Lajmi i fundit

INTERVISTA/ Skandalet dhe arti i manipulimit të publikut. Flet për Syri Tv Andi Bushati

Nëse thyen karantinën, jo vetëm gjobë por edhe burg, ja amendamentet e reja për Kodin Penal

Nëse thyen karantinën, jo vetëm gjobë por edhe burg, ja amendamentet e reja për Kodin Penal

11:22, 09/04/2020
A+ Aa A-

Zbardhet drafti i amendamenteve për ndryshimet në Kodin Penal për shkak të situatës nga COVID-19. Maxhoranca propozon që mosbindja ndaj rregullave të dënohet me gjobë dhe me burgim deri në gjashtë muaj.

Nëse shkelja përsëritet, shkon nga 30 ditë deri në 1 vit burg. Ndërkaq parashikohet deri në 5 vite burg për ato biznese që thyejnë urdhrat.

Pra, nëse thyen karantinën policia nuk mjaftohet vetëm gjobë por mund të dënohesh edhe deri 10 vite burg. Ndërkaq nëse thyen karantinën e infekton të tjerë, parashikohet 3 deri në 10 vite burg. Kur nga vepra ka ardhur ose ka mundësi të vijë vdekja e personit, dënohet me burgim nga pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet.

JA PROPOZIMET

1. Titulli i projektligjit ndryshohet me përmbajtjen si vijon:

“Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7895, datë 27.1.1995, “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”.


2. Pas Nenit 1 të projektligjit, shtohet Neni 2 me përmbajtjen si vijon:

Neni 2

Pas nenit 242, shtohen nenet 242/1 dhe 242/2 me këtë përmbajtje:

“Neni 242/1

Mosbindja ndaj masave të organeve kompetente shtetërore gjatë gjendjes së jashtëzakonshme ose gjendjes së fatkeqësisë natyrore

Mosbindja ndaj rregullave, vendimeve dhe urdhrave të nxjerra nga organet kompetente shtetërore për masat e marra gjatë gjendjes së jashtëzakonshme apo gjendjes së fatkeqësisë natyrore, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në gjashtë muaj.
Po kjo vepër, e kryer në mënyrë të përsëritur dënohet me burgim nga tridhjetë ditë deri në një vit.
Kur nga vepra është shkaktuar rrezikimi i jetës ose vdekja e personit, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.”.

“Neni 242/2
Shkelja e rregullave të karantinës për parandalimin e përhapjes së sëmundjeve infektive.

Moszbatimi i urdhrit të karantinës apo shkelja e rregullave të karantinës nga personi mbartës ose jo i sëmundjes infektive ngjitëse, përbën vepër penale dhe dënohet me gjobë dhe me burgim deri në dhjetë vjet.
Po kjo vepër, kur ka shkaktuar pasoja të rënda për shëndetin ose jetën e njerëzve dënohet me burgim nga tre deri në dhjetë vjet.
Kur nga vepra ka ardhur ose ka mundësi të vijë vdekja e personit, dënohet me burgim nga pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet.”.

3. Neni 2 i projekligjit “Hyrja në fuqi” bëhet neni 3.

ARSYETIMI I AMENDAMENTEVE

Qëllimi i amendimeve në Kodin Penal lidhet me parandalimin e përhapjes së infeksioneve dhe forcimin e luftës kundër epidemive, nisur nga situata e vështirë që po kalon vendi ynë dhe mbarë bota nga virusi COVID19.

Për të arritur këtë qëllim, përvec sanksioneve administrative për të gjithë ata persona që do të shkelnin masat e marra, të vendosura nga organet shtetërore, është e nevojshme që të parashikohen dhe sanksione në Kodin Penal, për disa veprime dhe mosveprime të caktuara, duke marrë në konsideratë rrezikun që kanoset për jetën dhe shëndetin nga përhapja e epidemive të sëmundjeve ngjitëse, apo në situata në tjera në rastet e gjendjes së jashtëzakonshme apo gjendjes së fatkeqësisë natyrore. Vende anëtare të Bashkimit Europian, ku përmend Italinë, kanë parashikuar sanksione të tilla në Kodin Penal.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco