BIRN/ Qeveria kërkon 100-120 milionë euro borxhe shtesë

BIRN/ Qeveria kërkon 100-120 milionë euro borxhe shtesë

22:25, 03/04/2020
A+ Aa A-

Në kalendarin e ndryshuar të emetimeve të borxhit publik, Ministria e Financave ka kërkuar 100-120 milionë euro borxhe në formën e obligacioneve dyvjeçare fikse. Ofertat pritet të mblidhen nga bankat shqiptare.

Ministria e Financave ndryshoi kalendarin e emetimeve të borxhit publik për tremujorin e dytë të këtij viti me qëllimin që të shtojë emetimin e obligacioneve dyvjeçare në euro me vlerë 100-120 milionë, emetim që nuk ishte parashikuar në kalendarin fillestar të publikuar në mes të Marsit. Kalendari i ndryshuar në 1 Prill njofton se obligacionet në euro do të emetohen më datë 8 prill ndërsa ofertat hapen deri më datë 6. Pjesa tjetër e kalendarit ka mbetur e pandryshuar.

Të ardhurat e buxhetit të shtetit pritet të penalizohen nga disa drejtime për shkak të paralizës ekonomike të shkaktuar nga pandemia e koronavirusit të ri si dhe nga rënia e ndjeshme e çmimit të naftës në tregun ndërkombëtar, nga i cili buxheti ka një varësi të veçantë.

Qeveria shqiptare ka emetuar obligacione dhe bono thesari në euro në tregun e brendshëm që nga viti 2012, por interesi i këtyre titujve ra në nivele të papërfillshme pas vitit 2016, kur Banka e Shqipërisë imponoi disa parime të reja rregullatorë që pengonin bankat të jepnin kredi në euro për kredimarrësit që kishin të ardhura në lekë. Në pamundësi për të kredituar depozitat e pranuara në Euro, bankat e nivelit të dytë u dyndën në ankandet e pakta të qeverisë për obligacione në euro, të cilat patë interes më të ulët se 1%.

Ankandi i parë i këtij lloji në vitin 2016 pati normë interesi prej vetëm 0.75% ndërsa oferta e bankave për huadhënie kapërceu gati tri herë kërkesën e qeverisë. Që nga ajo kohë, qeveria ka bërë edhe tre ankande të tjera, ku interesi i obligacioneve dyvjeçare në euro ka qenë 0.8%.

Huamarrja në masën 100-120 milionë euro është e barabartë me 0.7 deri në 0.82% e Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Kalendari i emetimeve të borxhit publik publikohet një herë në tre muaj, pesëmbëdhjetë ditë para fillimit të tremujorit. Qeveria shqiptare emeton borxh publik në bono thesari 3,6 dhe 12 mujore si dhe obligacione me afat maturimi 2,3, 5, 7 dhe 10 vjeçare.

Interesat më të larta ofrohen nga obligacionet dhjetëvjeçare. Në ankandin e fundit norma e interesit për një obligacion të tillë ishte në masën 5.29% në vit.

Fillimi i pandemisë COVID-19 dhe paralizimi i përgjithshëm i ekonomisë duket se nuk ka shkaktuar ndonjë ndryshim të rëndësishëm në normën e interesit të borxhit publik. Që nga fillimi i paralizës ekonomike në mes të Marsit janë zhvilluar katër ankande për borxh publik, rezultatet e të cilave nuk kanë pasur ndryshime thelbësore në krahasim me ankandet para fillimit të pandemisë.

Interesat e borxhit publik në Shqipëri dhe në të gjithë botën janë aktualisht në nivelet më të ulëta në histori, gjë që shërben si argument mes ekonomistëve për mundësinë e rritjes së borxhit publik për të financuar aktivitetin ekonomik të bllokuar nga pandemia./Gjergj Erebara BIRN

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

t04/04/2020 00:47

Borxhe pa kufi,vetem qe ppp mos te preken

Shto koment

Denonco