'E pamëshirshme edhe me njerëzit e afërm'/ Washington Post, artikull për Nexhmijen

'E pamëshirshme edhe me njerëzit e afërm'/ Washington Post, artikull për Nexhmijen

21:22, 28/02/2020
A+ Aa A-

Nexhmije Hoxha, që mbeti mbrojtëse e papenduar e burrit të saj, Enver Hoxha, sundimi prej katër dekadash i të cilit e bëri Shqipërinë një nga vendet më shtypëse e të izoluara në botë, vdiq më 26 shkurt në Tiranë. Ajo ishte 99 vjeç.

I biri, Ilir Hoxha, nxori një deklaratë që njoftonte vdekjen e saj, konfirmuar nga AFP dhe agjenci të tjera lajmesh. Shkaku i vdekjes nuk u bë i ditur.

Zonja Hoxha ishte përkrah burrit të saj teksa ai e shndërroi Shqipërinë në një vend komunist nën zotërimin e tij, duke filluar më 1944. Sipas shumë opinioneve, ajo ishte partnere e barabartë e të shoqit në konsolidimin e pushtetit, mbylljen e vendit karshi ndikimeve nga jashtë dhe ndëshkimin e ashpër të disidentëve që vunë në pikëpyetje autoritetin e tyre diktatorial.

Ajo nuk ka mbajtur funksione zyrtare publike, por ishte anëtare e Komitetit Qendror të PPSH për shumë vjet, drejtore e Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste. Natyra manipuluese, gjakftohtë e zonjës Hoxha bëri që disa ta quanin Lady Macbeth e Shqipërisë.

“Ajo mund të tregohej shumë e pamëshirshme, edhe me njerëz që i njihte nga afër”, thotë Elidor Mëhilli, një historian i City University në Hunter College në New York, i lindur në Shqipëri.

“Në publik shfaqej shumë e rezervuar. Por në prapaskenë ishte shumë e fuqishme”.

Ajo ka vënë shpesh në dukje se gjatë regjimit të Enver Hoxhës standardet arsimore dhe prodhimi industrial i Shqipërisë u rritën. Por ai imponoi edhe vullntetin e tij tiranik mbi vendin e vogël me rreth 3 milionë banorë.

Ai lidhi aleanca të njëpasnjëshme me Jugosllavinë, Bashkimin Sovjetik (nën udhëheqjen e Stalinit) dhe Kinën (nën udhëheqjen e Mao Ce Dunit), para se të prishej me të gjithë ata. Teksa shoqëri të tjera komuniste po bëheshin shumë toleruese ndaj vlerave perëndimore, sipas Hoxhës, Shqipëria do të ecte e vetme në rrugën e saj.

Pushteti u shndërrua në kult individi, me statuja madhështore të Enverit kudo në horizont. Nexhmija ndihmoi në shkrimin e mbi 70 vëllimeve të fjalimeve e shkrimeve autobiografike të burrit të saj.

Udhëtimi në Shqipëri u kufizua shumë dhe hyrja në sistemin telefonik ishte e mundur vetëm nga Italia e Greqia. Feja u ndalua më 1967, duke çuar në shkatërrimin e qindra kishave e xhamive. Nga frika e pushtimit, Enveri ndërtoi mbi 150 mijë bunkerë betoni në të gjithë vendin.

Policia sekrete përndiqte çdo të dyshuar se nuk i bindej plotësisht udhëheqjes. Në një nga shembujt më famëkeq, katër inxhinierë nafte refuzuan të shponin për naftë në një vend ku nuk kishte rezerva nafte. U torturuan dhe u dënuan me nga 25 vjet burg për moszbatim të urdhrave të qeverisë.

Duke cituar një studim të kryer nga një institut në Tiranë mbi shtypjen gjatë periudhës së komunizmit, Mëhilli vë në dukje se mbi 90 mijë qytetarë shqiptarë u dërguan në kampe pune apo u burgosën për arsye politike. Të paktën gjashtë mijë u ekzekutuan.

“Brenda botës komuniste, ky ishte një regjim i ashpër stalinist që nuk u zbut”, thotë Mëhilli. 

Ndërsa shumica jetonin në varfëri të skajshme, familja e Hoxhës dhe anëtarët e tjerë të udhëheqjes së partisë zunë zonat më luksoze në Tiranë. Pas shembjes së komunizmit, shqiptarët mësuan se vila e familjes kishte një pishinë të brendshme, dhoma gjumi të mbrojtura nga zhurmat dhe tunele që çonin në bunkerë nëntokësorë.

Enveri dhe Nexhmija kishin një bibliotekë në frëngjisht dhe shumë televizorë në të cilët thuhet se shihnin pamje nga marrjet në pyetje dhe torturimi i të burgosurve politikë.
Në vitet 70, shëndeti i Enverit u përkeqësua dhe gruaja e tij mori përsipër, ndonëse jo publikisht, rol në drejtimin e qeverisë, përfshirë survejimin e kundërshtarëve politikë. Kur një shoqe e dikurshme u burgos, thuhet se Nexhmija iu përgjigj: Mbylle gojën dhe ha atë copë bukë që po të japim.

Pas vdekjes së Enverit më 1985, drejtimin e mori pasuesi i paracaktuar nga ai, me Nexhmijen ende me ndikim të fuqishëm në drejtimin ideologjik të vendit.
Më 1991, teksa komunizmi u shemb në Evropën Lindore, edhe në Shqipëri regjimit i erdhi fundit. Qytetarët dolën në mitingje, rrëzuan statujat e Enverit nga piedestalet dhe i tërhoqën në rrugë.

“Nuk jam e mbrojtur nga turma”, ankohej Nexhmija pas arrestimit më 1991. “Shpeshherë më shajnë”.

Ajo u dënua për përvetësim fondesh qeveritare me nënto vjet burg. Kur u lirua më 1997, pas pesë viteve, vazhdonte ta quante të shoqin “udhëheqës ideal”.

“Deri në ditën e fundit e mbrojti të shoqin dhe trashëgiminë e tij”, thotë Mëhilli. “Nuk shfaqi asnjë lloj keqardhjeje”.

Nexhmije Xhuglini u lind më 8 shkurt 1921 në një familje shqiptare në Manastir, në atë që tani quhet Maqedonia e Veriut, dikur pjesë e Jugosllavisë. Ajo dhe Enver Hoxha, i cili ishte 13 vjet më i madh, u takuan në një takim të Partisë Komuniste më 1941. 

U martuan më 1945. Lanë pas tre fëmijë dhe disa nipër e mbesa.

Në vitet e fundit Shqipëria ka adoptuar kapitalizmin dhe sistemin demokratik shumëpartiak të qeverisjes. Por, sipas Mëhillit, vendi është i kapur nga korrupsioni, largimi i qindra mijëra qytetarëve dhe efektet e mbetura nga një regjim brutal.

Në vitet e fundit të jetës, zonja Hoxha shkroi kujtimet dhe u përpoq të stamponte imazhin e burrit të saj.

“Enver Hoxha nuk ishte diktator”, tha për AFP më 2008. “Pse duhet të kem turp? Pse duhet të kërkoj falje? Nuk më vjen keq për asgjë dhe nuk ka asgjë për të cilën duhet të ndihem fajtore”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco