Enver Hoxha në 1967: Të mbrohemi nga shovinizmi kosovar, Jugosllavia duhet të ekzistojë

Enver Hoxha në 1967: Të mbrohemi nga shovinizmi kosovar, Jugosllavia duhet të ekzistojë

17:05, 17/02/2020
A+ Aa A-

Me rastin e 12 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, studiuesi dhe arkivisti Kastriot Dervishi publikon të dhëna interesante që tregojnë se sa anti-kosovar ka qenë regjimi komunist në Shqipëri dhe diktatori Enver Hoxha.

Në dy momente çështja e Kosovës është dëmtuar rëndë, pikërisht atëherë kur është futur në kanale marksiste-leniniste dhe nuk ka qenë në koordinim me politikën amerikane. Gabimi i parë ishin vitet 1919-1931 kur Komiteti i Kosovës i Kosovës u keqpërdor për interesa të politikës sovjetike (gabim që u ndreq në vitin 1931 me ndërhyrjen e Mbretit Zog), si dhe së dyti te besimi se regjimi antikombëtar i Enver Hoxhës, mund të bënte për çështjen e Kosovës.

Komunizmi është varrosës i çështjes kombëtare shqiptare. Në vitet e fundit të jetës së tij, E.Hoxha bëri ndonjë deklaratë të “egër”, e cila ngeli në kuadrin e propagandës. Po të vësh re gjithë aktivitetin e tij, në mbledhjet e Byrosë Politike, Sekretariatit, të porosive dhe urdhrave që jepte, qëndrimi i tij ka qenë qartazi anti-kosovar.

Shqiptarët e Kosovës të dënuar nga regjimi i E.Hoxhës për nga vuajtja as llogariten me ato që vuajtën në regjimin e Titos. Në Jugosllavinë e Titos nuk do të gjesh asnjë shqiptar që ka vuajtur mbi 30 vjet në burgjet e atij shteti. Po ashtu, Jugosllavia ktheu mjaft të arratisur shqiptare, sepse ishte në marrëveshje me regjimin e Enver Hoxhës.

Në ditën e festës së Republikës së Kosovës, dëshiroj të ndalem në një aspekt të politikës së Enver Hoxhës për Kosovën, pjesë e një studimi që ka përshirë gjithë hapësirën kur ai ishte në pushtet. Sjell sot një pjesë nga ditari i E.Hoxhës i vitit 1966, jo fort i njohur, në të cilën flet edhe për mbrojtjen e Federatës Jugosllave dhe shprehet kundër Republikës së Kosovës. Gjuha është e rëndë, madje përdoren fjalë të tilla si “shovinizmi shqiptar”. Këtu mund të shihet qëndrimi i vërtetë i Enver Hoxhës, sepse ky lloj ditari nuk ishte publik.

***

1 gusht 1966

Popujt dhe marksistë-leninistët revolucionarë jugosllavë duhet të luftojnë

Revolucionarët marksistë-leninistë jugosllavë kurrë nuk duhet ta braktisin, qoftë edhe një grimë idenë e Federatës dhe të unitetit të popujve të Jugosllavisë. Ata duhet ta mbrojnë Federatën (me kuptim dhe me organizim të drejtë marksist-leninist) dhe lufta e tyre duhet të bazohet në idenë e unitetit dhe të Federatës. Këtë ide të madhe dhe progresive popullore, borgjezia kapitaliste serbokroate, e vjetër dhe e re, e ka shfrytëzuar dhe e shfrytëzon për qëllimet e saj shoviniste. Kush nuk e përfill këtë ide, ka popullin kundra. Revizionistët jugosllavë do të vazhdojnë të luftojnë nën maskën e ruajtjes së Federatës. Edhe në rast se klikat kapitaliste rivale gjakosen me njëra-tjetrën, ato veç e veç do të ngrenë kurdoherë flamurin e Federatës dhe “unitetin” kapitalist borgjez të popujve të Jugosllavisë. Marksistët revolucionarë, nga ana e tyre, duke mos e konfonduar kurrë kauzën e drejtë marksiste-leniniste të Federatës dhe të unitetit në luftë të popujve të Jugosllavisë me atë të titistëve duhet të demaskojnë qëllimet dhe synimet e reaksionit të ri serbokroat në lidhje me Federatën Jugosllave.

Dëgjojmë të flitet për një republikë të Kosovës. Kosovarët patriotë e revolucionarë, në këto momente duhet të tregohen shumë të kujdesshëm ndaj revizionistëve titistë, të cilët mund të luajnë edhe kartën e krijimit gjoja të një “republike shqiptare kosovare” në vend të “krahinës autonome”, për të gënjyer shovinizmin kosovar, për të shtypur më mirë luftën çlirimtare të shqiptarëve të Kosovës dhe për të luftuar Republikën Popullore të Shqipërisë. Kjo e ashtuquajtur republika e jashtme shqiptare e kurdisur nga titistët mund të bëhet qendra e reaksionit kosovar dhe e të arratisurve fashistë e kriminelë lufte shqiptarë që gjenden në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në këtë kurth nuk duhet të bien shqiptarët e Kosovës. Ata duhet ta luftojnë këtë manovër të ndyrë të titistëve, të cilët ka mundësi ta luajnë këtë letër.

(Marrë nga Enver Hoxha, “Ditar për çështjet ndërkombëtare, 1966-1967”, nr.4, Tiranë 1982, ekstrakt nga faqet 136-148). 

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco