Paketa e ndihmës e BE: 4 mln euro për Shëndetësinë, 46 mln euro për ekonominë

Paketa e ndihmës e BE: 4 mln euro për Shëndetësinë, 46 mln euro për ekonominë

09:11, 31/03/2020
A+ Aa A-

Misioni i BE-së në Tiranë e ka vënë theksin sot tek "solidariteti në veprim!" dhe ka nënvizuar se " Bashkimi Evropian qëndron pranë partnerëve të tij të Ballkanit Perëndimor si pjesë e përgjigjes globale ndaj shpërthimit të Coronavirus. Në këtë kuadër, ka publikuar sot  një përmbledhje të paketës së mbështetjes së BE-së ndaj Shqipërisë dhe vendeve të tjera.

Në njoftim thuhet:

Si pjesë e reagimit global ndaj epidemisë të Coronavirusit, Komisioni Evropian ka shpallur një mbështetje të menjëhershme deri në 38 milionë Euro për Ballkanin Perëndimor për të trajtuar emergjencën shëndetësore të shkaktuar nga Coronavirusi dhe rishpërndarjen e 374 milionë Eurove për të ndihmuar rimëkëmbjen socio-ekonomik të rajonit.

Komisioneri për Fqinjësi dhe Zgjerim Olivér Várhelyi tha: “Evropa po përballet me një krizë të paprecedentë të shëndetit publik, por edhe në këto kohëra të vështira ne do të jemi gjithmonë aty për partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor, të cilët i përkasin BE-së. Ne do t'i ndihmojmë partnerët tanë të mbulojnë nevojat e tyre të menjëhershme për sistemet e tyre shëndetësore, si dhe do të promovojmë masa afatgjata për të lehtësuar ndikimin socio-ekonomik të krizës së Coronavirusit dhe do të mbështesin ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në rajon”.

Reagimi ndaj nevojave të menjëhershme

Me kërkesën e partnerëve, Komisioni po reagon ndaj nevojave të menjëhershme duke mbështetur furnizimin me pajisje mjekësore dhe pajisje personale, të tilla si ventilatorë, pajisje laboratorike, maska, syze, uniforma dhe kostume sigurie.

BE-ja do të ndihmojë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për të mbuluar nevojat e menjëhershme të sistemeve të tyre të shëndetit publik me deri në 4 milionë Euro secilës, Bosnjë dhe Hercegovinën me 7 milionë Euro, ndërkohë Mali i Zi do të marrë deri në 3 milionë Euro, Kosova deri në 5 milionë Euro dhe deri në 15 milionë Euro do t’i shkojnë Serbisë, vendi më i prekur deri tani.

Komisioni po e përfshin gjithashtu Ballkanin Perëndimor në nismat e BE-së për trajtimin e krizës së Coronavirusit, si skemat e përbashkëta të prokurimit të pajisjeve personale mbrojtëse, si dhe ka përshpejtuar zbatimin e një projekti me Qendrën Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC). Parashikuar fillimisht për vitin 2021, ky projekt do të rrisë kapacitetet e tyre për të analizuar dhe kontrolluar sëmundjet ngjitëse, për të përmirësuar aftësitë e gatishmërisë për emergjenca shëndetësore, si dhe do të mbështesë zhvillimin e sistemeve të tyre laboratorike mikrobiologjike të shëndetit publik.

Zbutja e ndikimit socio-ekonomik të epidemisë

Për të ndihmuar me zbutjen e ndikimit socio-ekonomik të Coronavirusit, BE-ja gjithashtu do të rishpërndajë fonde nga Instrumenti i Ndihmës Para-Anëtarësimit (IPA) për të ndihmuar rimëkëmbjen në vendet partnere të Ballkanit Perëndimor për periudhën afatshkurtër dhe afatmesme. Kjo do të përfshijë mbështetje për sektorin privat, duke rritur mbrojtjen sociale, me një vëmendje specifike ndaj grupeve të cenueshme, si dhe forcimin e qëndrueshmërisë në sektorin e shëndetit publik.

Për këtë qëllim, Komisioni do të mobilizojë deri në 46.7 milionë Euro për të mbështetur rimëkëmbjen sociale dhe ekonomike të Shqipërisë, 73.5 milionë Euro për Bosnjën dhe Hercegovinën, 50 milionë Euro për Malin e Zi, ndërsa Maqedonia e Veriut do të përfitojë 62 milionë Euro, Serbia 78.4 milionë Euro dhe Kosova do të marrë deri në 63 milionë Euro.

Komisioni po punon gjithashtu ngushtësisht me Institucionet Financiare Ndërkombëtare (IFI) dhe institucionet përkatëse të financimit nga Shtetet Anëtare të BE-së, si EKIPI EVROPA për të siguruar një reagim të koordinuar për të mbështetur ekonominë reale, përfshirë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, si dhe do të mbështesë edhe likuiditetin për sektorin bankar.

Veç kësaj, Komisioni po punon me Këshillin e Bashkëpunimit Rajonal (link is external) (RCC) dhe Sekretariatet e Traktatit të Komunitetit të Transportit (link is external)dhe Zonën e Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA) për të adresuar çështjet që prekin furnizimin dhe lehtësimin e lëvizjes së mallrave brenda rajonit, si dhe midis rajonit dhe BE-së. Për këtë qëllim, Komisioni i ka përfshirë pikat e kalimit kufitar BE-Ballkani Perëndimor, të vendosura përgjatë Rrjetit Trans-Evropian të Transportit (TEN-T), në Komunikimin e tij mbi “Korsitë e Gjelbra” të 23 marsit 2020. Tashmë BE-ja po e mbështet Ballkanin Perëndimor për zgjerimin e korsive të gjelbra brenda rajonit.

Për më shumë informacion

Për më shumë informacion mbi koordinimin e Komisionit Evropian për një reagim të përbashkët evropian ndaj epidemisë së Coronavirusit klikoni këtu. Informacion: Mbështetja e BE-së për Ballkanin Perëndimor në pandeminë e Coronavirusit

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco