Lista e OFL-së/ Çfarë fshihet pas përplasjes Rama-Xhafaj

Lista e OFL-së/ Çfarë fshihet pas përplasjes Rama-Xhafaj

20:16, 25/02/2020

Nuk ishin të shumta portalet që lajmëruan të martën se Operacioni Forca e Ligjit pritet që t’i dërgojë letër edhe vëllait të ish-ministrit të Brendshëm socialist, Fatmir Xhafaj.

Pavarësisht se sipas aktit të miratuar, Geron Xhafaj duhet të jetë pjesë e kësaj liste, mund ta kuptosh lehtë se çështja ka ngjallur përplasje të fortë brenda të majtës.

Vetëm pak ditë më parë, Fatmir Xhafaj shprehu rezerva për nismën e qeverisë dhe për ndërhyrjet që po bëhen te infrastruktura ligjore e drejtësisë së re. Dikush mund ta interpretojë këtë si shqetësim të ligjshëm të një njeriu që ka investuar vetë për këtë reformë. Të tjerë mund ta shohin në dritën e zhvillimeve për rastin e vëllait të Xhafajt.

Por historia e përplasjes mes Fatmir Xhafajt dhe Edi Ramës nuk është aq e re, pavarësisht se nuk është konsumuar shumë publikisht.

Kur Fatmir Xhafaj u bë ministër i Brendshëm, arritja më e madhe e tij ishte operacioni Vol-vo 4, për të cilin u përkujdes personalisht kryepolici i Gjermanisë, një njeri i etiketuar si njeriu i hekurt i këtij vendi. Të arrestuarit në rrjetën e këtij operacioni kishin ngritur një shtet paralel, me shtrirje thuajse në çdo fushë. Pika ku bashkoheshin? Shërbimi ndaj politikanëve të majtë, kryesisht duke blerë vota. Dosja e bujshme ndalej në një vend: te Vangjush Dako, njeriu që amerikanët e shohin nga larg duke bërë ‘korrupsion domethënës’, por që për Edi Ramën është i shtrenjtë, siç e bëri të ditur në një emision së fundmi.

Këtu gjërat u komplikuan për Xhafajn, por largimi i tij do ishte i lehtë për Edi Ramën për shkak të një tjetër historie. Opozita kishte denoncuar me fakte dënimin e vëllait të Xhafajt dhe manovrat e tij për ta mbrojtur.

Kur të gjithë palët janë të bëra kaq pis në një histori, mund të thuhet se nuk ka rëndësi kush fiton. E megjithatë Xhafaj humbi, la detyrën dhe në atë kohë u tha se tentoi që t’i lëshonte sinjale Ramës se mund të flirtonte me Erion Veliajn.

Por përplasjet mes tyre e kanë nxjerrë kokën së fundmi me rastin e listës së OFL. Sërish Xhafaj dhe Rama bëjnë si parimorë në historitë e tyre. Xhafaj bën sikur po mbron shtetin ligjor që po vendoset plotësisht nën kontrollin e Edi Ramës. Ky i fundit sikur po lufton krimin dhe korrupsionin, duke mos përjashtuar as vëllanë e Xhafës.

Kjo është vetëm kopertura publike për të maskuar anën e errët të secilës histori, qoftë asaj të Xhafës, qoftë asaj të Ramës. Ajo që dihet është se vetëm për interesa parimore në interes të shtetit ligjor nuk po veprojnë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco