Ish-deputetja: Ardi Veliu, kurbani i radhës apo klloun vulgar?

Ish-deputetja: Ardi Veliu, kurbani i radhës apo klloun vulgar?

21:47, 29/05/2020

Ish-deputetja e LSI-së, Silva Caka, e ka cilësuar si një shfaqje të shëmtuar atë që ka ndodhur sot në Komisionin e Sigurisë, ku Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ardi Veliu, spekuloi në mënyrë skandaloze ndaj nëne së cilës iu dhunua fëmija nga policia.

‘Sot iu servir shqiptarëve një shfaqje e shëmtuar, në një nga komisionet që supozohet të trajtojë çështjet më serioze dhe të rëndësishme të sigurisë dhe kriminalitetit.

Së pari, nga eksperienca e të gjithëve ne në Kuvendin e Shqipërisë , duhet të themi se zhvillimi i komisioneve parlamentare ditën e premte, është po aq i rrallë sa lumenjtë në shkretëtirë .

Shfaqja që e bëri Ardi Veliun të dilte para shqiptarëve si palaçua i radhës në oborrin e Edi Ramës , ishte vetëm për të tërhequr vëmendjen e publikut, nga serioziteti i opozitës dje, tek karagjozllëku i Rilindjes sot. Por pavarësisht përpjekjeve të dështuara, Edi Rama e di që opozita është aty, e gjitha bashkë dhe i humburi do të jetë veç ai!

Arsyeja kryesore pse Ardi Veliu u bë shënjestër e talljeve sot, është zhvendosja e vëmendjes nga Reforma Zgjedhore. E dimë tashmë të gjithë që Edi Rama do t'a minojë Reformën Zgjedhore, ashtu siç bëri me atë të Drejtësisë, por nuk do ia dalë dot!

Drejtuesi më i lartë i Policisë së Shtetit, përpara se t'u servirë shqiptarëve një informacion, më së pari duhet t'a verifikojë atë , sepse mbi të gjitha, ka në dispozicion gjithë strukturat, institucionet dhe informacionet që i vërtetojnë seriozitetin e materialeve që disponon. E vetmja arsye pse Ardi Veliu mund të servirte këtë palaçollëk, është që Veliut i ka vajtur i gatshëm ai fabrikim dhe sigurisht, kur flet partia dhe shefi, nuk verifikohet asgjë . Apo mos ndoshta Veliu do jetë kurbani i radhës ?!

Komisioni i Sigurisë që nuk ka shqyrtuar ende videot e dhunës në protestën per ruajtjen e Teatrit Kombëtar , nuk ka shqyrtuar ende rastin e atentatit të mbetur në tentativë ndaj gazetares Klodiana Lala, nuk ka shqyrtuar ende kushtet e dorëzimit të Jaeld Çelës apo edhe çështje tepër madhore për sigurinë e shqiptarëve , luan lojën e gatuar nga zyra e Endri Fugës, ku bëhen për budallenj Drejtori i Policisë së Shtetit dhe një tufë me deputetë . Se shqiptarët e dinë tashmë përse u bë e gjithë kjo farsë!

E megjithatë, pavarësisht qëllimit diabolik të Ramës e Fugës, mjeti i përdorur, përsëri mbetet linçues dhe diskriminues.

Në fund, kam nje thirrje për organizatat që marrin fonde e projekte për të drejtat e grave: mos u bëni copash kush të mbrojë e para Etilda Gjonajn, se ajo ka në dispozicion një makineri të tërë propagande që e mbron; dilini në mbrojtje kësaj gruaje, që jo vetëm iu dhunua djali i vetëm, i mitur, por u linçua sot publikisht dhe në mënyrë flagrante nga ai shtet që duhet t'a mbrojë. Tregoni që keni dinjitet e që fokusi i punës suaj janë vërtet të drejtat e grave dhe lufta ndaj dhunës së ushtruar kundrejt tyre; sidomos kur dhunuesi është shteti e funksionarët e tij.

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Tags

Komentet

Shto koment

Denonco