Lajmi i fundit

PIRANJAT/ Me Florian Binaj dhe Dojna Mema

Propozimi për gjyqtarët e zgjedhores përplas mazhorancën me opozitën

Propozimi për gjyqtarët e zgjedhores përplas mazhorancën me opozitën

13:14, 20/02/2020
A+ Aa A-

Në tryezën e bisedimeve mes mazhorancës dhe opozitës për Reformën Zgjedhore të zhvilluar sot në hotel Rogner, nuk ka patur dakordësi për çështjen e Kolegjit Zgjedhor.

Propozimi i Partisë Demokratike për shkrirjen e këtij kolegji dhe ngritjen e një ‘gjykate’ tjetër për zgjedhjet, ka hasur në kundërshtimin e fortë të përfaqësuesit të mazhorancës, Damian Gjiknuri.

Deputeti i PS, duke folur për mediat pas përfundimit të tryezës së bisedimeve, ka thënë se nuk mund të rrezikohet Reforma në Drejtësi për shkak të kësaj kërkese të opozitës. Gjiknuri ka kërkuar rishikimin e këtij propozimi të Partisë Demokratike.

‘Sot patëm diskutimin e radhës të këshillit politik të Reformës Zgjedhore. U diskutuan disa nga propozimet e PD. Me keqardhje konstatuam disa propozime të cilat për mendimin tonë kërkojnë rishikim sepse nuk mund të vënë në pikëpyetje të gjithë Reformën në Drejtësi. Gjërat principale në lidhje me rendin kushtetuese nuk mund t’i vëmë në pikëpyetje. Nuk duket normal që procesi i Vettingut të bllokohet për shkak të formimit të Kolegjit Zgjedhor’, u shpreh Gjiknuri.

Ndërsa për disa propozime të tjera, mazhoranca ka shprehur dakordësinë.

‘Diskutuam dhe për çështje të tjera për të cilat jemi duke gjetur kompromis për disa shqetësime që kanë ata, siç është në lidhje me policinë. Çështja e sinjalizuesve që e ka sjellë PD, po gjejmë kompromisin. Çështja me roli e policisë, disa propozime të PD edhe ato propozime besoj do t’i pranojmë. Ka disa propozime që janë të karakterit garantues, teknik, do t’i pranojmë’,-deklaroi Damian Gjiknuri.

Sa i përket kërkesës së opozitës për krijimin e një qeverie të përkohshme në rastet e zgjedhjeve, Gjiknuri tha: ‘Nuk ka diskutim për qeveri tranzitore. Kjo është një çështje e ezauruar’.

Nga ana tjetër, përfaqësuesi i Partisë Demokratike Oerd Bylykbashi e konsideroi jetike për procesin zgjedhor ngritjen e një gjykate tjetër përveç Kolegjit Zgjedhor, me argumentimin se nuk kanë besim tek ky institucion.

 ‘Opozita ka propozuar 6 paketa gjithsej. Propozimi sot është element themelor. E drejta për t’ju drejtuar një gjykate të pavarur dhe të paanshme. Duke qenë se është një rekomandim prioritar, kjo paketë sot nuk është një paketë e cila është vetëm për të vënë një kryq te lista e çështjeve, po është thelbësore.

Pati një reagim shumë të fortë nga mazhoranca, e cila do të vazhdojë të kontrollojë mekanizmat me të cilat kapin gjyqësorin. Ne këtë nuk do t’ja lejojmë. Numri i gjyqtarëve që kanë kaluar Vettingun është shumë i vogël.

Ju keni rastin e gjyqtarit Dvorani i cili nuk justifikon 100 milionë Lekë dhe askush nuk u kujtua ta ankimonte dhe bëri të mundur të kemi këto zhvillime që kemi sot.

Ajo që propozojmë ne është të gjithë ata që nuk i janë nënshtuar Vettingut dhe ata që e kanë kaluar Vettingun, të mbrohen nga presioni politik dhe në fund të procesit t’i nënshtrohen të gjitha kontrolleve.

Askush nuk do të jetë imun nga ndjekja penale për korrupsion apo për çdo lloj krimi tjetër’, -deklaroi Oerd Bylylkbashi.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Gramoz20/02/2020 17:21

Kush flet per reformen ne drejtesi, Damjani i çunave problematik, hajduti kryesor i vjedhjes se votave ne Diber, Damjan termeti qe u kap gafil ne pergjime me boten e erret te krimit, per ti çu vota bablokut te modh Edver Taqi Qenefit.

Shto koment

Denonco