Strazimiri: Prokuroria mori vendim politik për të mos vepruar në kohë tek Teatri. Çdo gjë tjetër është post-mortum

Strazimiri: Prokuroria mori vendim politik për të mos vepruar në kohë tek Teatri. Çdo gjë tjetër është post-mortum

17:04, 19/05/2020
A+ Aa A-

Ish deputeti i PD, Gent Strazimiri reagon pas vonesës së prokurorisë për të hetuar ato çfarë ndodhën mëngjesin e 17 majit dhe jo vetëm pranë godinës së Teatrit Kombëtar.

“SPAK ka patur për detyrë të pezullonte çdo veprim të pakthyeshëm, të shikonte nëse ka vepër penale dhe të çonte përpara përgjegjësisë autorët, por nuk e bëri. SPAK pati mundësinë të ndërhyjë si strukturë e paanshme dhe të parandalonte atë që Europa po e quan barbari. Është vendim politik për të mos vepruar në kohë. Çdo gjë që ndodh post mortum, nuk e kthen dot mbrapsht situatën”- tha Gent Strazimiri, i cili bëri përgjegjës Edi Ramën, Sandër Lleshaj dhe Ardi Veliun oër sjelljen e dhunshme barbare me protestuesit.   

“Shteti ligjor ka përfunduar, kur policia gënjeu për pajisjet e saj dhe tha që nuk kishte armatime. Kamerat kane filmuar Renean të mirëpajisur me armë që përdoren në operacione antiterror, sikur po kapnin Bin Laden. Në fakt, po shkonin të shembnin një pjesë të trashëgimisë sonë kulturore dhe europiane dhe të arrestonin Robert Budinën, regjisor, Neritën Liçaj aktor, si dhe aktivistë të shoqërisë civile, shumica gra, që ishin në mbrojtje të ligjshmërisë, jo të tokës së babës”.

Ish-deputeti i PD hodhi poshtë çdo insinuatë për protesta të dhunshme nga ana e opozitës.

“Aksioni opozitar nuk ka reshtur kurrë, pavarësisht situatës që krijoi tërmeti i 26 nëntorit, pavarësisht situatës së krijuar nga epidemia. Siç kemi bërë këto 7 vjet, do të vazhdojmë të përkrahim çdo reagim kundër kësaj narkoqeverie, kundër situatës së paligjshmërisë dhe arrogancës. Ne nuk kemi bërë kurrë protesta të dhunshme. Natyrisht ka tension. Nëse të gjithë faktorëve të pavarur si Bankës Botërore, Fondit Monetar Ndërkombëtar apo BERZH-it u rezulton se 76 përqind e popullsisë nuk mbushin dot barkun me bukë ose hanë vetëm një vakt në ditë, atëherë nuk mund të presësh aty një protestë si në Këln për të ruajtur dhelprën e kuqe apo ariun panda në kopshtin zoologjik të Këlnit. Janë njerëz që dalin në luftë per ekzistencë. Aty do të ketë tension. Kush kërkon të zbusë këtë tension dhe t’i çojë në shtëpi për të ngrënë një vakt bukë, i shërben narkopushtetit që vetëm me ligjin nuk ka më lidhje", u shpreh Gent Strazimiri.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco