore te marra eshte shume here me i larte se sa niveli aktual i zhvillimit ekonomiko - politik te vendit pas viteve te tranzicionit .....????!!!!

Shto koment

Denonco