Koronavirusi ka `kyçur` edhe krimin, por jo ustallarët e tenderave të Ramës

Koronavirusi ka `kyçur` edhe krimin, por jo ustallarët e tenderave të Ramës

13:19, 30/03/2020
A+ Aa A-

Ishte `epike` lakuriqësi në flagrancë, ai pasazh mes gazetarit Roland Zili dhe kryeministrit Edi Rama një ditë më parë, pasi u pyet se përse nuk lëvron para për njerëzit në nevojë dhe të ngelur pa punë, të cilët janë ngujuar në shtëpi me urdhër qeveritar dhe në vetëmbrojtje prej virusit të frikshëm.

I kapur në befasi nga një pyetje që i vinte nga studio e lajmeve të një TV-je që e konsideron `të vetin`, Rama, në fillim bëri sikur nuk dëgjonte mirë, pastaj u zverdh, u shndërrua në belbëzues dhe në fund `e nxori kokën` dhe brengën (shih videon): Ku t’i gjej paratë unë?!

Qeveria Rama është e vetmja në botë, e cila ende financat e shtetit nuk i ka përshtatur në funksion të luftës kundër koronavirusit. Por është po ashtu unike në këto kohë të koronavirusit kjo qeveri, edhe për sa i përket derdhjes së miliona eurove dhe lëshimit të shpenzimeve që vazhdojnë që të derdhen lumë edhe për inceneratorë që nuk janë vënë ende në punë, edhe për beton e pllaka sheshesh, në drejtim të disa kompanive të përzgjedhura e të privilegjuara; që tash e më shumë se prej 7 vitesh.

Pushteti qendror, ai lokal dhe administrata në përgjithësi vazhdojnë që të tenderojnë, blejnë e shpenzojnë njësoj si në kohë normale. Është e vetmja qeveri, e cila nuk ka marrë një vendim dhe nuk ka nxjerrë një akt normativ për të pezulluar tenderët, të cilët nuk janë të domosdoshëm në këto kohë `lufte`; që nuk ka kufizuar blerjet në administratë duke lejuar vetëm ato më të domosdoshmet; e cila vazhdon që të shpenzojë njësoj si në kohë paqeje jo për shëndetësinë dhe shtresat në nevojë. Vetëm për të vajisur makinerinë e tenderëve korruptivë.

Që nga koha kur Shqipëria u prek `zyrtarisht` nga virusi COVID-19, edhe krimi është trembur e strukur, por jo ustallarët e tenderimeve. Shifrat e këtyre kohëve flasin për një ulje drastike të aktivitetit kriminal, edhe si pasojë e zbarkimit në terren të gjithë policisë dhe ushtrisë e të mbylljes së kufijve. Ekspertët e fushës thonë se një nga shkaqet kryesore të rritjes së çmendur të monedhave të huaja dhe veçanërisht të Euros është fakti, që paratë e krimit të organizuar që vijnë nga punë të zeza dhe sidomos trafiku i drogës, tani për tani janë stopuar bashkë me aktivitetin.

Përpara 3 ditësh u hapën 4 tendera me vlerë 7 milionë euro për projekte që tani nuk janë prioritet. Tenderime që nuk kanë lidhje as me shëndetësinë, as me ndihmën sociale dhe të papunët, as me ndihmën për bizneset e mbyllura. Qeveria ka planifikuar që 7 milionë euro të shkojnë për rikualifikime urbane në vend që të shkojnë për të ruajtur mijëra vende pune nga mbyllja e detyruar e bizneseve. Miliona, për të hedhur beton nëpër qytete.

Ndërkohë që Erion Veliaj shfaqet përditë me qese ushqimesh nëpër duar duke trokitur në dyert e atyre që janë prekur nga tërmeti i nëntorit, bashkia që drejton ka hapur tenderin për ndërtim tek Garda, në mushkërinë e vetme të qytetit të Tiranës. Bashkia e Tiranës po tenderon këtë projekt me një vlerë prej 1.8 milionë euro, duke shtyrë ditën e aplikimit deri në 27 mars 2020 dhe jo në një kohë tjetër pasi të jetë mbyllur kjo flamë. Opozita mungon në pushtetin lokal dhe pakkush e di se nëpër të gjitha bashkitë e vendit vazhdojnë tenderimet lumë, me afate 5-10 vjeçare. Vendi është në luftë mbijetese jo vetëm me koronavirusin, por në “luftë” për të vënë sa më shumë dhjamë për kohë më të vështira nga fondet publike janë edhe mjeshtërit e tenderave dhe një grusht të ashtuquajturish “biznesmenë” që janë abonuar në thesarin e shtetit.

Shikoni se çfarë ka ndodhur në kulmin e `luftës` së `Babë Ramës` kundër COVID-19:

Kompania e inceneratorëve të Elbasanit, zotëruar nga Klodian Zoto, Albtech Energy, ka marrë në 12 mars 2020 nga buxheti i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dy këste me vlerë totale 800 mijë euro. Kompania tashmë e mirënjohur si `nëna e tenderave` FUSHA shpk ka marrë po në 12 mars 2020 173 mijë euro (21 mln lekë) nga taksat e shqiptarëve. Kompania e policisë private të Sandër Lleshaj, Illyrian Guard ka shpenzuar nga buxheti i shtetit 62 mijë euro (8 mln lekë). Kompania Salillari shpk ka përfituar në mars 218 mijë euro (26 mln lekë) duke qenë ofertë e vetme, njësoj siç ka përfituar edhe 16 mijë miku i afërt i Ramës, Alban Eftimi, dhe një tjetër tender me vlerë 418 mijë euro (50 mln lekë) të paguar në mars 2020.

Shembujt janë pa fund, ndaj edhe Ramës i iku zëri dhe figura kur gazetari Zili i kërkoi që të shpërndajë para për shqiptarët. E vërteta është se para ka, por janë të destinuar për xhepat e ortakëve të cilët zakonisht japin paradhënie për çdo lëvrim nga buxheti i shtetit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shqiptari30/03/2020 14:30

NUK KA RAST ME TE BUKUR PER HAJDUTET SE SA NE KOHE LUFTE! RAME BABA ME 40 HAJDUTE MEZI I PRITI KETO FATKEQESITE NATYRORE DUKE E NISUR ME TERMET DHE PO E PERFUNDON ME COVID-19. PRA KEMI TE BEJME ME COVID-RAMA! CFAREDO QE TE BEJNE, DITA E GJYKIMIT DHE E NDESHKIMIT PO VJEN!

Shto koment

Denonco