Hapja e negociatave në kohë pandemie, Komisioneri për Zgjerimin i BE-së, mesazh për shqiptarët

Hapja e negociatave në kohë pandemie, Komisioneri për Zgjerimin i BE-së, mesazh për shqiptarët

15:31, 30/03/2020
A+ Aa A-

Komisioneri për Zgjerimin e Bashkimit Evropian, hungarezi Oliver Varhelyi dha një mesazh për qytetarët e Shqipërisë mbi hapjen e negociatave të anëtarësimit dhe mbështetjen e BE-së në luftën ndaj COVID-19.

“Pandemia e koronavirusit është një krizë e paprecedentë globale për qytetarët, shoqëritë dhe ekonomitë. BE-ja po punon intensivisht se si të ndihmojë partnerët e afërt si vendi juaj për trajtimin e krizës. Nevojitet solidaritet dhe bashkëpunim.

Me gjithë kohërat e vështira, ky është një moment historik për vendin tuaj. BE-ja vendosi të hapë negociatat e pranimit, si dhe të miratojë propozimet e Komisionit për një metodologji të rishikuar të zgjerimit. Ju duhet të jeni krenarë për atë që keni arritur. Ajo shënon një moment historik në udhëtimin tuaj drejt BE-së. Është për t’u vlerësuar puna e të gjithë atyre që kanë kontribuuar në këtë sukses për vendin tuaj. Shqipëria ka punuar shumë për të përparuar në agjendën e reformës në BE dhe ka arritur rezultate mbresëlënëse.

Shpresoj që autoritetet do të vazhdojnë t’i çojnë përpara reformat e nevojshme, veçanërisht në fushën e shtetit të së drejtës dhe në fushat e tjera themelore, të cilat do të jenë fushat e para për të cilat do të hapim negociatat.

Ne kemi qëndruar dhe qëndrojmë pranë popullit shqiptar në përpjekjet e tij për rindërtim pas tërmetit, si dhe në përballjen me krizën e koronavirusit. Komisioni do të vazhdojë t’i sigurojë vendit tuaj mbështetje dhe ndihmë të konsiderueshme për të ecur përpara së bashku në rrugën tuaj drejt anëtarësimit në BE”, mbyllet mesazhi i Oliver Varhelyi-t.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco