Berisha: Rama sillet me shqiptarët në kufi si në Korenë e Veriut, vetë bën joga në Surrel

Berisha: Rama sillet me shqiptarët në kufi si në Korenë e Veriut, vetë bën joga në Surrel

21:36, 06/04/2020
A+ Aa A-

Ish-kryeministri, Berisha e cilëson si krim kundër njerëzimit dhe shkelje të të drejtave të njeriut mos lejimin e shqiptarëve në pikat kufitare me Greqinë.

Në një intervistë me Skype për Tv Klan ish-kryeministri heq një paralele mes situatës së emigrantëve që kanë ngelur në kufij prej disa ditësh dhe futjes së shqiptarëve në ambasada në vitin ‘90.

“Nuk ka vend në botë përveç Koresë së Veriut që ka mbyllur dyert shtetasve të vet. Edi Rama koncepton Shqipërinë çiflig të kolekëve. Ftoj të gjithë shqiptarët që ky nuk i lejon të futet, Komisionit të OKB-së për të drejtat e njeriut, gjykatës së Hagës, të dorëzojnë dosjet për këtë krim jashtë çdo lloj imagjinate”.
Por si do të vepronte Berisha nëse do të ishte i ulur në karrigen e Kryeministrit?

“Padiskutim që do të dërgoja mjetet t’i merrja dhe t’i dërgoja në një bazë ushtarake. Karantinë të plotë gjersa të kalonte periudha e inkubacionit, por kurrë nuk mund të mendoj të lë qytetarët shqiptarë të flenë ditë e natë në Kapshticë. Ai është rehat në sarajet e Surrelit, bën dhe joga”.

Berisha kritikon ashpër masat e marra për përballimin e pandemisë globale dhe akuzon qeverinë se po ndjek një strategji që synon të fshehë numrin e vërtetë të rasteve të prekura dhe jetëve të humbura.

“Duke përjashtuar izolimin, karantinë dhe distancimin social të gjitha të tjerat në mënyrë absolute janë në kundërshtim flagrant me direktivën e OBSH. Motoja kryesore sot është testim, testim, testim. Edi Rama kufizon në maksimum testimin sepse do që epidemia të duket sa më e vogël në Shqipëri dhe të mos njihen pasojat e saj”.

Kritika dhe për paketën financiare të qeverisë, sipas tij në skemë duhet të ishin përfshirë më shumë familje të prekura.
“Një hipokrizi nga më të dhimbshmet. Nëse është fjala për rroga sot janë mbi 700 mijë shqiptarë që duhet t’u garantohet një pagë minimale siç po bëjnë të gjitha vendet”.

Ish-kryeministri Berisha thotë se është duke ndjekur me vëmendje dhe shpërndarjen e garancisë sovrane pasi siç thotë ka informacione se ka selektime të kompanive që munden të kenë akses për marrjen e saj. Tv Klan

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco