Ndarja nga jeta e rapsodit dibran, Basha mesazh ngushëllimi për familjen

Ndarja nga jeta e rapsodit dibran, Basha mesazh ngushëllimi për familjen

14:12, 31/05/2020
A+ Aa A-

Kreu i PD-së Lulzim Basha i ka dërguar një mesazh ngushëllimi familjes së rapsodit të njohur Qerim Sula, dhe të afërmeve të tij.

‘Këngët e Qerim Sulës ishin këngë të qëndresës, këngë të mbijetesës, prandaj edhe kumbonin kudo, si hymne që bartin krenarinë dhe vetëdijen se folklori e historia jonë do të triumfote mbi përpjekjet e diktaturës për zvetënimin e “njeriut të ri”, shqiptarit të kthyer në skllav’, shkruan Basha në mesazhin e tij.

Mesazhi i Lulzim Bashës për ndarjen nga jeta të rapsodit të njohur Qerim Sula:

Me hidhërim mora vesh për ndarjen nga jeta të rapsodit të njohur Qerim Sula. Breza të tërë artdashësish të muzikës popullore shqiptare u rritën me këngët epike të Qerim Sulës, kësaj ikonë të këngës dibrane të shumënjohur në të çdo trevë ku flitet e këndohet shqip.

Duke marrë stafetën e një historie të shkëlqyer muzikore nga legjenda Hazis Ndreu, interpretimi i këngës epike nga Qerim Sula mbushte me krenari çdo shqiptar, edhe në një kohë të vështirë kur kënga epike nuk shihej me sy të mirë nga diktatura, sepse i bënte hije përpjekjes shpirtvogël për ta zëvendësuar trashëgiminë muzikore të vendit me këngët për kultin e diktatorit.

Këngët e Qerim Sulës ishin këngë të qëndresës, këngë të mbijetesës, prandaj edhe kumbonin kudo, si hymne që bartin krenarinë dhe vetëdijen se folklori e historia jonë do të triumfote mbi përpjekjet e diktaturës për zvetënimin e “njeriut të ri”, shqiptarit të kthyer në skllav.

Qerim Sula i këndoi jo vetëm trimërisë së dibranëve përballë okupatorëve, ai i këndoi jo vetëm namit të mirë të kësaj trimërie, por ai i ngriti himn mbijetesës së kombit tonë.

Në dy kohë, Qerim Sula dha modelin se si artisti nuk plaket, nuk del jashtë kohe, kur i mbetet besnik muzikës së vërtetë të popullit.

Ngushëllimet dhe lutjet e mija shkojnë sot tek familja Sula që humbi njeriun e saj të shtrenjtë. Dibranët dhe mbarë shqiptaria ndahen sot nga kjo ikonë virtuoze e këngëve të qëndresës, por jo nga vepra artistike e Qerim Sulës që e përjetë si trashëgimi brez pas brezash dhe si frymëzim i përditshëm për secilin prej nesh.

Nuk mund ta përcjell këtë ngushëllim përveçse me një prej hymneve të Dibrës e mbarë Shqipërisë që ngren peshë shpirtin e çdo shqiptari patriot, sot e sa të jetë jeta. I lehtë i qoftë dheu!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco