Aktrimi qesharak i Ramës dhe bujaria e të huajve për shqiptarët

Aktrimi qesharak i Ramës dhe bujaria e të huajve për shqiptarët

20:33, 17/02/2020
A+ Aa A-

Kryeministri Edi Rama shpiku edhe nga Brukseli një tjetër moment për të treguar sesa shumë e urren median në Shqipëri. Pas Konferencës së Donatorëve, me triumfalizëm tha se ishin vënë baste kundër qeverisë së tij, por paralajmëroi se çdo bast kundër tij është i humbur.

Ky është një shpikje e pastër, kur në fakt mediat ishin të gjitha me gishtat e kryqëzuar që Shqipëria të merrte sa më shumë fonde për ata njerëz që janë goditur nga tragjedia e rëndë dhe që vazhdojnë edhe pas tre muajsh të jetojnë si në mesjetë.

Aktrimi i tij vazhdoi duke thënë se mezi po e merr veten nga ajo që ndodhi në Konferencën e Donatorëve. Kurse Erion Veliaj dhe Taulant Balla u lëshuan në rrjetet sociale, në shqip dhe anglisht për të treguar se kjo që ndodhi në Bruksel ishte një fitore e një lideri si Edi Rama.

Por teksa hashtagu TogetherforAlbania u përhap në rrjet, askush nga drejtuesit e lartë të BE nuk e përmend gjëkundi qeverinë shqiptare. Që nga presidentja e KE, Ursula von der Leyen e deri te Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, vlerësojnë se kjo ishte një mbështetje e fortë për popullin shqiptar.

Ky ishte një zotim për të gjithë ato pamje të tmerrshme që ofroi tërmeti dhe pamundësia e shtetit shqiptar atë ditë dhe në ditët në vijim, kur u pa se qeveria e Edi Ramës nuk ka as edhe një qen për të shpëtuar njerëzit nën rrënoja. Mjerimi dhe pamjet që kanë transmetuar dhe transmetojnë mediat e huaja nga Shqipëria nuk i ngjajnë aspak një vendi evropian, por më së paku afrikan. Ajo ditë e tërmetit dhe të tjerat që pasuan treguan se korrupsioni qeveritar ka vrarë edhe më shumë se vetë tërmeti. Kjo ishte arsyeja se përse shumica e parave në këtë konferencë u dha si grante me mbikëqyrje të rreptë ose si kredi, të cilat mund të shtojnë barrën e rëndë të pagesave në shpinën e shqiptarëve.

Megjithatë askush nuk mund të mohojë se ky ishte një vlerësim për popullin e vuajtur shqiptar dhe një tregues i qartë se askush nga Europa nuk e ka problemin me njerëzit, sikundër nuk e kanë problem të brendshëm bllokimin e integrimit të Shqipërisë. Problemin e kanë me Edi Ramën dhe qeverisjen e keqe. Jo më kot Franca ishte ndër donatorët më të mëdhenj. Si për të treguar atë që e ka thënë edhe vetë presidenti Emmanuel Macron, se ai kujdeset për shqiptarët.

Problemi është se të huajt kujdesen për ne, por nuk kujdeset qeveria. Siç ironizoi dikush në rrjet, të paktën të shpresojmë se pas këtyre donacioneve, Rama të blejë një qen shpëtimi.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco