Presidenti i Shqipërisë uron Kosovën me rastin e Pavarësisë: Unë do të vazhdoj të jem përkrah jush!

Presidenti i Shqipërisë uron Kosovën me rastin e Pavarësisë: Unë do të vazhdoj të jem përkrah jush!

09:41, 17/02/2020
A+ Aa A-

Presidenti  i Shqipërisë, Ilir Meta, i ka dërguar një letër urimi, Presidentit të Kosovës, HashimThaçit, me rastin e Ditës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, në të cilën thuhet:

"I nderuar Zoti President,

Në emrin tim dhe të gjithë qytetarëve të Republikës së Shqipërisë ju përcjell urimet më të përzemërta për Ditën e Pavarësisë së Republikës së Kosovës!

Kosova ka hyrë tashmë në dekadën e dytë të saj si shtet i pavarur dhe sovran, me një demokraci edhe më të gjallë e dinamike.

Kjo etapë e re e konsolidimit të shtetit të Kosovës jam i sigurt se do të shoqërohet me një hov të ri edhe në marrëdhëniet vllazërore dhe bashkëpunimin ndërmjet nesh, në përçim të vlerave më të mira kombëtare dhe europiane.

Uroj që përpara sfidave të tjera aspak të lehta, në Kosovë të mbizotërojë uniteti përreth objektivit strategjik për integrimin europian dhe euro-atlantik si dhe njohjen e mëtejshme në arenën ndërkombëtare.

Unë do të vazhdoj të jem përkrah jush në këtë rrugëtim që kërkon përkushtim dhe punë të palodhur të të gjitha institucioneve të Kosovës.

Njokësisht, kam besim se përfaqësimi i njëzëshëm i Kosovës dhe koordinimi me partnerët strategjikë do të mundësojnë edhe finalizimin e suksesshëm të dialogut të ndërmjetësuar me Serbinë, për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dy vendeve përmes një marrëveshjeje që njeh pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin e pakthyeshëm territorial të Republikës së Kosovës.

Me urimet më të sinqerta për zhvillimin dhe përparimin e mëtejshëm të Kosovës, dhe dëshirën e forcimit të marrëdhënieve tona vllazërore në të gjitha rrafshet, ju lutem pranoni, Zoti President, shprehjen e konsideratës sime më të lartë.

Ilir Meta."

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco