Basha videokoferencë me Komisionerin për Zgjerimin/ 'E sigurova që do bëjmë gjithçka për plotësimin e kushteve'

Basha videokoferencë me Komisionerin për Zgjerimin/ 'E sigurova që do bëjmë gjithçka për plotësimin e kushteve'

18:58, 26/03/2020

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, nga selia Blu në një deklaratë për shtyp bëri të ditur se bisedoi në një video-konferencë me Komisionerin për Zgjerimin në Bashkimin Europian, Oliver Varhelyi Europian, ku e siguroi këtë të fundit 'opozita, Partia Demokratike dhe unë personalisht, do të bëjmë gjithçka që është në dorën tonë për të kontribuar për plotësimin e këtyre kushteve.'

'Të dashur bashkëqytetarë!

Sapo përfundova një video-konferencë me Komisionerin për Zgjerimin në Bashkimin Europian, Oliver Varhelyi.
E falenderova atë dhe Bashkimin Europian për shprehjen e vullnetit pozitiv për hapjen e negociatave me Shqipërinë, pas përmbushjes së 15 kushteve. E garantova se opozita, Partia Demokratike dhe unë personalisht, do të bëjmë gjithçka që është në dorën tonë për të kontribuar për plotësimin e këtyre kushteve.
Plotësimi i 15 kushteve dhe zbatimi i reformave të nevojshme për këtë, do të sjellin jo vetëm hapjen e negociatave, por edhe forcimin e shtetit të së drejtës dhe rritjen e mirëqenies ekonomike për çdo familje shqiptare. 

Komisionerin dhe Bashkimin Europian i falenderova edhe për ndihmën që i akorduan Shqipërisë për të përballuar pasojat e koronavirusit, dhe i kërkova të shohin çdo mundësi për ta shtuar këtë ndihmë, pasi përveç pamundësisë për plotësimin e nevojave në shëndetësi, Shqipëria është një vend me nivel të lartë varfërie dhe e ka të domosdoshme mbështetjen për familjet në nevojë, për shtresat në nevojë, për biznesin dhe për ekonominë. 

I kërkova, po kështu, edhe mundësinë e rialokimit të fondeve brenda instrumentit të paraaderimit, që njihet si IPA, në drejtim të tre prioriteteve kryesore: 

1. Mbështetje për shëndetësinë.

2. Mbështetje sociale për njerëzit në nevojë.

3. Mbështetje për biznesin dhe ekonominë shqiptare. 

Po kështu i kërkova komisionerit të bëjnë gjithçka për të na ndihmuar edhe me instrumentet e tjera në dispozicion të Bashkimit Europian, si Banka Europiane e Investimeve dhe Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim. 

Të dashur bashkëqytetarë!
Nuk jemi vetëm.  Pavarësisht ditëve të vështira që po kalojmë, të jeni besimplotë se ditë më të mira do të vijnë për ju, për familjet tuaja dhe për Shqipërinë.'

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco