‘Luftë treghtare’ acarohen marrëdhëniet: Hyrje veç me ‘Republika e Kosovës’, reagon ashpër Serbia

‘Luftë treghtare’ acarohen marrëdhëniet: Hyrje veç me ‘Republika e Kosovës’, reagon ashpër Serbia

14:29, 31/05/2020
A+ Aa A-

Kosova ka vendosur masat e reja të reciprocitetit ndaj Serbisë. Qeveria në detyrë ka njoftuar se gjatë mbledhjes së fundit ka marrë vendim që reciprocitetit ndaj Serbisë t’i shtohen masa të reja reciprociteti. Kurse, zëvendëskryeministri Haki Abazi, ka bërë të ditur se asnjë maune nuk do të hyjnë në Kosovë nëse nuk e kanë të shkruar “Republika e Kosovës”. Ndaj këtyre masave kanë reaguar autoritet serbe, dukë thënë se ky vendim është e papranueshëm për Serbinë.

Zëvendëskryeministri në detyrë i Qeverisë së Kosovës, Haki Abazi, duke komentuar vendimin e mbrëmshëm të Qeverisë në detyrë, për aplikimin e masave shtesë të reciprocitetit ndaj Serbisë, ka bërë të ditur se asnjë maune nga Serbia nuk do të hyjë në Kosovë nëse nuk e ka të shkruar “Republika e Kosovës”.

Abazi, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “deri tani maunet nga Serbia kanë mundur të hyjnë në Kosovë nëse nuk kanë pasur dokumente fyese për shtetësinë e Kosovës dhe nëse në to është shkruar Kosova”.

“As reciprociteti nuk u bie tamam. Mbrëmë morëm vendimin që të avancojmë reciprocitetin me Serbinë. Deri tani maunet nga Serbia kanë mundur të hyjnë në Kosovë nëse: 1. nuk kanë pasur dokumente fyese për shtetësinë e Kosovës, dhe 2. Nëse në to është shkruar Kosova”. Abazi ka treguar se asnjë maune nuk do të hyjë në Kosovë nëse nuk e ka të shkruar “Republika e Kosovës”.

“Me vendimin e mbrëmshëm, asnjë maune nuk mund të hyjë në vendin tonë nëse në dokumentet e tyre nuk shkruan: Republika e Kosovës”, ka shkruar Abazi.

E gjatë ditë së sotme, ministri serb i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq, duke komentuar vendimin e mbrëmshëm të Qeverisë së Kosovës në detyrë, përmes së cilit ndalohet hyrja në Kosovë për mallrat nga Serbia të cilat nuk e kanë të shënuar në dokumente “Republika e Kosovës”, ka thënë se ky vendim është i papranueshëm për Serbinë.

Shefi i diplomacisë serbe ka treguar se Serbia nuk do ta vazhdojë dialogun derisa këto masa nuk shfuqizohen. Daçiq vlerëson se ndalimi i hyrjes së mallrave nga Serbia pa dokumente kë shkruan destinimi “Republika e Kosovës”, është masë më e keqe sesa ishte taksa prej 100 për qind për mallrat serbe.

“Kjo është masë reciprociteti, që ndoshta as qytetarët e Serbisë dhe as bashkësia ndërkombëtare nuk e njohën si masë edhe më të keqe sesa taksa, e cila e dyfishoi çmimin e mallrave, por që të paktën kalonte. Kjo qeveri në Prishtinë mori vendim të aplikojë masa reciprociteti, që nga disa vende u përshëndet si një hap përpara. Ne menjëherë thamë se kjo është e papranueshme”, tha ministri i Jashtëm serb.

Sipas tij, me pranimin e këtyre masave, Serbia do ta njihte Kosovën. “Ne nuk kemi ndërmend të vazhdojmë dialogun derisa të hiqen taksa dhe reciprociteti. Kjo është e papranueshme për ne dhe mohim i të gjitha marrëveshjeve. Me të drejtë presim një reagim nga bashkësia ndërkombëtare. RichardGrenell reagoi ndaj kësaj edhe më herët dhe tha se aplikimi i reciprocitetit është anashkalim i heqjes së taksës”, tha ai.

Shefi i diplomacisë serbe thotë se “Prishtina po sillet si një fëmijë i përkëdhelur, i cili është mësuar që bashkësia ndërkombëtare t’ia përmbushë të gjitha dëshirat e mundshme”.

“Sot nuk është më ashtu, Dhe kjo varet nga ajo se sa e fortë, e qëndrueshme dhe e bashkuar do të jetë Serbia. Dhe pozicioni ynë është jashtëzakonisht i fortë. Nuk ka asnjë bisedë derisa të shfuqizohen masat e reciprocitetit. Serbia nuk do ta njohë Kosovën. Ajo dëshiron dialog, kompromis. Nëse ata mendojnë se kompromis është që Serbia ta njoh Kosovën, kjo nuk mundet”.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës në detyrë ka mbajtur një mbledhje online në orët e vona të së shtunës, ku ka marrë vendim për të ndryshuar dhe plotësuar vendimin për zbatimin gradual të reciprocitetit, si parim në marrëdhëniet me Serbinë.

Sipas njoftimit të Qeverisë, plotësim-ndryshimi i vendimit të mëhershëm për marrëdhëniet tregtare me Serbinë, nënkupton ndalimin e dokumenteve për produktet bujqësore dhe industriale që përdorin emra të vendeve që përmbajnë elemente të tjera në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, emrat e vendeve në Republikën e Kosovës, por pa emërtimin e shtetit, që nuk i referohen me Republika e Kosovës dhe përmbajnë çfarëdo elementi që mohon pavarësinë dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës.

Vendimi, sipas njoftimit, mbetet në fuqi për afat të pacaktuar, ndërsa nuk mund të njihet si person juridik një shoqëri tregtare e themeluar sipas rregullave të autoriteteve në Serbi, por vetëm në pajtim me Ligjin për shoqëritë tregtare.

Ky është vendimi i plotë për reciprocitetin me Serbinë:

Qeveria në detyrë e Kosovës, ka plotësuar vendimin për zbatimin gradual të reciprocitetit si parim në marrëdhëniet me Serbinë, ku ndalohen dokumentet për produktet bujqësore dhe industriale që përdorin emra të vendeve ose përmbajnë elemente të tjera në kundërshtim me Kushtetutën e Republikën e Kosovës dhe legjislacionin në fuqi.

Në mbështetje të nenit 92 paragrafi 4 dhe të nenit 93 paragrafët (1), (2) dhe (4) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, duke u bazuar në nenin 4 paragrafi 2.1 të Rregullores nr. 05/2020 për Fushat e Përgjegjësisë Administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe Ministrive dhe nenet 17 dhe 19 të Rregullores nr. 09/2011 të Punës së Qeverisë, dhe duke marrë parasysh Vendimet e Qeverisë nr. 01/14 të 20 marsit 2020 dhe nr. 01/20 të 31 marsit 2020, Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës, në mbledhjen e mbajtur më 30 maj 2020, nxjerr këtë:

VENDIM: për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit nr. 01/20 të 31 marsit 2020 për zbatimin gradual të reciprocitetit si parim në marrëdhëniet me Serbinë. Në marrëdhëniet tregtare me Serbinë, ndalohen dokumentet për produktet bujqësore dhe industriale që:

1.1. përdorin emra të vendeve ose përmbajnë elemente të tjera në kundërshtim me Kushtetutën e Republikën e Kosovës dhe legjislacionin në fuqi; 1.2. përmbajnë emra të vendeve në Republikën e Kosovës, por nuk përmbajnë emrin e shtetit; 1.3. i referohen Republikës së Kosovës përveçse me emrin Republika e Kosovës; ose 1.4. përmbajnë çfarëdo elementi që mohon pavarësinë ose sovranitetin e Republikës së Kosovës ose trajton Republikën e Kosovës si të pabarabartë.

Agjencia e Ushqimit dhe e Veterinarisë të përdorë emrin dhe stemën e Republikës së Kosovës në certifikatat fitosanitare dhe veterinare. Operatorët ekonomikë nga Serbia duhet të pajisen me leje hyrëse për secilin automjet me mallra që hyn në Republikën e Kosovës. Kërkesa për leje hyrëse i paraqitet zyrës ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Serbi me letër ose përmes postës elektronike.

Nuk mund të njihet si person juridik një shoqëri tregtare e themeluar sipas rregullave të autoriteteve në Serbi. Pa marrë parasysh formën e organizimit të saj në Serbi, një shoqëri e tillë mund të njihet, në përputhje me Ligjin nr. 06/L-016 për shoqëritë tregtare, si:

4.1. biznes individual i personit fizik që kontrollon shoqërinë, kur ka një person të tillë; ose 4.2. ortakëri e përgjithshme e personave fizikë që kontrollojnë shoqërinë, kur ka disa persona të tillë.

Kush detyrohet të zbatojnë këtë vendim? 5.1. Ministria e Financave dhe Transfereve; 5.2. Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike; 5.3. Ministria e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike;5.4. Agjencia e Ushqimit dhe e Veterinarisë; 5.5. Dogana; 5.6. Policia; 5.7. Inspektorati i Tregut; 5.8. Agjencia e Regjistrimit të Bizneseve; dhe 5.9. institucionet e tjera përgjegjëse. Ndryshohet, plotësohet dhe mbetet në fuqi për afat të pacaktuar Vendimi nr. 01/20 të 31 marsit 2020. Ky vendim hyn në fuqi ditën e nënshkrimit.

ARSYETIM

Më 31 mars 2020, Qeveria e Republikës e Kosovës ka nxjerrë Vendimin nr. 01/20 për zbatimin gradual të reciprocitetit si parim në marrëdhëniet me Serbinë. Masat e reciprocitetit ose veprimit të ndërsjellë janë institut i marrëdhënieve mes shteteve sovrane, i njohur nga parimet e përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare dhe nga Marrëveshja e Përgjithshme për Tarifat dhe Tregtinë (GATT) e vitit 1947, e ndryshuar më 1994.

Vendimi nr. 01/20 ka synuar mënjanimin e barrierave tregtare jotarifore që autoritetet në Serbi kanë vendosur ndaj Republikës së Kosovës, duke përfshirë barrierat në transit, barrierat teknike dhe barrierat politike. Pika 3 e Vendimit ka paraparë rishikimin e periudhshëm të zbatimit dhe përshtatshmërisë së masave të reciprocitetit.

Një grup ndërinstitucional, i ftuar nga Ministria e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, ka vëzhguar zbatimin e masave dhe ka identifikuar barrierat e vazhdueshme dhe të reja në marrëdhëniet tregtare me Serbinë. Grupi ndërinstitucional ka dorëzuar një raport vlerësues më 28 maj 2020, në të cilin i ka rekomanduar Qeverisë këto masa:

— të lërë në fuqi Vendimin nr. 01/20 ose ta shfuqizojë me supozimin se masat nga vendimi janë detyrim i qartë ligjor për institucionet dhe se institucionet duhet të vazhdojnë t’i zbatojnë ato;

— të obligojë Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë të përdorë emrin e shtetit në certifikatat fitosanitare dhe veterinare;

— të obligojë Doganën që në marrëdhëniet tregtare me Serbinë të mos pranojë dokumente të cilat: (i) i referohet Republikës së Kosovës me kodin “XK”; (ii) përmendin emrin e qytetit në Republikën e Kosovës, por nuk përmendin emrin e shtetit; dhe (iii) përdorin kombinime të pabarabarta të emrave të shteteve, si p.sh. “Republika Srbija” në njërën anë dhe “Kosovo” pa cilësimin republikë në anën tjetër; dhe

— të sigurojë se Inspektorati i Tregut do të largojë nga tregu produktet e Serbisë që nuk janë në përputhje me legjislacionin në fuqi, duke u kushtuar vëmendje të veçantë shenjave kombëtare të konformitetit.

Grupi ndërinstitucional ka identifikuar tutje barrierën që autoritetet në Serbi kanë vendosur ndaj transportit të mallrave, duke u kërkuar operatorëve ekonomikë nga Republika e Kosovës që të pajisen me leje hyrëse nga zyra ndërlidhëse në Prishtinë para se të hyjnë në territorin e Serbisë.

Krahas gjetjeve të grupit ndërinstitucional, Ministria e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike ka vërejtur se autoritetet në Serbi nuk njohin personalitetin juridik të shoqërive tregtare të themeluara sipas ligjeve të Republikës së Kosovës.

Qeveria konstaton se barrierat e Serbisë po vazhdojnë të dëmtojnë eksportuesit dhe importuesit nga Republika e Kosovës dhe të shkaktojnë deficit tregtar për Republikën e Kosovës. Rrjedhimisht, duke u mbështetur në parimet dhe arsyet e sipërcekura, Qeveria vendosi të plotësojë si në dispozitiv masat e reciprocitetit në marrëdhëniet me Serbinë.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco