'Cenohet gara'/ Meta kthen ligjin për portin e ri në Porto Romano

'Cenohet gara'/ Meta kthen ligjin për portin e ri në Porto Romano

10:26, 23/05/2020
A+ Aa A-

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka dekretuar kthimin në Kuvend të ligjit të maxhorancës për portin e ri të hidrokarbureve në Porto Romano.

Në 10 faqe arsyetim të dekretit, Kreu i Shtetit shpjegon se për ndryshimet e kontratës koncesionare që miraton ky ligj, jo vetëm që nuk jepen argumente për sa u përket përfitimeve dhe interesave që ka shteti për zgjerimin e objektit të koncesionit, në mes të vazhdimësisë së kontratës, por eshtë cenuar gara e lirë dhe e ndershme, si dhe parimet bazë që duhet të udhëheqin një procedurë koncesioni, në kushtet kur ndryshimi i objektit të kontratës ekzistuese përbën një koncesion të ri.

Sipas Kreut të Shtetit, “Ligji nr. 58/2020, miraton një kontratë të nënshkruar në kundërshtim me përcaktimet e nenit 31, të ligjit nr. 125/2013, duke shkelur njëkohësisht parimet e “barazisë përpara ligjit” dhe “lirisë së veprimtarisë ekonomike të shtetasve”, parime këto të cilat gëzojnë një mbrojtje të veçantë nga nenet 11/1 dhe 18/1 të Kushtetutës”.

Me tej, presidenti arsyeton se “me ndryshimet më të fundit të Kontratës Koncesionare të miratuara me ligjin nr. 58/2020, objekti i kontratës koncesionare ndryshon duke i dhënë koncesionarit mundësinë që në këtë port të ngarkojë, të shkarkojë dhe të përpunojë anije që transportojnë mallra të tjera. Nëse këto ndryshime do të kishin qenë të përfshira në njoftimin fillestar të kontratës ose në dokumentacionin e tenderit, do të kishin bërë të mundur që ofertuesit të dorëzonin një ofertë në thelb të ndryshme”.

“Për gjithë sa u parashtrua më sipër, në bindje të Kushtetutës dhe në zbatim të nenit 85, pika 1, të saj, kam vendosur kthimin për rishqyrtim të ligjit nr. 58/2020 ‘Për miratimin e shtesës së kontratës së koncesionit të formës ‘BOT’ (ndërtim, shfrytëzim dhe transferim) të një porti të llojit MBM në Porto-Romano, Durrës, miratuar me ligjin nr. 104/2015, ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe shoqërisë koncesionare ‘Porti MBM (Multy Buoy Mooring)’, të ndryshuar’, pasi ky ligj bie ndesh me parimet e mbrojtura nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, shprehet Presidenti Meta në arsyetimin e tij.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shqiptari23/05/2020 10:40

Z. PRESIDENT! JO TE KTHEHET, APO TE RISHIKOHET, POR TE ANOLLOHET AJO VJEDHJE DHE DËM KOLOSAL EKONOMIK PER BUXHETIN E SHTETIT. NUK DUHET KURRE QE AI PORT T'I JEPET OLIGARKEVE. AI PORT DO TE KTHEHET NE NJE PORT PRIVAT I TRAFIKUT TE DROGES DHE I KONDRABANDES. PORTI I HIDROKARBUREVE DUHET TE MBETET I SHTETIT!

Shto koment

Denonco