Apeli i Metës: Të mbyllet sa më parë Reforma Zgjedhore

Apeli i Metës: Të mbyllet sa më parë Reforma Zgjedhore

10:55, 01/06/2020
A+ Aa A-

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, priti sot Ambasadorin e Austrisë, Christian Steiner, me rastin e paraqitjes së Letrave Kredenciale.

Presidenti Meta falenderoi për mbështetjen që Austria vijon t‘i japë procesit të integrimit europian të Shqipërisë. Në këtë kontekst, Kreu i Shtetit theksoi rëndësinë që ka angazhimi konstruktiv i çdo aktori institucional në detyrimet që ka për zbatimin e 15 prioriteteve të BE-së, që kushtëzojnë procesin e negociatave të anëtarësimit, përfshi përfundimin sa më parë të reformës zgjedhore në Këshillin Politik dhe miratimin e saj në Parlament, sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it.

“Realizimi me konsensus i reformës zgjedhore, si dhe progresi i besueshëm në të 15 prioritetet e BE-së, do të ndihmonin edhe Austrinë të kishte argumente më shumë në favor të Shqipërisë në kuadrin e debatit në BE”, – u shpreh Presidenti Meta.

Kreu i Shtetit e falenderoi veçanërisht Ambasadorin Steiner edhe për ndihmat dhe asistencën e ofruar nga autoritetet austriake pas tërmetit tragjik që goditi vendin tonë nëntorin e kaluar, si dhe ato për përballimin e Pandemisë COVID-19.

Presidenti Meta vlerësoi bashkëpunim efektiv dypalësh midis agjencive të zbatimit të ligjit të dy vendeve tona, dhe inkurajoi forcimin e mëtejshëm të tyre.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco