Teatri riktheu tensionet: Çfarë po ndodh në prapaskenat e politikës dhe ndërkombëtarëve?

Teatri riktheu tensionet: Çfarë po ndodh në prapaskenat e politikës dhe ndërkombëtarëve?

12:58, 21/05/2020
A+ Aa A-

Shembja e beftë e Teatrit Kombëtarë me procedura antiligjore dhe në mënyrë “të pabesë”, siç u cilësua nga shumëkush, bëri që opozita të reagojë ashpër, madje duke braktisur përkohësisht edhe Këshillin Politik, që po punon për Reformën Zgjedhore. Duket se situata politike pas një kohe qetësie, e cila reflektohej në Këshillin Politik, është rikthyer sërish në “Pikën zero”.

Kjo sepse kryeministri Rama tregoi se nuk ka aftësi dhe vullnet të reflektojë as për çështje sensitive si ajo e Teatrit Kombëtar, e cila i tejkalonte kufijtë e politikës në Shqipëri dhe gjithashtu ishte ndërkombëtarizuar. Opozita ndërkohë që bashkëpunonte për një kusht dhe një vijë të kuqe të vendosur nga ndërkombëtarët për kryerjen e Reformës Zgjedhore, u gjend papritur përballë një pabesie dhe diktati të paprecedentë nga ana e kryeministrit Rama.

Ky i fundit dha një mesazh të qartë, se tashmë që ka në dorë të gjitha pushtet në Shqipëri, preferon më shumë “faktin e kryer” se sa bashkëpunimin.

Ndaj ditën e djeshme pas protestës kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi se tani fati i reformës dhe tryezës është përgjegjësi direkte e mazhorancës. Basha tha gjithashtu, se opozita nuk mund të bëhej këto ditë të trazuara për gjithë shqiptarë, fasadë e një qeverie të tillë.

Kjo do të thotë që nëse kryeministri Rama vazhdo që të sillet me këtë arrogancë, atëherë të gjitha pasojat edhe për Reformën Zgjedhore do të jenë vetëm të atij.

E gjithë kjo situatë ka bërë që nga ana tjetër të aktivizohen fortë selitë diplomatike në Tiranë, veçanërisht ato të SHBA dhe ambasadës gjermane. Kjo e fundit, pas asaj që ndodhi me “Çështjen Teatri Kombëtar”, lëshoi një deklaratë të fortë duke paralajmëruar deri edhe rrezikimin që po i bëhet procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Mësohet se vetë ambasadori gjerman Peter Zingraf, ka dërguar raporte teje të forta kritike për qeverinë dhe vetë kryeministrin Rama këto ditë. Në të njëjtën linjë shfaqet edhe ambasada Britanike.

Kurse kreu i delegacionit të BE-së Soreca dhe shefja e selisë në “Rrugën e Elbasanit”, Kim, pasi heshtën për Teatrin Kombëtar dolën me shpejtësi nga “strofka diplomatike”, vetëm kur kuptuan se çështja e teatrit nuk ishte thjesht ajo e një godine.

Akti antiligjor dhe autoritar i kryeministrit Rama në fakt nuk shembi vetëm teatrin, por edhe besimin dhe shpresën se me këtë njeri mund të ulesh për marrëveshje deçizive, si ajo që po diskutohet në Këshillin Politik.

Dy ditë më parë ambasada e SHBA në Tiranë, pas një takimi të ambasadores Yuri Kim me kryeministrin ku ishte e shoqëruar edhe nga homologët që drejtojnë trupat diplomatike të BE dhe Gjermanisë, deklaroi:

“Ambasadorja theksoi rëndësinë që ka gjithë-përfshirja dhe diskutimet e mirë-menduara në qeverisje, në përputhje me statusin e Shqipërisë si anëtare e NATO-s dhe vend që synon anëtarësimin në BE. Ata u pajtuan se është thelbësore që Shqipëria të vijojë në rrugën e saj drejt arritjes së dakordësisë për reformën zgjedhore dhe masave të tjera që u janë premtuar qytetarëve të Shqipërisë. Ambasadorja Kim do të takohet, edhe me kreun e PD-së Basha së shpejti”.

Pra edhe pse në një mënyrë diplomatike, i tërhiqet vëmendja kryeministrit, jo vetëm për diktatin ndaj çështjes së Teatrit Kombëtarë, por edhe për një gjithë-përfshirje për të gjitha çështjet e tjera të mbetura pezull.

Në këtë situatë, kur tashmë është hedhur mbi tavolinë edhe një propozim i ambasadës amerikane për ndryshim të sistemit zgjedhor, edhe presidenti Ilir Meta pas një takimi me krerët e opozitës ku janë diskutuar së pari zhvillimet politike pas shembjes së Tetarit, ka kërkuar nga Basha dhe Kryemadhi, që opozita të vazhdojnë që të japë kontributin në Këshillin Politik.

Në këtë takim gjithashtu presidenti Meta ka njoftuar se ai ka gati propozimin e një platforme gjithëpërfshirëse për integrimin europian.

“Presidenti Meta i informoi për përpjekjet dhe propozimin prej Tij të një platforme konkrete gjithëpërfshirëse për integrimin europian. Presidenti Meta theksoi rëndësinë që Opozita e Bashkuar të japë kontributin e saj në Këshillin Politik për të treguar vullnetin për rikthimin e legjitimitetit të të gjithë institucioneve përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme”, njoftoi Presidenca mes të tjerave menjëherë pas këtij takimi.

Edi Rama tregoi hapur se është i vendosur në rrugën e tij autoritare dhe të mosbashkëpunimit dhe kjo ka rikthyer jo vetëm mosbesimin e opozitës, por edhe tensionimin e situatës politike.

Ndaj edhe sot i gjithë trupi diplomatik i vendeve të Bashkimit Europian `e mbajti frymën` te presidenti i vendit dhe pritet që të njëjtën gjë të bëjnë, edhe me krerët e opozitës në orët në vazhdim.

Pritet gjithashtu që në këtë situatë të rënduar politike të shkaktuar veçanërisht nga shembja arrogante dhe antiligjore e Teatrit Ligjor dhe ndërkohë që afatet e mbylljes së Reformës Zgjedhore po skadojnë me shpejtësi, ambasadorja e SHBA në Tiranë dhe krye-diplomatët e selive të BE në Tiranë, të takojnë në orët në vazhdim edhe krerët e opozitës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Antirilindas21/05/2020 13:26

Boll se na e shpifët me ambasada e ambasadorë. E si mund të shpresoni më tek këta plehra? A nuk ju mjafton sistemi i shkatëruar i drejtësisë, si produkt ekskluziv i ambasadorit amerikan dhe asaj të BE? Po nuk jemi në vitet 90, ku nuk kishim përvojë për ndërtimin e demokracisë? Sot pas 30 vitesh, është turp ti shohim akoma ambasadorët sikur kanë çelësin magjik, aq më tepër pas shkatërimit që i bënë Drejtësisë. Poshtë ambasadorët.

Shto koment

Denonco