Mos e lini vetëm studentin e mjekësisë

Mos e lini vetëm studentin e mjekësisë

10:07, 21/02/2020
A+ Aa A-

Një student i mjekësisë i ka dhënë leksion kurajoje gjithë vendit dhe shoqërisë që po lëngon nga një mpirje e gjatë dhe letargjike, teksa çdo ditë e më shumë po ndodh instalimi i një regjimi autokratik që kërkon të frikësojë e të heshtë zërat kritikë.

Studenti i mjekësisë ngrihet dhe e shpreh revoltën e tij teksa Kryeministri po fliste, me siguri të njëjtin mesazh që ka 7 vite që mban, ku gjen armiq, fajëson këdo, tregon për mrekullitë që ka në plan të bëjë, dhe e mbyll me atë shprehjen, më të mirë se unë nuk ka.

Ndërkohë që tarifat e studentëve janë ende të papërballueshme, gjendja në konvikte njësoj skandaloze, e sikur të mos mjaftonte kjo, ata, profesionistët e ardhshëm duhet të denden me propagandë e të rrijnë sus, të mbyllin gojën.

Më e rënda ndodhi pas aktit të studentit.

E para, është reagimi tërësisht harbut dhe i papranueshëm i Kryeministrit, që tregohet mujshar teksa ka mikrofon e qendër zëri në dorë, dhe një ushtri me gardistë që vigjëlojnë si sypetritë.

Dhe gjen rastin e fyen, e përqesh mjekun e ardhshëm, i cili kërkon të ketë zë, e të tregojë në të vërtetë se si është gjendja. Ai thotë se na duhen bileta të arratisemi. Rama i gjegjet me qesëndi, përbuzje e foni cilësore; jepini recetën atij, nxirreni jashtë, bejini trajtim shëndetësor.

Pra Kryeministri, live, faqe botës, e trajton atë, studentin e mjekësisë, si të ishte një i sëmurë mendor. Edhe nëse do ishte ashtu, a mundet një zyrtar i këtij niveli, një njeri me kaq shumë përgjegjësi sa kreu i qeverisë, dikush që duhet të kujdeset për çdo pacient e njeri në hall e nevojë shëndetësore, të flasë në atë mënyrë, t’i drejtohet dikujt asisoj?

Po, kjo nuk ndalet këtu. Pamje të reja të publikuara pak më vonë, janë edhe më tronditëse. 4 efektivë të gardës e rrethojnë të riun, i cili nuk ka ndërmend ta ndalë zemëratën. Vijon të ketë zë, vijon protestën e tij. Ashtu i vetëm. Gardistët muskulozë e hijerëndë, nuk ja zgjasin, kanë marrë urdhër nga shefi i madh.

E nxjerrin jashtë me forcë.

Dhe ende nuk ka marrë fund. Akti i përtejmë i kësaj drame, është se askush nuk pipëtin. Studenti lihet vetëm nga shokët dhe miqtë e tij. Asnjëri për be nuk solidarizohet. Kjo panoramë, për fat të keq është një fotografi tragjike e shoqërisë dhe realitetit që po jetojmë. Frika ka hyrë në palcë. Sunduesi ia ka dalë. Po një gjë është e sigurtë. Edhe pse në heshtje, studenti i mjekësisë ka fituar sot simpatinë masive të njerëzve.

Nëse bëhet një sondazh, se kujt i besojnë më shumë qytetarët; studentit të revoltuar, apo kryeministrit, e sigurtë është se i riu që pati kurajon këtë mbremje të ngrinte zërin, do të fitonte bindshëm. Ndaj, mos e lini vetëm studentin e mjekësisë./MAPO

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Emigrant 21/02/2020 11:23

Ky popull e meriton dhunen. Si nuk ngrihen te tjeret te solidarizohen me te. Ngrihuni o te mjere se do jete vone edhe per socialistet e marre

Shqiptari21/02/2020 11:09

Diktatura ne Shqipeti, me bekimin e nderkombetareve u rikthye! Satrapi Rama nga njera ane propagandon NDAL DHUNEN NDAJ MJEKEVE, nga ana tjeter e skutave te erreta te pushtetit te tij MAFIOZ, urdherohet nga verte Satrapi, qe te ushtrohet dhune "me recete" ndaj dy mjekeve te rinj te sapo diolomuar. Çfare nisje e bukur e profesionit te mjekut!!! Çfare garancie jep Rama per ata mjeke qe ngrene zerit!!! Ja ky eshte UJKU PLAK mashtrues, dhunues dhe dinak! Ne 2 Mars te gjithe ne shesh per te lidhur besen pa dallime bindjesh politike, feje, seksi dhe rrace! Në Dhjetor 1990 ne si studente nuk kishim dhe nuk njihnim asnje mbeshtetje nderkombetare, nuk kishim as opozite, as gazeta e as televizione opozitare. I kishim te gjitha pushtetet dhe mekanizmat kunder dhe perseri triumfuam e fituam ndaj regjimit diktatorial me gjakatar e me te frikshem ne bote! Po ju sot? Ku jane studentet sot?!!! Pse tremben? Pse perçahen me kaq lehtesi nga pushteti i korruptuar dhe propaganda mashtruese e Rames dhe e Lali Krye Plehut, kur behet fjale per te ardhmen dhe jeten e tyre?!

Shto koment

Denonco