Hasan Hykaj: Top Channel në shërbim të krimit

Hasan Hykaj: Top Channel në shërbim të krimit

16:54, 26/02/2020
A+ Aa A-

Hasan Hykaj, vëllai i Përparim Hykës, i cili akuzohet nga familja Haklaj si autori i vrasjeve të Fatmir Haklajt dhe vëllezërve të tij, nëpërmjet një letre publike ka hedhur poshtë akuzat. Hyka bën thirrje që të lënë ‘Tropojën të qetë dhe të mos ngacmojnë plagë që ende kullojnë’.

Ky reagim i vëllait të Përparim Hykës vjen pas një dokumentar me tri seri në ‘Top Story’, në Top Channel me titull ‘Haklajt e Tropojës’. Ai thotë se ka gjetur shtrembërime të së vërtetave dhe se familjarët e tij akuzohen si vrasës së anëtarëve të familjes Haklaj në bazë dyshimeve dhe thashethemeve.

Ndaj Zylfije Haklajt, e cila akuzon drejtpërdrejtë atë dhe vëllain e tij, Përparimin si vrasësit e vëllezërve të saj, Hykaj shprehet se denoncuesja nuk u beson as vetë deklaratave që lëshon pa kurrëfarë doganë. Duke dhënë versionin e tij për ngjarjen, Hasan Hykaj nënvizon se emisionet e publikuara në ‘Top Channel’ kanë plagosur rëndë me vetëdije zemrat e dhjetëra jetimëve, prindërve e familjareve të viktimave.

Letra e plotë e Hasan Hykës:

Lerëni Tropojën të qetë, njerëz, mos ngacmoni plagë që ënde kullojnë. (Shënime në adresë të dashamirësve tanë që nuk na njohin.) Më shumë se dy dekada pas ngjarjeve të dhimbshme e me të palavdishme në të gjithë historinë e Malësisë së Gjakovës, media sjell në vëmendjen e publikut me shumë bujë e krenari një atmosferë mbytëse që nuk i bën mirë askujt, të paktën në Tropojë. Këtë herë është Top Channel, pra Topi që gjuan në drejtim të Malësisë me dokumentarin pa dokument « Haklajt e Tropojës ». Nisur nga reklama e zhurmeshme me plotë efekte që i parapriu emisionit, shumëkush priste prova e fakte të reja për ngjarjet e asaj kohe, por dhe mesazhe paqëtimi pas një periudhe të gjatë reflektimi e ardhje në vete.

Në fakt nuk u dëgjua as njera, as tjetra. Për fat të keq dëgjuam shtrëmbërim të skajshem të të vërtetave për ngjarje e personazhe, për vrasës e për viktima që në atë kohë njiheshin e diheshin nga i madh e i vogël. Nëse 20 e sa vjet më parë njerëzit vriteshin thjeshtë mbi bazë dyshimesh, në emisionin e Topit u dëgjuan akuza me të njëjtën metodë pra bazuar në dyshime e thashetheme. Të çudit guximi i autorëve e aktoreve të storjes për të trajtuar me kaq lehtësi ngjarje tepër serioze që lidhen me tragjedi personale e familjare, me vrasje njerëzish të pafajshëm, me vuajtje jetimësh e grash veja, me degëdisje familjesh të tëra e tjerë, e tjerë. Nga reagimet e shumta e të menjëherëshme në rrjetet sociale dhe jo vetëm ; me të drejtë ngrihen shumë pikëpyetje ; lidhur me qëllimin, kohën e shfaqjes, synimet e nismëtarëve, të realizuesve a të sponsorëve të këtij emisioni aq të reklamuar ?!

Së pari në pyetje është kanali transmetues i cili me gjuhën e urrejtjes e efekte emocionale bëhet zëdhënës akuzash të shpikura duke ngjallë armiqësi e rihapë plagët që ënde kullojnë. Këta njerëz nuk janë aq të paditur për të mos kuptuar, se po godasin jo një individ a një familje, dy apo tre por një rreth të tërë që nuk dëshiron «të digjet » si në vitet e errëta të fundshekullit të kaluar. Po përse atëhere gjithë ky zell për shfaqje të tilla? Eshtë cinike dhe naive nëse kjo bëhet për të shtuar numrin e klikimeve ne You-tube. Këtë e vërteton fakti i thjeshtë se shumica e shikuesve tropojanë e kanë ndjekur emisionin duke sharë a mallkuar promovuesit e tij si nxitës e përhapës të së keqës.

Për audiencë Topi mund të gatuaj një storje « interesante » p.sh. për betejen e minave aq « në modë » ne B.Currin e viteve të mbrapshta. Po a do të mund të përballonte ai mallkimin e gjithë atyre familjeve të dëmtuara rëndë me këtë metodë çnjerëzore ? Dy herë familja jonë është bërë objekt i një sulmi të tillë barbar. Pas kafe « Jezerca », herën e dytë me 14 tetor 99 në hyrje të Dubravës duke udhëtuar 9 veta te familjës me tre makina, dy prej të cilave të policisë së rrethit, nga Tirana për në varrimin e vëllait tonë. Me llogjikën e njerëzve që kanë humbur llogjikën, në storje akuzohemi ne si organizatorë te kësaj prite !!! Nuk ia vlen të polemizosh, por mjafton të theksoj se për këto fakte ne nuk do të pranonim kurrë të akuzonim të tjerët qorrazi duke bërë viktimën në storje të çfarëdo lloj « topi » me subjekte të tilla helmuese që Tropoja don e duhet t’i harrojë.

Nëse shfaqje te tilla jipen për interesa financiare, kjo do të përbënte një turp të madh për një TV që shfrytëzon frekuencat kombëtare për të tilla synime. Më në fund nëse Topi gjuan drejt Trpojës për interesa politike do të ishte një mëkat i pafalshëm që përsëritet paturpësisht tash e tridhjetë vjet nga topa e topçinjë te ndryshëm. Eshtë koha, madje ka kaluar shumë, që të mos abuzohet politikisht me ngjarjet e Tropojës. Boll haraç kanë paguar shumica e tropojanëve ndaj politikës e politikanëve. Jam shumë i sinqertë t’iu pohoj se këto që sapo thashë vijnë nga bindjet e mia si bir i këtij trualli dhe jo si i shënjestruar nga akuzuesja përmes Topit. Duke vazhduar metodën e asaj kohe (« vrit para se të të vrasin ») por në kushtet e reja akuzuesja në storjen e «Topit» përmend me « shumë siguri » disa herë P.Hyken. Aq sa krijohet përshtypja që ky person të paktën për 7 vjet që nga maji 1999 e në vjeshtë 2006, nuk ka bërë gjë tjetër veç detyrës se komandantit të një toge forcash speciale veshur me kamuflazh e pajisur me armë automatike, snajper, mina e dylbi speciale në sulm kundër grupit të Haklajve !

Absurdi shkon deri aty sa të akuzohet Përparimi edhe për vrasjen e Cen Haklajt (shokut të mirë të vëllezërve të tij) e të babait të tij plak si dhe për përdhunim varrezash !! Opinioni i Tropojës e dinë mirë se as Përparimi, as familja e tij nuk i përket rracës se vrasësve, të banditëve, as të përdhunuesve për asnjë çast dhe në asnjë rrethanë.Si të tillë nuk na takon të polemizojmë me ata që i nxitin apo i deklarojnë ato, por koha relativisht e gjatë që na ndanë nga ato ngjarje, spekullimet e shumta që janë bërë rreth tyre sipas parimit : « Shpif, shpif, se diçka do të mbetet.» E në respekt të lexuesve që specifikisht u drejtohem, e ndjej detyrim moral për të sjellë në vazhdim disa të vërteta lehtësisht të verifikueshme. -Që në nisje gjuajtja me «Topin» duket tepër keq e orientuar kur në rolin e protoganistit shfaqet personi i dënuar nga drejtësia pasi kishte pushkatuar në mes të qytetit dy veta e plagosur dy të tjerë !

Story hapet me vrasjen e dy vellezërve Demaj në 1992 në Shkëlzen duke mos përmendur vrasësin e vërtetë të tyre, edhe pse jetojnë akoma sot dhjetra persona që kanë parë me sy ngjarjen ! Pra që në fillim humbet besueshmëria e Topit dhe e topçinjëve.Shprehet në vijim keqardhja për vrasjen e dy vëllezërve, por nuk thuhet asnjë fjalë pse u vra 6 vjet më vonë në Kamëz djali i xhaxhait të tyre !? Në një kohë që opinioni e din mirë se, si ky djalosh u vra si shumë të tjerë sipas skenarit ogurzi «Vrite para se të të vrasë.» Për fatin e keq të shumë familjeve tropojane ky model i eleminimt të të supozuarve si kundershtarë do të vazhdonte gjatë, të paktën deri tek vrasja e Jonuz Hykaj. Eshtë me interes për çështjen të dihet se mbi bazën e çfarë informacioni hartoheshin listat e zeza të kundërshtareve që do të eleminoheshin. Akuzuesja thotë disa herë « kishim informacion… » «Sipas informacioneve tona …». Shumëkush, ndër ta dhe unë, mendonte ne atë kohë të njëten gjë. Por dokumentari në fjalë tregon qartë se ky informacion ose ka munguar ; e në këto raste ekzekutimet janë bërë duke u bazuar në dyshime e opinione. Ose ato kanë qënë qëllimisht të pasakta. Dihet se në jo pak raste individë të caktuar, për të larë hesapet me dikë, e kanë raportuar atë si kundërshtarë të Haklaje dhe puna quhej e kryer !

Mundësia e tretë është që informacioni për interesat e emisionit gatuhet sot dy dekada pas ngjarjeve. Këtu çështje është të kuptohet pse pikërisht tani ndodhë kjo dhe sa i besueshëm është ai ? Përgjigjen ne nuk mund ta dijmë, por për të ndriçuar sadopak këtë çêshjtje dhe gjithënjë në funksion të qëllimit që e deklarova më lart, po jap vetëm pak prova të verifikueshme shumë lehtë dje po dhe sot. Së pari: akuzohen Januz e Përparim Hykaj për dy sulme me mina duke sjellë si shkak grabitjen e makinës se Januzit në B.Curri. Sipas tyre prova na qënka një radio e tërhequr nga ministria për llogari të drejtorisë së Kukësit ! Njohësit e situatës të kohës nuk mund ta besojnë, që të interesuarit të mos e kenë zbuluar të vërtetën që ajo radio nuk kishte asnjë lidhje me drejtorinë e Kukësit. Eshtë rasti të thuhet që ka patur lakénj që merrnin rrogë në ministri por që, me shpërblim apo nga frika, u shërbenin krimineleve.Për të qënë i sinqertë mund të pranoj që ndonjë sherbëtor i tillë mund të ketë dezinformuar për të dëmtuar Januzin. Ndryshe nuk mund të shpjegohet kjo lajthitje e akuzuesës që pretendon se kishte prova e informacione. Shumë e rëndsishme për ata që duan të vërtetën është një detaj që nuk duhet të « ishte harruar » nga topçinjtë akuzues e që lidhet me historinë e makinës. Incidentin me makinën e kam biseduar në zyrën time me Halil Haklajn te cilit i kam kërkuar që ta zgjidhin në mënyrën më të mirë të mundshme. Me arsyetimin se « Nuk ia vlen të rrezikohet asgjë për një makinë shteti »ai më premtoi se do ta zgjidhë burrërisht këtë problem. Theksoj këtu se kjo ishte hera e parë dhe e fundit që unë si individ apo si kryetar i PS për 5 vjet në Tropojën e atyre viteve të kërkojë një shërbim nga kjo familje edhe pse ata ma kishin ofruar atë dhe se marrdhëniet tona me ata ishin mëse korrekte, madje miqësore. Por ama për rastin e makinës i kërkova ndihmë, ndamë të njëjtin gjykim, pavarësisht se rezultati për arsyet e njohura nuk u konkretizua. Gjithë kjo për të sqaruar se motivimi me mina i vrasjes së Januzit është krejt i pavertetë, naiv e dashakeq… Në momentin e pritës me mina unë dhe Januzi, përmes meje, ishim në pritje të një përgjigjeje nga Halili për zgjidhjen e problemit te makinës.

Po, pse e vranë atëhere vëllain tonë? Januz Hyka, të dashur lexues, që kishte punën dhe biznesin e tij të suksesshëm në B.Curri, nuk shkoi në polici për t’u pasuraur me paratë e bankave apo të kontrabandës së asaj kohe. Duke mos patur as me të voglën hasmëri me askënd, ai nuk u futë në polici për të vrarë me armët e shtetit. Ai u angazhua në polici me insistimin e Ministrit te Brëndshëm dhe të zyrtarëve tjerë të lartë. Pranoi kështu një rrezik në kaosin ku ishte zhytur Tropoja e asaj kohe që as ne që e kemi jetuar nuk mund ta përshkruajmë, në një kohë që shumë tê tjerë arsyeshëm e refuzuan. Kemi kërkuar disa herë me forcë largimin e Januzit nga Tropoja, çka u realizua duke e emëruar drejtor policie në Kukês, duke renë keshtu « nga shiu ne breshër ». Në detyrën e re ai u paraqit nga fundi i janarit 1999, në fakt pa dëshirën tonë edhe pse iu premtua për një emërim provizor. Dihet çfarë ishte drejtimi i policisë së qarkut të Kukësit në atë kohe kur veç tjerash kishte filluar dhe lufta në Kosovë, çvendosja e refugjateve e pasojat tjera që e shoqëruan atë. Për punën e veprimtarinë e Januzit atëhere Kolonel policie, e sot Dëshmor i Atdheut, në Tropojën dhe Kukësin e asaj kohe, për vullnetin e profesionalizmin e tij, ne familjarët e tij, por dhe ju të nderuar dashamirës, jemi krenarë. Sigurisht në ushtrim të detyrave të tij, si çdo drejtues policie, pa dyshim që krimineleve keqbërësve u ka shkelur në kallo. Por ju garantoj se për mina, a prita nuk kishte as arsye dhe as kohën e nevojshme.

Po, pse u vra atëhere Koloneli i policisë një ditë para se të çvendosej familjarisht në Tiranë ? Ne familjarët e tij, komisar Malushi dhe shumë dashamirës të tij e këshilluam atë të largohej një orë e më parë se « gjithçka mund të pritej… ». Përgjigja e tij e prerë ishte : «Nuk i kam borxh askujt në botë, të tjerët na kanë neve ! » Në fakt këtu është dhe përgjigja e saktë. Pra ai u vra jo se i kishte kujt borxh, por që të mos mund t’u kërkonte hakun borxhlinjeve vrasës. Kaq kushtonte për kriminelet jeta e njeriut në atë kohë. Pavarësisht se ai mund të ishte kolonel e drejtues policie, i dobishm e i denjë për shoqërinë, familjar e baba shëmbullor e mbi të gjitha i pafajshëm si Januzi. Ka dhe një fakt që vërteton se denoncuesja nuk u beson as vetë shumë deklaratave qe lëshon pa kurrëfare dogane. Ndryshe nuk mund të shpjegohet « harresa » e këtij fakti publikisht të njohur : Kur kamikazi i bandës, tashmë i dënuar me burgim të përjetëshëm, njoftoi me 04.08.1999 në spital se vrava vëllezërit (në shumës) e J.Hykes… ; reagimi i vëllezërve Haklaj (-çka keni ba, more !) ishte publikisht mosaprovues. Ata e dinin më mire se motra e tyre sot, se nuk ekzistonte asnjë problem mes dy familjeve. Por prap shtrohet e njëjta pyetje pse denoncjuesja sot pas 21 vjetësh sulmon si e zgjuar nga makthi vëllain e Jonuzit ?! Përse të gjithë sulmuesit i duken të veshur me uniforma të forcave speciale e mbajnë të gjithë emrin e tij ?! Përgjigjen për këtë përveç asaj e Topit, as Zoti nuk mund ta dijë. Ajo që duket qartë është mungesa e plotë e besueshmerise së dokumentarit si dhe respektit jo vetëm për të vërtetën por dhe për të vrarët në të gjitha anët që prej atje ku janë kërkojnë këtë të vërtetë. Lidhur me absurditetin e akuzave ndaj Perparimit, po shtoj një detaj të fundit që lidhet me vendndodhjen e tij me 4 gusht 99.

Në ora 10 e 20’ të kësaj date, i ndodhur për punë në zyrën e Ministrit të informacionit të asaj kohe, M.U. marr vesh për vrasjen në mes të Bajram Currit të vëllait tonë Bislim Hykaj. Me kërkesën time ministri ka telefonuar repartin ku Përparimi ndodhej në stërvitje, dhe pasi jemi bashkuar me anëtarët tjerë të familjes, jemi nisur me dy makina për në B.Curri. Do të më vinte vërtetë rëndë nëse dikush i merr këto shpjegime për justifikim. Kurrësesi jo, të dashurit e mijë ; i pafajshmi s’ka arsye për justifikim. Në këtë kuptim duhet ta interpretoni dhe vendimin tonë sa të dhimbshëm aq dhe të vështirë për t’u larguar familjarisht nga vendi në fillim të vitit 2000. Ne kishim gjithë të drejtën e zotit të mendonim se vrasësit e dy vëllezërve tanë të pafajshëm, në vazhdën e dhjetra vrasjeve tjera të kësaj natyre, meritonin revanshin tonë e ndëshkimin më të rreptë. Por për ta bërë këtë nuk mjafton bindja, duhet dhe geni e talenti i kriminelit vrasës, gjë që Ne fatmirësisht nuk i kishim. Dhe u larguam duke lënë çdo gjë pas, pra dhe vrasësit të cilët për çudinë e shumëkujt vazhdojnë akuzat edhe sot e kësaj dite. Morëm me vete shpresën se shteti do të vepronte tani që i kishte dhe mundësitë. Shpresën

5 na ushqeu dhe optimizmi i Shefit të Komisariatit të cilit i dorëzuam denoncimin me listën e plotë të vrasësve të kolegut të tij Kolonel Januzit, ngjitur me atë te Vëllait tjetër Bislimit. Lamë gjithçka prapa por morëm me vete bindjën se në mos drejtësia, me dhjetra familje tropojane të dëmtuara rëndë, gjithë rrethi Tropojesi terrorizuar nuk do ta duronte gjatë këtë zullum i cili ishte trashur aq shumë saqë priste veç rastin për t’u këputur. Ekzistonte në ato ditë një fare besimi sipas të cilit : Vrasësit e meleqeve paqësorë si : Bislim Hykaj, daja i tij Musli Qoka, Isuf Bashkurti, vëllezërit Demaj te Varri i mirë…etj,etj.. në fund të fundit duhet t’i vrasë Zoti dhe për së kthjellti. Kisha prirjen për ta besuar këtë bestyteni dhe pse atéist.

Së fundi edhe dy fjalë për t’i rithënë Topit se me Storje të tilla po bën dëme të pallogaritshme. Së pari duke u shtirur sikur po i ndihmonte akuzueses në fakt po e dëmtonte atë. Një shikues neutral e kupton dhe justifikon dhimbjen, zemërimin e vuajtjet e intervistueses, që edhe pse vrasëse e zëdhënëse e vrasësve, është qënie njerëzore.. Por asnjë prej atyre që njohin të vërtetën nuk pranon akuzat e shpikura. Pranohet se është tragjedi humbja e 14 personave nga një familje kushdoqoftë ajo. Po rreth 140 të vrarë të tjerë ; shumica viktima të pafajsme, çfarë mund të quhet ; se tragjedi është shumë pak?! Llogaria këtu është e thjeshtë dhe tregon se akuzuesja, me ligj e me kanun është shumë larg llogjikës se ngjarjeve. Së dyti me storje të tilla po plagosni rëndë e me vetëdije (nëse keni vetëdije ?!) zemrat e dhjetra jetimëve, prindërve e familjareve të viktimave, që as në varre nuk i leni të qetë. Së treti dhe kjo është më e rënda. Ju po kriminalizoni një rreth të tërë. Storja juaj në vazhdim të disa tjerave, bën që shumëkush që nuk e njeh mirë, ta identifikojë Tropojën me bandat, krimin, hakmarrjen, egërsinë, kanunin etj etj. Kjo është jo vetëm poshtëruese por krejtësisht joreale. Vërtetë Tropoja ; më shumë se të tjerët, e ndodhur në kushte specifike kufi me Kosoven ne lufte, kaloi vite shumë të vështira me plot mundime, me krime, vrasje, kontabandë, e dukuri tjera që janë, për t’u harruar e jo promovuar siç bëni ju. Me imazhin që i vishet në këtë mënyrë kësaj treve, nuk është çudi që nesër të dalë një topçi me një film « interesant » për Tropojën, para të cilit ai i Mamaqi të duket lule. Filmi komik do të paraqiste fiset e egra të Tropojës se shekullit XXI në luftë me njëri tjetrin. Njëri fis, i fortë e vrastar pas shumë betejash të fituara, mbyllet në kullë.Të tjerët vazhdojnë ta sulmojnë atë me mjetet më moderne të kohës.Pas disa vitesh kulltarët, të tradhëtuar nga brënda, munden. Por të tjerët, aq të shumte e të egër ishin sa të vazhdojnë të sulmojnë mbeturinat e kullës bile dhe varrezat. » Që të mos realizohet ky skenar i supozuar e dashakeq përTropojën, e që ai të mos mund të mbajë nënshkrimin «Bazuar në ngjarje e personazhe reale » duhen ndërgjegjesuar mediat e kushdo tjetër, por në radhë të parë ne tropojanët.Secili sipas mundësisë, për të mos lejuar përçudnimin e imazhit, për të kaluaren e të sotmen e vendlindjes por sidomos për të mos rrezikuar të ardhmen e saj. E kjo nuk bëhet me storje që helmojnë që keqedukojnë duke keqinformuar…… E sotmja e sidomos e ardhmja e këtij vendi kërkon promovimin e asaj që është vërtetë e nevojshme dhe përfaqësuese për Tropojën. Dhe të tillë ka shumë që nga bukuria shpirtërore e fizike e banoreve , besa, bujaria, mençuria e tyre ; bukuritë e rralla natyrore të luginës së Drinit, të Valbonës e të kurores së bjeshkëve e deri tek luftetaret patriotë të sojit të Mic Sokolit e Ali Ibres që trimërine e mençurinë e treguan aty ku duhet në fushëbetejat me armikun. Kjo është storja për të cilin kanë nevojë, si për oksigjenin, sidomos brezat e rinj, të Tropojës pavarësisht mbiemrit që ata mbajnë. Prandaj thirrja ime, si mesazh i një te dëmtuari rëndë pa asnjë arësye, por që e do me të vërtetë Tropojën është për kthjellim e qetësi, për më shumë, respekt e humanizem ndaj të ndjerëve e sidomos per t’i lënë të qetë brezat e rinjë të jetojnë jeten e tyre larg ngarkesave të së kaluares. Hasan Hykaj.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Jugori28/02/2020 23:25

Qe ne momentin e pare qe e pashe ate dokumentar mu krijua idea e nje filmi te realizuar perciptas, pa profesionalizmin e gazetarit dhe per me teper si i porositur. Shkrimi qe ben me lart e konfirmon kete pasi njeanshmeria aty duket sheshit. Te pergezoj per menyren si e ke trajtuar problemin sepse ne keto kohera na duhet dashuri per njeri tjetrin dhe kursesi urrejtje. Ngushellime per gjithe humbjet qe keni patur per shkak te asaj marrezie qe ku me shume e ku me pak pushtoi gjithe Shqiperine

Askushi26/02/2020 20:52

Qe topi eshte vegel e paguar, kjo dihet dhe nuk na habit. Por qe Marin Mema, qe ka krijuar nje figure poziteve, kjo me habit. Si munde te thuash qe vrasjet jane bere nga x person, me hamendje, me thashetheme grash. Si mundet qe Marini me mendjen d tij dhe gojen e tij ta thote si te vertete nje gje te till? Si mundet qe Marini ( se bythqim blushi i bene te gjitha) , te marri persiper nje te pavertet, te hapi pleget e vjetra qe kullojne gjak, dhe qe munde te rifillojne historit, perfshir ketu fhe topin dhe Marinin.

Emigrant 26/02/2020 19:43

Ju paste ne qafe partia jote edhe pse ishi familje punetore e pa perfolur. Ky eshte topi i rracizmit antiverior. mbi 90 % te Tropojes i ka irrituar keq ky palo prgram

Shto koment

Denonco