Lajmi i fundit

PIRANJAT/ Me Florian Binaj dhe Dojna Mema

Analisti: U rrëzua fushata anti-BE e nxitur nga qeveria shqiptare

Analisti: U rrëzua fushata anti-BE e nxitur nga qeveria shqiptare

09:17, 18/02/2020
A+ Aa A-

Analisti kosovar, Enver Robelli, në një shkrim në gazetën Koha Ditore, thotë se Konferenca e Donatorëve në Bruksel tregoi se Europa nuk i harron shqiptarët, pavarësisht politikanëve batakçinj. Sipas tij, ky solidaritet i BE rrëzoi edhe fushatën anti-Europiane të nisur në Tiranë pas dështimit të qeverisë për marrjen e negociatave.

“Muajve të fundit në Tiranë dhe në Prishtinë ka pasur politikanë që për shkak të agjendave të tyre personale, për shkak të aferave korruptive dhe për shkak të imazhit të rrënuar si pasojë e keqqeverisjes, janë përpjekur të nxisin një urrejtje meskine kundër BE-së, duke e akuzuar se nuk i do shqiptarët. Madje urrejtjen ndaj BE-së disa politikanë janë përpjekur ta maskojnë dhe ta shesin në opinion si proamerikanizëm.

Kur në vjeshtë u bllokua hapja e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë, qeveria në Tiranë këtë u përpoq ta prezantojë si problem ekskluziv të BE-së, e cila i ka disa probleme, por edhe një distancë aversioni ndaj Shqipërisë. Nuk kishte gatishmëri të pranohet edhe një gabim i vetëm apo dështim i qeverisë në Tiranë. Se ku ka mbetur Shqipëria u pa kur u godit nga fatkeqësia e tërmetit në fund të nëntorit. Mediat shqiptare mbetën duke lavdëruar ndihmësit që vinin nga jashtë dhe duke mallkuar shtabet e krizës të Tiranës të përbërë nga burrat me mustaqe e barkmëdhenj. (Këtu u bëhej e padrejtë atyre ndihmësve shqiptarë që kryen punën me profesionalizëm, por në thelb u pa një gjë: Shqipëria nuk ishte e përgatitur për një fatkeqësi natyrore),” shkruan Robelli.

“Mbi një miliardë euro për Shqipërinë demantojnë rëndë propagandën antieuropiane të klasës politike shqiptare të diskredituar, e cila qëmoti si modele inspiruese i sheh regjimet autokratike jashtë Europës. BE viteve të fundit nuk ka qenë aq afër Ballkanit, por sa ka qenë Ballkani afër BE-së? Me korrupsion, krim të organizuar, ekonomi të shkatërruara, gjyqësi të kapur, administrata të infektuara nga dembelia, nepotizmi, papërgjegjësia e paaftësia, me të rinj që atdheu i tyre po i ndjek - po kush mund të presë në këso rrethanash që BE do t’i përqafojë popujt e Ballkanit dhe do t’ju thotë: “Urdhëroni”!?”

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco