Rron Gjinovci: Vetëvendosje ka potencialin të bëhet 'Edi Rama' i Kosovës

Rron Gjinovci: Vetëvendosje ka potencialin të bëhet 'Edi Rama' i Kosovës

23:12, 02/06/2020

Aktivisti nga Prishtina, Rron Gjinovci, i cili u bë i famshëm edhe në Shqipëri pas përplasjes me kryeministrin Edi Rama në "T7", në një lidhje Skype për "A-Show" në Syri TV është shprehur se, qeveria "Hoti" që pritet të votohet së shpejti në parlament, ka vetëm votat e 47 deputetëve shqiptarë.

"Qeveria aktuale ka aktualisht vetëm 47 vota të deputetëve shqiptarë. 10 të tjera i ka nga vendet e rezervuara, të cilat në fakt janë aty pa demokraci. Ato janë aty të garantuara për minoritetet. Dhe 20 vota të tjera i merr nga grupe që kanë vota jo në formë demokratike, por sepse janë të garantuara. Prandaj dhe thonë se ne i kemi numrat. Në fakt, përmbajtësisht, numrat nuk i kanë. Votat që ata kanë nuk janë vota të qytetarëve por numra të parlamentit që janë ashtu për shkak të rrethanave që ka Kosova me minoritetet", tha Gjinovci.

I pyetur se a është ai fan i vendosur dhe i bindur i Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje, Gjinovci u shpreh se, beson që VV është një mundësi ndryshimi për Kosovën por jo e vetmja. Sipas tij, për shkak se aktivistët dhe opozita nuk janë aq të fortë sa duhet, lëvizja e drejtuar nga Kurti ka shanset të jetë "Edi Rama" i Kosovës.

"Unë jam i vetmi njeri në Kosovë që del në televizor dhe i thotë mendimet e tij ashtu siç i vijnë. Jam i vetmi që kam mbështetur Vetëvendosjen dhe LDK para zgjedhjeve si opozitë dhe u kam thënë njerëzve votoni këto parti se ne na duhet ndryshimi. Unë jam i majtë me bindje dhe në Kosovë e vetmja parti e majtë është Lëvizja Vetëvendosje. Por e dini çfarë mendoj për Lëvizjen Vetëvendosje? Ka potencialin të bëhet një Edi Rama i Kosovës sepse ne aktivistët nuk jemi aktivë sa duhet, partitë opozitare nuk janë të forta sa duhet. Pra unë mund të besoj që Lëvizja Vetëvendosje është një mundësi ndryshimi por nuk besoj se vetëm Lëvizja Vetëvendosje është ndryshimi", tha aktivisti Rron Gjinovci. /A.R, Syri.net

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

shqiptar05/06/2020 19:46

Nga dyshimi për përhapje të korrupsionit në politikën kosovare, nga dyshimi për qëndrimet jo fort transparente për marëveshjet me Vuçiçin, ndonëse nuk do të dëshiroja që Kosova të kishte në pushtet një lider të majtë, e prita mirë lajmin se VV e Albin Kurtit në aleancë me partinë e Rugovës, LDK , të krijonte një qeveri ndryshe ku të bashkohej eksperienca e së djathtës rugoviane, me të majtën energjike patriotike të Albinit. Dyshimet e para më erdhën kur pashë se më entuziastët për "fitoren" e Kurtit, ishin gazetarët e analistët e klubit ekstremist të majtë në Shqipëri, , që ndonëse hiqen si kritikë të Ramës që vetë e sollën në pushtet, kërkojnë që të godasin sistemin kapitalist demokratik që përmbysi sistemin e etërve të tyre, duke e identifikuar këtë sistem, me sistemin kapitalist mafioz të Ramës. Lexoj këtu, se ky djali i ri Gjinovci që e deklaron hapur se ka bindje të majta, me sinqeritet rinor e pranon se politika e Kurtit i ngjet asaj të Ramës.. A është ndonjë taktikë e gabuar, apo strategji e menduar, Kurti i dha shenjat njëlloj si Rama, që nuk deshte ta ndante "tepsinë e pushtetit" me LDK. Një gjë duhet ta fiksojnë mirë në kokë shqiptarët e dy anëve të kufirit, se qoftë SHBA e qoftë Europa perëndimore, nuk do të pranonin kursesi një qeverisje në Europë me synimin bollshevik "të gjithë pushtetet sovjetëve", si një dukuri tashmë krejtësisht anakronike.

Shto koment

Denonco