Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit: Të dalë para drejtësisë porositësi i sulmit ndaj aktivistëve dhe ndërtesës

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit: Të dalë para drejtësisë porositësi i sulmit ndaj aktivistëve dhe ndërtesës

23:36, 20/05/2020
A+ Aa A-

Të nderuar qytetarë, mëngjesin e 17 Majit, Republikës sonë iu vu kazma, Teatri Kombëtar, ndërtesa që ngërthen gjithë historinë shpirtërore të kombit për thuajse 100 vitet e fundit, u sulmua me një akt të mirëfilltë terrorist, me njerëz të armatosur dhe ku mjetet e rënda goditën ndërtesën e Teatrit Kombëtar me qytetarë brenda në godinë. Është tërësisht rastësi që sot nuk kemi viktima nga ky akt terrorist.

Pas kësaj ngjarjeje makabre, qytetarët vërshuan në rrugë për të ndaluar këtë masakër ndaj trashëgimisë, pronës publike dhe të drejtave të njeriut, në përgjigje morën dhunë çpoporcionale nga forcat e policisë. Disa aktivistë u mbajtën në qeli për 72 orë, të tjerë u lanë në arrest shtëpie, asnjë procedim për forcat e policisë.

Këtu drejtësia ka marrë fund, kontrata me shtetin është thyer, qytetari shqiptar ka mbetur në mëshirë të fatit, po jetojmë në gjendje natyrore primitive, ku forca është i vetmi mjet veprimi dhe komunikimi.

Pse kemi mbërritur deri këtu?

Sepse kanë rënë institucionet, tani fjalën e ka sheshi.

Nëse nuk ka një reagim të shpejtë nga ana institucioneve të reja të drejtësisë, të investuara nga komuniteti ndërkombëtar, qytetarët legjitimohen të mbrojnë veten dhe pasuritë e tyre në të gjitha format.

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar ka depozituar dy kallëzime në SPAK, ku akuzojmë direkt Kryetarin dhe Nënkryetarin e pazgjedhur me zgjedhje legjitime, për korrupsion dhe shpërdorim detyre, tani dhe për vrasje në tentativë dhe nuk kemi patur asnjë reagim nga SPAK.

Me ngjarjen e mëngjesit të 17 Majit, ne kërkojmë me urgjencë:

Të dalë para drejtësisë porositësi i sulmit ndaj aktivistëve dhe ndërtësës, ekzekutuesi i këtij vendimi, njësia që e kreu krimin, institucioni që duhet ta mbronte ndërtesën Ministria e Kulturës, Instituti i Monumenteve që la të shkatërrohej një monument kulture që nuk ka dalë asnjëherë nga lista e monumenteve , të gjithë drejtorat e pushtetit lokal që kanë vënë firmën mbi një raport të pakryer asnjëherë, anëtarët e Këshillit Bashkiak që kanë votuar mbi një dokument të paligjshëm, ata inxhinierë që kanë firmosur pa liçencë akt-ekspertizën e Marsit 2018, ata inxhinierë që kanë firmosur në Maj 2020 raportin për gjendjen e godinës pa qenë asnjëherë në godinën e Teatrit Kombëtar - janë po të njëjtët që prodhojnë ekspertiza kontradiktore për ndërtesat në Durrës , kërkojmë zbardhjen e plotë të ngjarjes së 17 majit 2020, aksionin e forcave policore, përfshirjen e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe Repartit Renea, kur në godinë gjendeshin artistë dhe aktivistë që nuk përbënin asnjë rrezik.

Ne akuzojmë direkt : Kryeministrin Edi Rama, Kryetarin e Bashkisë, Nënkryetarin e Bashkisë, Ministren e Kulturës, Drejtuesen dhe specialistët e IMK-së, Drejtorin e Teatrit Kombëtar, Drejtorët e Bashkisë, Këshilltarët e Bashkisë, Njësia e Inspektoriatit të Mbrotjes së Territorit, të gjithë ata titullarë që veprimet dhe mosveprimet e tyre kanë prodhuar ngjarjen kriminale të 17 Majit.

Shqipëria është futur në një spirale dhune dhe paligjshmërie që po gjeneron përplasje civile, një hap i parë për të qetësuar situatën, është ndalimi i çdo punimi në truallin e Teatrin Kombëtar, kërkesa nga ana e Prokurorisë e sigurimit të provës, dhe hetimin e vendngjarjes, dhe shpallja për procedim penal për të gjithë autoritetet e përfshira.

Nëse nuk ka reagim të shpejtë nga ana e Prokurorisë dhe autoriteteve të drejtësisë, atëhere do të jemi ne që do të pengojmë me forcë që aty të fshihet krimi dhe të procedohet me projektin kolonialist të Bjarke Ingels. Ju bëjmë thirrje autoriteteve të drejtësisë, ndërkombëtarëve të reagojnë, vendi po rrëshket në një situatë pasigurie. #ashtusicishte #atykuishte #rrofteteatri

 

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco