Asnjë shifër që publikoi Rama nuk përputhet me ato të Ministrisë së Shëndetësisë

Asnjë shifër që publikoi Rama nuk përputhet me ato të Ministrisë së Shëndetësisë

14:08, 08/04/2020
A+ Aa A-

Shifrat e publikuara dje nga Ministria e Shëndetësisë e ulën në 6 numrin e të infektuarve të rinj të zbuluar në një ditë. Kjo shifër ishte më e ulëta që nga 20-21 marsi dhe vishej natyrshëm me optimizëm.

Sot, rastet e reja kapërcyen edhe një herë në 17, duke konfonduar gjithkënd që mundohet në mënyrë grafike të sqarojë kurbën e sëmundjes. Dukshëm, shifrat e reja të publikuara zyrtarisht tregojnë lëvizje të mëdha të zbulueshmërisë.

Image

Por numrave të Ministrisë së Shëndetësisë iu bashkua edhe një grafik i publikuar nga Kryeministri Rama. Grafiku tregon numrin e qytetarëve të hospitalizuar dhe shoqërohet me këtë shpjegim: “Sot janë 63 pacientë të hospitalizuar, prej tyre 56 në QSUT (5 në reanimacion) dhe 7 te ‘Shefqet Ndroqi’ (6 në reanimacion). Gjatë epidemisë, kulmi i hospitalizimeve ka qenë 79 pacientë të hospitalizuar më 27 dhe 31 mars”. Shifrat e publikuara nga Kryeministri në grafikun e tij nuk përputhen me shifrat që publikon përditë Ministria e Shëndetësisë.

Kështu, sot, Ministria e Shëndetësisë në raportin e saj qartësonte: “Ju informojmë se në Shërbimin Infektiv aktualisht janë 52 të shtruar. 5 prej tyre janë në terapi intensive. Në spitalin COVID 2 ‘Shefqet Ndroqi’, janë 6 pacientë të shtruar gjithsej. Nga këta, 5 pacientë janë në terapi intensive, 1 në pavijon, ndërsa 4 pacientë janë të intubuar. Në dy spitalet COVID, aktualisht po marrin shërbim 58 pacientë”. Pra, Kryeministria tregon se janë 63 pacientë në spital, ndërsa Ministria thotë se janë 58 pacientë. Por kjo nuk është e vetmja shifër që nuk përputhet.

Rama në grafik tregon se “kulmi i hospitalizimeve ka qenë 79 pacientë të hospitalizuar më 27 dhe 31 mars”, ndërkohë në njoftimin e datës 27 mars, ministria thotë: “Në Shërbimin Infektiv, aktualisht janë 77 të shtruar dhe prej tyre 5 janë në terapi intensive. Pjesa tjetër e të shtruarve në pavijon janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente”, pra, për Ministrinë janë 77 dhe jo 79 siç pretendon Rama. Ndërsa më datë 31 mars, Ministria njoftonte: “Ju informojmë se aktualisht, në Shërbimin Infektiv janë 77 të shtruar. 8 prej tyre janë në terapi intensive, ndërsa 3 nga këta janë të intubuar. Pjesa tjetër e të shtruarve në pavijon janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente. Ndërkohë, në spitalin COVID 2, ‘Shefqet Ndroqi’, kemi një pacient të shtruar”. Pra, jo 79 sa thuhet në grafikun e postuar nga Kryeministri. Ka edhe një shifër tjetër që nuk përputhet. Sipas grafikut kryeministror, “kulmi i hospitalizimeve ka qenë 79 pacientë të hospitalizuar”, ndërkohë që ministria ka raportuar në datat 1, 2 dhe 3 prill mbi 80 të hospitalizuar.

Ja çfarë njoftonte Ministria më datë 2 prill: “Në Shërbimin Infektiv aktualisht janë 81 të shtruar. 8 prej tyre janë në terapi intensive, ndërsa 4 nga këta janë të intubuar. Pjesa tjetër e të shtruarve në pavijon janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente. Ndërkohë, në spitalin COVID 2, ‘Shefqet Ndroqi’, kemi 1 pacient të shtruar”. Pra, të gjitha shifrat e Kryeministrisë nuk përputhen me shifrat e Ministrisë së Shëndetësisë.

Qartësisht ka një moskordinim, pasi njëra nga dy të dhënat nuk është fort e saktë. Ndoshta, duhet një specialist i përbashkët, që të qartësojë edhe publikun në njoftimet e Ministrisë edhe Kryeministrin në grafikët që publikon. Sepse është i njëjti publik, ai që dëgjon Ministrinë dhe ai që shikon grafikët e Kryeministrisë.

Rama e shoqëronte grafikun me këtë shënim: “Ky tregues që e has shumë pak, për të mos thënë fare në vendet e tjera nën agresion, ku mbingarkesa e spitaleve po vjen si haraç për vonesat në marrjen e masave, na thotë qartë se e para, po bëjmë gjënë e duhur, e dyta duhet të vazhdojmë kështu me durim sepse armikun e kemi pas çdo porte, e treta po vazhduam kështu, do dalim më shpejt fitimtarë se shumë të tjerë dhe me kokën lart përpara brezave që vijnë nga kjo sfidë historike”./ Panorama.al

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

kadri hasbiu08/04/2020 16:46

po keto resultate do kemi kur na del vetem lugati mjes drek dark

Shto koment

Denonco