New York Times shkruan për padinë e Metës/ Zbardhet dosja kundër Etilda Gjonajt

New York Times shkruan për padinë e Metës/ Zbardhet dosja kundër Etilda Gjonajt

18:19, 24/02/2020
A+ Aa A-

Dy gazetat më të mëdha amerikane, Washington Post dhe New York Times kanë raportuar në lidhje me padinë e sotme të kreut të shtetit, Ilir Meta, ndaj ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj dhe dy zyrtarëve të ministrisë.

Gazetat shkruajnë se ky është hapi i fundit i presidentit ndaj qeverisë së majtë të Partisë Socialiste, të cilën e akuzon për shkelje të Kushtetutës dhe lidhje me krimin e organizuar.

Këto gazeta citojnë deklaratat e Metës se të drejtat kushtetuese të presidentit po rrëmbehet me stil mafioz.

Ndërkohë presidenca ka zbardhur shkeljet e Etilda Gjonajt, duke publikuar në Fletoren Zyrtare të vendimit për emërimin automatikisht si anëtare të Gjykatës Kushtetuese të Arta Vorbsit, vendim i cili nuk publikohet ligjërisht në Fletoren Zyrtare.

Sipas padisë së Presidencës, duke shpërdoruar detyrën, ministrja Gjonaj ka “shfrytëzuar pozitën e të paturit në varësi të Qendrës së Botimeve Zyrtare për të përcjellë dhe urdhëruar përmes akteve të falsifikuara, botimin e një akti  të cilin mirë e dinte se nuk botohej sipas ligjit në fuqi dhe që ishte publikuar që në datën 22 shtator 2019 në faqen e internetit të Gjykatës së Lartë, në pjesën e caktuar për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi”.

Presidenca thekson se ministrja nuk mund të pretendojë se nuk ka dijeni për komunikimin shkresor midis Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë që drejton dhe Qendrës së Botimeve Zyrtare, institucion në varësi të Ministrisë së Drejtësisë.

Në dokument thuhet se botimi prej kaq muajsh në Fletoren Zyrtare i një akti të tillë, nuk ka sjellë reagime më herët nga vetë Gjonaj, e cila sipas Presidencës, duhet të reflektonte duke publikuar përgjegjësit për shkeljen e ligjit si dhe të merrte masa ndaj tyre, “madje duke treguar një akt të lartë moral e të përgjegjshëm deri në dhënien e dorëheqjes nga ana e saj për shkak të dështimit në përmbushjen e detyrave ligjore të ministrit të Drejtësisë dhe të kontrollit të veprimtarisë së nëpunësve në varësi të saj”.

Heshtja e saj, nënvizon Presidenca, “tregon se ka qene pikërisht ajo urdhëruesja direkte e nxjerrjes së stafit në punë ditë të shtune pushimi, kërkimit me ngulm të përpilimit dhe përcjelljes së shkresave për botim të vendimit të KED-së po brenda ditës”.

Në kallëzimin dorëzuar sot pranë Prokurorisë së Posaçme, është edhe Gentian Deva, sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Drejtësisë, i cili i ka kërkuar Qendrës së Botimeve Zyrtare të botojë aktin e betimit të Arta Vorbsit tek noterja si anëtare të Gjykatës Kushtetuese. Duke e akuzuar edhe Devën për shpërdorim detyre, Presidenca thekson në padi se “veprimet e tij janë të qëllimshme, duke mbajtur në konsideratë se në detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm, ka përcjellë vazhdimisht akte të Ministrisë së Drejtësisë për botim të Fletoren Zyrtare”.

“Me veprimet dhe mosveprimet e tij zoti Gentian Deva me detyrë Sekretar i Përgjithshëm, ka dëmtuar interesat e ligjshëm të shtetit, të shtetasve dhe të personave të tjerë juridikë. Publikimi në Fletoren Zyrtare, i një akti të tillë, i cili ligjërisht nuk është i botueshëm, ka sjellë ndërkohë dhe dëmtim të interesave shtetërorë në disa dimensione".

Presidenca gjithashtu kallëzoi edhe drejtoreshën e Qendrës së Botimeve Zyrtare, Etleva Haxhia, e cila ka pranuar vetë se ka botuar një akt të pabotueshëm, me kërkesën eksplicite të Ministrisë së Drejtësisë. Në padi thuhet se Prokuroria duhet të zbardhë nëse zonja Haxhia ka komunikuar me Kryetarin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësisë, Ministren e Drejtësisë, apo ndonjë funksionar të lartë publik dhe nëse e kanë detyruar atë të dalë në punë ditën e shtunë, ditë pushimi zyrtar. Presidenca thotë se ka të dhëna dhe fakte edhe për përfshirjen e të kallëzuarit Ardian Dvorani në këtë skemë, i cili ka vepruar në cilësinë individuale dhe jo në emër dhe me autorizim të Këshillit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco